Një qytetare franceze, Valentine Monnier, ka akuzuar regjisorin Roman Polanski, se e ka përdhunuar. Incidenti i tmerrshëm i përket vitit 1975.
Artistja fotografe dhe ish-modele në New York, ka vendosur të rrëfejë se është përdhunuar, në një kompleks dimëror për ski në Gstaad, Zvicër. Polanski “më goditi me grushte deri në momentin që unë nuk bëra dot më rezistencë. Pastaj më përdhunoi, duke më bërë të përjetojë gjithçka. Isha vetëm 18 vjeç”.
Pasi kërkoi shumë herë mbështetje nga personalitete si Brigitte Macron, apo ministrja Marlene Schiappa, Monnier shkroi: ‘Në vitin 1975, më përdhunoi Roman Polanski. Nuk kisha asnjë lidhje me të, as personale as profesionale dhe sapo e kisha njohur’.
Pasi çdo përgjigje që merrte ishte evazive, apo shmangte çdo përgjegjësi ligjore, për shkak të përshkrimit të fakteve, ajo vendosi të tregojë gjithçka, për të përditshmen “Le Parisien”.
“Vonesa në reagim – ka pohur gruaja – nuk do të thotë, se e kam harruar. Ai moment nuk harrohet asnjëherë, bëhet fantazmë dhe të ndjek, të ndryshon fshehtazi”.
Polanski, 86-vjeçar, është dënuar në 1977-ën, për përdhunimin e minoreneve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vend ku regjisorit nuk i lejohet më hyrja.
Bashkëshortja e tij Sharon Tate, u vra nga Charles Manson në 1969, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa priste një fëmijë. Aktualisht, regjisori jeton në Francë, me gruan e tij të fundit, artisten Emmanuelle Seigner dhe dy fëmijët e tyre.