MENU
klinika

Mundësitë për zhvillim

A është nafta ‘frymëmarrja’ e ekonomisë shqiptare

12.11.2019 - 08:25

Shqipëria është e pasur në burime si naftë, gaz, qymyr, dru, bitum dhe ka potencial të lartë hidro-energjetik, të cilat kontribuojnë në mënyra të ndryshme për të plotësuar kërkesat për energji në vend.

Shenjat e bitumit ne Shqipëri janë përmendur në mënyrë të tërthortë nga natyralistët romakë dhe grekë, më shumë se 19 shekuj më parë.

Historiku i kërkimit të naftës në territorin shqiptar nis që në periudhën 1903 – 1913, kur Kompania e Përgjithshme Italiane e Naftës(AGIP) kreu vrojtimet e para gjeologjike. Këto studime u pasuan me shpimin e pusit të parë rreth vitit 1918 ne afërsi te Drashovicës. Pusi i parë në thellësi 200 m, pati rezultate shumë interesante për kohën.

Bazuar në rezultatet paraprake të publikuara nga INSTAT, sektori i energjisë dhe burimeve përbënte 5.6% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB-së) në vitin 2015. Sektori i naftës dhe ai minerar së bashku përbënin 3% të PBB-së, ndërkohë që sektori i energjisë elektrike zinte rreth 2.6% të PBB-së.

Eksportet nga sektori nxjerrës u rritën ndjeshëm në 96.7 miliard Lek ose 39% të totalit të eksporteve deri në vitin 2013. Më pas u ulën në 24% të totalit të eksporteve ose 57.9 milardë Lek në vitin 2015.

Nafta dhe gazi

Nafta bruto përbënte burimin kryesor të energjisë së prodhuar në Shqipëri. Nafta bruto e prodhuar në vitin 2015 përfaqësonte 60% të energjisë së prodhuar nga burime parësore në vend ndjekur nga energjia elektrike me rreth 24% të energjisë nga burime primare në vend.

Në vitin 2015, sektori i naftës dhe gazit numëroi pesë shoqëri në prodhimin e naftës bruto në pjesën jugore të Shqipërisë dhe katër shoqëri të angazhuara në kërkimin e naftës. Shteti u përfshi në sektor përmes zotërimit direkt të shoqërisë Albpetrol, e angazhuar në kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit.

Albpetrol zotëron të drejta prodhimi, si i licensuar parësor, në të gjitha fushat e naftës të zbuluara deri në vitin 1993. Me qëllim përmirësimin e efikasitetit në prodhim, Albpetrol i ka deleguar të drejtat e tij tek shoqëritë private të naftës nëpërmjet marrëveshjeve hidrokarbure. Prodhimi i naftës bruto është rritur më shumë se dyfish që prej vitit 2003, kur Shoqëritë private të naftës filluan punën në sektor.

Në vitin 2015, Agjensia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), raportoi prodhim të naftës bruto prej 1,279 mijë ton vlerësuar me 325 milionë USD. Bankers Petroleum që operon në fushën naftë-mbajtëse të Patos-Marinzës, gjeneroi rreth 89% të totalit të prodhimit të naftës bruto në vitin 2015. Prodhimi i Albpetrol përbënte rreth 4% të prodhimit total të naftës bruto në këtë vit. Të ardhurat me natyrë fiskale dhe jo-fiskale nga sektori nxjerrës i naftës përbënin jo më pak se 1.1% të totalit të të ardhurave regjistruar në Buxhetin e Shtetit.

Pavarësisht rritjes së prodhimit, numri i punonjësve në këtë sektor u zvogëlua me 21% në pesë vitet e fundit. Kjo rënie erdhi si rezultat i transferimit të operacioneve të prodhimit nga Albpetrol tek shoqëritë private të naftës. Në vitin 2015, sektori nxjerrës i naftës dhe gazit punësoi rreth 3,215 punonjës duke kontribuar me rreth 0.3% në forcën punëtore të përgjithshme të regjistruar sipas INSTAT në vitin 2015.

Albpetrol mbetet punëdhënësi më i madh në këtë sektor në vitin 2014, me rreth 1,995 të punësuar, ose 62% të punësimit total në sektorin nxjerrës të naftës dhe gazit.
Nafta e prodhuar në vend kryesisht eksportohet për t’u përpunuar jashtë vendit. Konsumi i brendshëm për nënproduktet e naftës përmbushet përmes importit.

Eksportet e naftës bruto përbënin rreth 55% të totalit të eksporteve nga sektori nxjerrës në vitin 2015, duke kontribuar në totalin e eksporteve vendase me rreth 13% në po të njëjtin vit.

Plotësimi i nevojave për naftë në vend

Nafta e papërpunuar e prodhuar në vend përfaqësonte 76% të kërkesave të brendshme matur në naftë bruto në vitin 2011. Pas rritjes së veprimtarisë së të licensuarëve private në këtë sektor, prodhimi i naftës u rrit në mënyrë të qëndrueshme me rreth 12% në vit deri në fund të vitit 2014.

Në vitin 2013, prodhimi i naftës së papërpunuar barazoi në masën 98% konsumin e brendshëm matur në nafte dhe e tejkaloi atë me rreth 108% në vitin 2014. Bazuar në këto të dhëna, mund të supozohet se nëse totali i naftës së papërpunuar të prodhuar në vend do të përpunohej në Shqipëri, prodhimi vendas do ishte shumë afër përmbushjes së kërkesave për konsum të brendshëm.

Transporti i naftës

Dy tubacione për transportin e naftës së papërpunuar lidhin terminalin e naftës së ARMOs në Vlorë me rafineritë e Fierit dhe Ballshit si dhe dy rafineritë mes tyre. Të dy tubacionet janë jashtë funksionit për shkak të vjetërimit.

Në total, rrjeti i tubacioneve të naftës ka një gjatësi prej 188 km dhe kapacitet prej 2.5 milion ton në vit.Aktualisht, nafta bruto transportohet me çisterna nga fushat e naftës në portin e Vlorës, nga ku eksportohet për në Itali, Spanjë, Maltë etj.

Shoqëria La Petrolifera Italo-Albanese Sh.a. vepron në terminalin bregdetar për naftën, gazin e lëngshëm dhe derivatet e tjera të naftës në portin e Vlorës, si dhe mundëson magazinimin e naftës së papërpunuar gati për eksport në depozitat e saj në port. Shoqëria ofron një infrastrukturë që mund të mbajë më shumë se dy anije njëkohësisht. Asnjë shoqëri shtetërore nuk operon në këtë sektor.

Struktura të tjera të depozitimit të naftës dhe gazit

Fushat e naftës dhe gazit nga ku janë nxjerrë të gjitha ose një pjesë e rezervave, mund të përdoren si vende depozitimi për gazin natyror për shkak të kushteve të përshtatshme gjeologjike. Kriporet në Dumre janë gjithashtu shumë të përshtatshme për ruajtjen e gazit natyror gjatë verës.

Këto avantazhe gjeologjike të kombinuara me pozicionin gjeopolitik, nuk kishte sesi të mos e bënin Shqipërinë një vend tërheqës për projektin e gazsjellësit.