MENU
klinika

Tensione të brendshme, rreziqe të jashtme

70 vjet NATO! A ka arsye për të festuar?

29.11.2019 - 16:25

Udhëheqësit e NATO-s po përgatiten që të mblidhen në Londër një takim dyditor të martën, për të shënuar 70 vjetorin e themelimit të aleancës. Lufta në Siri dhe rreziku i vazhdueshëm nga Rusia do të jenë tema qendrore.

Por siç njofton Henry Ridgwell, tensionet në rritje mes vendeve anëtare, mund t’i lënë në hije festimet e përvjetorit.

Dy anëtarë të NATO-s, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia ishin pranë konfrontimit në Sirinë veriore muajin e kaluar, duke e tronditur aleancën.

“Pozicioni i Turqisë në aleancën veri-atlantike, është i vështirë: Vendimi i Turqisë për t’u angazhuar në operacione ushtarake në Lindjen e Mesme kundër dëshirës së shumicës së aleatëve përfshirë Shtetet e Bashkuara; vendimi i Turqisë për të blerë paisje ushtarake ruse”, thotë Jonathan Eyal, i Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara.

Anëtarët e NATO-s thonë se është më mirë ta kemi Turqinë brenda sesa jashtë aleancës.

Aty ku më parë trupat amerikane ruanin paqen, forcat ruse tani patrullojnë në Sirinë veriore. Tërheqja e Shteteve të Bashkuara ka shkaktuar shqetësime lidhur me angazhimin e Amerikës ndaj NATO-s.

Presidenti francez, Emmanuel Macron paralajmëroi se NATO po përjetonte “vdekje klinike” dhe i bëri thirrje Evropës të krijonte arkitekturën e vet të sigurisë. Komentet e tij u kritikuan nga Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Uniteti evropian nuk mund të zëvendësojë unitetin transatalantik. Ne kemi nevojë për të dyja. Dhe duhet të kuptojmë gjithashtu se veçanërisht pas Brexit-it, Bashkimi Evropian nuk mund ta mbrojë Evropën”.

Evropa vazhdon ta konsiderojë Rusinë si rrezikun më të madh. Zoti Eyal thotë se shqetësimet se mos ka rënë angazhimi amerikan ndaj sigurisë së Evropës, nuk përputhen me faktet në terren.

“E vërteta është se shpenzimet e Pentagonit në Evropë po rriten, numri i trupave po rritet”, thotë ai.

Por dislokimi i trupave amerikane në Evropë shihet ndryshe në Moskë.

“Disa nga vendet e Evropës Lindore duan që të ketë trupa amerikane në territorin e tyre, megjithëse neni 5 i aleancës, e garanton mbrojtjen e tyre. Kjo të lë të kuptosh se ata u besojnë Shteteve të Bashkuara më shumë sesa NATO-s”, thotë Andrey Kortunov, Drejtor i Këshillit rus për Çështje Ndërkombëtare.

Presidenti Donald Trump ka kërkuar vazhdimisht që anëtarët evropianë të NATO-s të kontribuojnë më shumë në buxhetin e NATO-s. Të mërkurën, Gjermania u zotua që ta arrijë objektivin prej 2 për qind të shpenzimeve për NATO-n, por jo në të ardhmen e afërt.

Në takimin e Londrës priten diskutime të hapura, por tensionet nuk janë gjë e re për aleancën.

Por NATO-ja shpreson që 70 vjetori i aleancës, të jetë një arsye për të festuar./VOA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Krijimi, zgjerimi, kërcënimet

70-vjetori i NATO-s dhe sfidat e aleancës