MENU
klinika

Detaje të reja dalin në dritë

Atentati ndaj prokurorit/ Me kë drekoi Ndoja para pritës?

02.11.2019 - 08:56

Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e një dite më parë ku mbetën të plagosur prokurori i Durrrësit Arjan Ndoja, shoferi i tij Andi Maloku dhe një person me precedentë të theksuar kriminale Landi Muharremi, i njohur ndryshe si Aleksandër Laho.

Mësohet se para atentatit Ndoja ka qenë duke drekuar me 2 persona të tjerë në një restorant në zonën e plazhit dhe më pas janë larguar nëpërmjet unazës së plazhit dhe kanë rënë në pritë në autorët pikërisht në momentin kur do dilnin në autostradë.

Deri në këto momente janë marrë një pyetje një numër i lartë personash të cilët më pas janë lë të lirë, ndërkohë që ekspertë të laboratorit shkencor janë duke analizuar provat e gjetur në mjetin e braktisur, që konsiderohet si provë e çmuar në duart e grupit hetimor.

Dyshimet paraprake janë se autorët kanë qenë me dy automjete, një prej të cilëve i ka prerë rrugën. Sipas burimeve kanë qenë manovrat e shoferit Andi Maloku, që i kanë shpëtuar jetën Ndojës dhe Lahos.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se nga veprimet e kryera deri më tani është arritur në përfundimit se atentati mund të jetë porositur nga persona të tretë.

Nisur nga trajektorja që ka përshkuar makina e autorëve që u gjet e braktisur në Shkafane të Ishmit është arritur në përfundimin se ata janë larguar përmes kësaj zone duke shmangur rrugën nacionale Durrës- Vorë- Fushë Krujë ku ka një përqendrim të forcave policore dhe një numër të lartë kamerash sigurie.

Grupi hetimor ka marrë pamjet e një sërë kamerash sigurie të cilat po analizohen për të mundësuar shfaqjen e mjetit me të cilin autorët mund të kenë ndjekur veprimet e prokurorit Ndoja i cili bënte çdo ditë vajtje ardhje rrugën Tiranë-Durrës dhe anasjelltas.

Në Durrës vazhdon të ketë një numër të madh forcash speciale të ardhura nga Tirana,RENEA dhe FNSH të cilët kanë vepruar në Durrës deri në Fushë Krujë. Automjeti i gjetur i djegur është dërguar në Tiranë për t’u analizuar.

Pas breshërisë së tetë plumbave makina ka dalë nga rruga, ndërsa të plagosurit janë transportuar me makinë private, një ‘Benz CLS’ që dyshohet se ishin të njohur të të plagosurve. Më rëndë ndodhet shoferi Andi Maloku 30 vjeç, i cili ka marrë një plumb në gjoks dhe ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë.

Ndërsa prokurori Arjan Ndoja dhe Landi Muharremi, që së fundi e kishte ndryshuar emrin në Aleksandër Laho, po marrin trajtim në spitalin e Durrësit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.