MENU
klinika

Gjeniu monstruoz

A është Céline faqja më e errët e historisë?

15.11.2019 - 15:02

      Të lexosh Céline është një përvojë e pashlyeshme, përvojë që nuk lë askënd indiferent. Forca e stilit të tij të rrëmben dhe të magjeps. Vizioni i errët që ai ka për botën është i frikshëm. Sikurse natyra radikale e vërejtjeve të tij të neverit dhe të skandalizon. Si mund të jesh të gjitha këto në të njëjtën kohë? Një gjeni i letërsisë dhe një përbindësh i historisë. Shkroi një roman të shkëlqyer si “Udhëtimi në fund të natës” dhe një pamflet të urryer antisemit “Vogëlsira për një masakër”. Kush është në të vërtetë Louis-Ferdinand Céline? Një gjeni letrar me një stil shpërthyes dhe të pakapshëm, një mendimtar racist dhe ksenofob? Të gjitha njëkohësisht. Skandal që vërtet s’ka ndal! Udhëtimi selinian tej skajnatës mbetet unikal në historinë e shkrimit. Skandal i së Keqes dhe Mjerimit total, pllakosur sheshit jo si befasi të udhës, por si kanun kushtetues i ekzistencës dhe zembrek i vetë qenies./Konica.al

Rasti Céline është shndërruar në rast studimi: citohet sa herë që duam të tregojmë, se deri ku mund të arrijnë lajthitjet e përçudnueshme në punën e një shkrimtari.

Céline, ashtu si Aragoni nuk reshti asnjëherë së menduari për krijimtarinë romaneske, duke iu referuar veprës së Prustit në një mënyrë ambivalente, nga njëra anë duke e kritikuar, nga ana tjetër duke e respektuar. Tamam sikur në fund Prusti dhe ai do ishin dy shkrimtarët e mëdhenj,  që historia e letërsisë franceze do të duhej të mbante mend.

Sa i përket çështjes së fuqisë dhe detyrës së letërsisë, Céline ishte një zëdhënës i flaktë për një vizion militant të romanit, në rastin e tij i kompromentuar me fashizmin. Céline mbajti qëndrim kundër Prustit, të cilin e konsideronte si një shkrimtar të shkëputur, madje synonte të prodhonte me veprën e tij një pushim(…) Besoj se Prusti është, për më tepër, romancieri i vetëm që Céline citon në “Udhëtimi në fund të natës”, madje e citon në një mënyrë mjaft përçmuese, si një shkrimtar të së kaluarës, të cilit i kishte ardhur koha e përballjes me një letërsi të gjallë…”.

Mos vallë kjo është për të provuar të kundërtën, se Zoti ekziston, apo të vërtetojë të kundërtën se nuk ekziston? Romani për Céline flet në tërheqjen e hyjnores, një marramendje që hap për botën bashkëkohore, këtë shpërbërje të gjithë pikave të referimit që dikur i jepnin kuptim botës dhe jetës.

“Gjithçka është e paqartë para se të derdhet në errësirë”, – shkruan Céline.

Louis-Ferdinand Céline mbetet rast unik në letërsinë dhe kulturën franceze. Edhe pas pesëdhjetë vjetësh pas vdekjes, ai vijon të përndjek dhe të ndajë shpirtrat. Ai është shkrimtari antisemit, artisti bashkëpunues, i cili revolucionarizoi gjuhën me “Udhëtimi në fund të natës”, por njëherazi e vuri penën e tij në shërbim të përçudnimit në “Vogëlsira për një masakër”. Pas një udhëtimi zhgënjyes në Rusinë komuniste, Céline merr penën për të shkruar tekstin e tij pamflet: “Mea culpa”.

Céline të rrëmben, të neveritet, të magjeps dhe të skandalizon. Midis gjenisë dhe neverisë, njeriut dhe krijimtarisë së tij, ende nuk janë përcaktuar se deri ku shtrihen caqet.

 

Céline e ndërtoi legjendën e vet në botën e pasvitit 1945, në mërgim në Danimarkë, në vetminë e Meudonit. I vetëdijshëm se ishte në rrezik, Céline u largua nga Parisi në verën e vitit 1944 me gruan, Lucette, dhe macen Bébert. Kapërcyen një Gjermani të shkatërruar, arritën në Sigmaringen, ku kishin mërguar militantë, zyrtarë dhe anëtarë të qeverisë së Vichy, për t’u strehuar përfundimisht në Danimarkë. Mbërthyer nga e kaluara gjatë Pushtimit, Céline burgoset për tetëmbëdhjetë muaj në një burg në Kopenhagë. I dobësuar, i sëmurë, në pritje të gjyqit, shkrimtari filloi të shkruante “Fletoret e burgut”. Shënime, kujtime, aktakuza, copëza trillimesh, Céline ngazëllehet, mbijeton dhe futet në lëkurën e personazhit të tij të ri, të viktimës dhe të persekutuarit./Konica.al

“Ne jemi të përkëdhelurit e Mbretit Mjerim. Ai na zotëron! Kur nuk je i urtë, ta shtrëngon fytin… Rreth qafës janë gishtërinjtë, përgjithmonë, të bezdisin kur flet, fort i kujdesshëm duhet të jesh po të duash të hash… Për hiçgjë ta merr frymën… Eh, kjo nuk është jetë…”.

“Udhëtim në fund të natës”, është një simfoni letrare e dhunës, mizorisë dhe nihilizmit të turpshëm.