1. Retorika e fundit serbe, rreth gatishmërisë për “t’u risakrifikuar, në altarin e “djepit, dhe Jerusalemit të vet” (kështu e ka identifikuar ish politika millosheviqiane, Kosovën!), pra, “djepit” me gjithsej 3/4% serb (!), është edhe një blof i radhës, jo për të dëshmuar gatishmërinë e vetë të njëmendët luftarake, por, për ta;
a. përforcuar pozicionin e saj politik dhe diplomatik, karshi presionit të Brukselit dhe Uashingtonit në negociatat që priten të fillojnë, për ta;
b. futur (e më pastaj edhe për ta fituar) në agjendë protokollare, idenë e ndarjes së veriut me mjete paqësore, si edhe për ta;
c. ritestuar e ridëshmuar prezencën e hegjemonisë ruse në Ballkan, që tashmë është në ekspanzion e sipër edhe në nivel kontinental e global.
2. Fatkeqësisht, nga Qeveria në ikje kosovare nuk kemi parë as edhe ndonjë shqetësim të theksuar koncentrik e të duhur rreth kësaj problematike.
Ajo, duket që akoma gjendet në “festimin” e vetëkënaqësisë, dhe përshtypjes së trashëguar nga paslufta, se për këto tema “madhore” duhet të priten instruksione, rekomandime, e këshillime nga partnerët tanë strategjikë (eufemizëm për Uashingtonin)!
Në ndërkohë, as nga Qeveria në ardhje nuk po hetoj ndonjë; projekt hipotetik, kornizë bazike, apo edhe ndonjë interesim të theksuar (përveç idesë publike të Albinit, të margjinalizimit” të Lista “Srpska”) për t’ia lidhur kryet këtij defekti të theksuar politik! Apo kjo do debatohet me LDK-në, pas ndonjë marreveshjeje për reduktimin e ministrive.
3. Duket që gjithë kjo indiferencë e jona qeveritare, ka të bëjë edhe me hendikapin e saj fillestar të krijimit, e i cili do e përcjell edhe qeverinë në ardhje të Kurtit.
Ngase, brenda gjykimeve dhe vendimeve afatgjata strategjike për shtetëndërtimin, Kosova edhe më tej do bartë në “barkun” e saj (“kalin e Trojës”!) pasojat e obstruksionit irracional të Lista “Srpska”.
Të cilët ani pse, hisedar jomeritor dhe pengues aktiv në procesin e shtendërtimit të Kosovës, asnjëherë nuk deshtën të bëhen qytetarë normal të Republikës. Tani, mendoj që duhet testuar sjelljet e tyre me faktin dhe aktin e e të mosqenit të Lista “Srpska” pjesë qeveritare.
Ata duhet të zgjedhin midis obstruksionit irracional, dhe aktivizimit social. Ideja e Albinit, besoj që nuk do krijojë pretekste tjera shtesë për ta fuqizuar opsionin B (të nevojës për asociacionin), por, argumente për nevojën e pjesëmarrjes së tyre aktive në procesin e shtetndërtimit të Kosovës…
Por, kjo ide duhet të analizohet nga të gjitha këndet, në mënyrë që të kemi një pasqyrë reale të (mos)kyçjes së saj në qeverinë Kurti.