MENU
klinika

Skenograf i premierës botërore në “Gene Frankel Theater” në Nju Jork

Andis Gjoni me një “Histori të thyer”

10.11.2019 - 10:19

Cila është e vërteta? Ndodh që brenda saj ka më shumë se një të vërtetë të cilat shfaqen dhe fshihen nëpër dhjetra pasqyrime arsyetimesh që copëzohen e shëmbëllehen herë me të vërtetat e herë me të kundërtat e tyre duke krijuar drama të shumëfishta.

Ky është thelbi narrativ i “ Broken Story” ( Histori e thyer ) me regji dhe dramaturgji nga Cindy A.Marion dhe me skenografi të Andis Gjonit.

Një lojë e shpejtë e cila lëviz mbi një intrigë ku zhdërvjelltësia aktoreske rrëfen përmes retrospektivash misteret e një krimi mafioz ndërsa personazhi kyç (Jess), një gazetare këmbëngulëse e ndjek këtë histori kronologjikisht derisa në fund zbulon historinë e jetës së saj të errësuar nga misteri deri atëherë.

I gjithë akti artistik i atyre 80 minutave ku trilli përpin vëmëndjen e publikut gërshetuar me mjeshtërinë interpretative nuk do ta kishte atë shkëlqim pa skenografinë e Andis Gjonit dhe ndriçimin e Brian Aldous. Një përputhje pothuaj matematike me skenarin, përmasat e sallës e cila i dha shfaqjes dimensionin e një perfomance të suksesshme. Koncepti skenografik është bazuar në imazhin e një xhami të thyer me copa të mprehta të shpërndara në të gjitha anët e skenës si nga një goditje fatale, që krijojnë një ndjenjë pasigurie dhe të panjohure po ashtu edhe mprehtësie që të bezdis, të bën kureshtar, një lloj pikture abstrakte që me kalimin e minutave shtjellohet para publikut.

Janë copëza të shpërndara të cilat do mblidhen bashkë nga personazhi i vajzës së re Jess (interpretuar nga Xhesi Ruane) e cila duke i bërë bashkë keto copëza do kuptojë dhe historinë e vetë jetës së saj. Panelet e krijuara në formë trekëndëshash me kënde ekstravagante sipas skenografit – “kishin vështirësi teknike në realizim sepse duhej të ishin jo vetëm të realizuar me cilësi por edhe të ishin transparent në mënyrë që të përçonin imazhin e figurës së shkrimtares Jane Hartman e cila në disa momente shfaqej si hije pas tyre”.

Tejpashmëria i jepte një lloj ftohtësie të qelqtë gjithë ambientit. Në qendër ishte vendosur një derë e kuqe, një kujtesë që pikërisht në atë ambient është derdhur gjak, është dera e krimit prej nga ka hyrë vrasësi por edhe dëshmitarët dhe ajo portë hyrëse është e varur në hapësirën skenike duke i dhënë një tjetër dimension dramës që zhvillohet aty. Cdo lloj kombinimi i ngjyrave është menduar gjatë dhe simbolizon diçka. Edhe stolat rrethorë të kuq pranë tavolinës simbolizojnë njollat e gjakut ende të patharë.

Panelet gri simbolizojnë jetën e pashpresë të personazhit të shkrimtares Xhein (Jane) dhe situatën ku ajo gjendet pa rrugëdalje. Një atmosferë gri e shoqëron herë pas here pjesën duke i futur në mendime shikuesit dhe duke theksuar dramaticitetin e kësaj drame psikologjike.
Rëndesa emocionale që shtjellohej përmes intrigës së fortë që mbante gjallë dramën e një historie që thyhet , mbetet e pathënë , ndërpritet nga shumë faktorë e në fund tronditet nga një krismë në errësirë që duket se zbardh të vërtetën e cila gjithmonë befason.

Elementi që e pasqyron më së miri këtë trill i cili lëviz nëpër ndërgjegjet e trazuara të protagonistëve janë copëzat e paneleve në formë xhamash të thyer. Në pamje të parë duken dekorativë por kur drama ecën nëpër etapat e saj jo kronologjike, panelet në forma trekëndëshash nën efektin fantastik të ndriçimit, ndryshonin ngjyrë, bëheshin transparentë, përtej tyre shiheshin imazhet e aktorëve. Dukej sikur ato copëza xhamash bëheshin ekran i asaj të vërtete me shumë të vërteta brenda, madje ato shndërroheshin në ekrane në momentin kur historia thyhej, kur misteri i vrasjes zbulonte një mister akoma më të thellë që lidhej me mëmësinë e personazhit kryesor.

Efekti i thyerjes lidhte kështu natyrshëm të gjithë elementët e shfaqjes (subjekt, konflikt, lojë, mister, dritë) në një mënyrë sa harmonike e të balancuar po aq edhe abstrakte dhe moderne. Format e çrregullta, të ftohta , të akullta, të ndriçuara, në terr, kanë rastin të lexohen e ndjehen po aq sa dëgjohet dialogu në skenë.


Andis Gjoni vjen me një përvojë të vërtetë arti dhe një background artistik me gene të thella familjare dhe me një karrierë të gjatë skenike gjithashtu, por çdo dalje e re për të do të thotë një krijim dhe një sfidë e re.

I vlerësuar nga kritika e teatrit amerikan me nota shumë pozitive, ai nuk zhgënjeu edhe këtë herë. “Një skenografi shumë e bukur, e një kalibri të lartë” – u shpreh aktorja Amy Fulgham që interpetonte një nga personazhet e dramës.

“Historia e thyer” nga Cindy Marion me skenografinë e artistit shqiptar startoi mbrëmë në mjediset e një teatri të vogël por historik në 24 Bond Street në Manhattan.

E ndërsa mund të flasësh gjerë e gjatë mbi ngjarjen e cila sipas skenarit është nxitur nga një histori e vërtetë, asgjë nuk flet më bukur sesa shtrëngimet e duarve dhe falenderimet që producentët dhe kolegët ia dhuruan njëri – tjetrit pas historisë së thyer që bashkoi artistë dhe spektatorë nën magjinë që vetëm teatri mundet të dhurojë, pa mure që ndajnë por me mesazhe që i ndërlidhin.

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen