Fotografia që tregon një pasaportë jugosllave të shkrimtarit kontrovers austriak, fitues i Nobelit në Letërsi, Peter Handke, ka ngjallur shumë reagime në mediat austriake.
Siç ishte bërë e ditur, në vitin 1999, në kohën e fillimit të rënies së regjimit të Sllobodan Millosheviçit, Handke mori pasaportën e RFJ-së, si dhuratë, krahas shtetësisë jugosllave.
“Këto ishin periudha shumë polarizuese për Handke. Ndërsa pikëpamjet e tij proserbe ishin të njohura në atë kohë, po shpalosej një kapitull i jetës së shkrimtarit, që nuk është bërë publike deri më tani”.
“Më 15 qershor 1999, shtatë ditë pasi emisioni u transmetua, Handke mori një pasaportë RFJ, nga Ambasada e RFJ-së në Vjenë. Pasaportat u lëshohen vetëm shtetasve, duke çuar në përfundimin se Handke është shpallur shtetas i RFJ-së”, – raporton The Intercept.
Lidhur me këtë, mediat austriake kanë “ngritur shqetësimin” nëse Handke, gëzonte gjithashtu, shtetësinë austriake.
“Një pasaportë jugosllave e lëshuar për Peter Handke në vitin 1999, shkaktoi kaos – dhe më në fund, vuri autoritetet në lëvizje. Platforma në internet “Intercept”, kishte raportuar për një pasaportë. Guvernatori krahinor i Carinthia, Peter Kaiser (SPÖ), më pas urdhëroi zyrën rajonale që të ‘kontrollonte situatën’ menjëherë”, sipas Tiroler Tageszeitung.
“Një foto e dokumentit nga arkivi privat i mikut të Handke, Hans Ëidrich, ka qenë në dispozicion për një kohë të gjatë në internet në faqen e internetit të Arkivit të Handke në Bibliotekën Kombëtare Austriake”, raporton ndër tjera, mediumi austriak.
Por, çfarë “i shqetëson” mediat austriake është fakti, nëse shkrimtari gëzon tanimë shtetësi austriake.
Sipas tyre, një përjashtim nga ndalimi i shtetësisë së dyfishtë është i mundur vetëm nëse austriakët që dëshirojnë të bëhen shtetas të një vendi tjetër, kërkojnë leje për të mbajtur nënshtetësinë e tyre austriake, që është e mundur vetëm në raste të jashtëzakonshme.
“Handke, nuk e ka bërë kurrë këtë kërkesë”, citohet të jetë shpjegimi nga autoritetet austriake”.