MENU
klinika

Ofrojnë norma të ulëta interesi

Bankat e vogla ‘joshin’ biznesin

19.11.2019 - 10:01

Bankat më të vogla duket se zotërojnë avantazhin e duhur për të fituar kundër bankave të mëdha. Ofrojnë interesa më të ulëta në kredinë për biznesin.

Analiza e Bankës së Shqipërisë për tendencat në kreditim evidenton se rritja e huadhënies për bizneset është e lidhur edhe me një konkurrencë të shtuar në këtë segment prej bankave relativisht më të vogla.

Në dy vitet e fundit, interesat e ofruar nga bankat e vogla kanë qenë mesatarisht rreth 2.4 pikë përqindje më të ulëta për kreditë për likuiditet dhe 1.3 pikë përqindje më të ulëta për kreditë për investime, krahasuar me interesat e aplikuar nga bankat e mëdha.

Bankat e vogla kanë diktuar trendin e lehtë rënës të normave të interesit për kreditë për likuiditet në dy vitet e fundit. Ndërkohë, në tremujorin e tretë duket se bankat më të mëdha kanë reaguar dhe kanë qenë ato që kanë dhënë ndikimin më të madh në uljen e normave të interesit.

Norma mesatare e interesit për kreditë në lekë dhënë bizneseve private ka shënuar rënie të mëtejshme në tremujorin e tretë të vitit; ajo rezultoi 6.1%, nga 6.4% që ishte në tremujorin e mëparshëm.

Në dy tremujorët e fundit, normat janë shfaqur më të ulëta se në tremujorin e parë dhe se mesatarja e dy viteve të mëparshme, prej 6.7%. Sipas qëllimit të përdorimit, rënie kanë shënuar normat për financimin e nevojave për likuiditet të bizneseve, kryesisht në segmentin e kredive overdraft. Kjo normë rezultoi 6.3%, nga 6.8% në dy tremujorët e parë të vitit dhe nga 7.0% në dy vitet e mëparshme.

Në segmentin e kredive për investime, bankat e vogla kanë aplikuar norma relativisht të qëndrueshme krahasuar me normat e luhatshme të aplikuara nga bankat e mëdha; këto të fundit kanë diktuar edhe rritjen e interesit për kreditë për investime gjatë këtij viti.

Për qëllime të mbikëqyrjes, Banka e Shqipërisë klasifikon si të mëdha ato banka që zotërojnë më shumë se 7% pjesë tregu. Aktualisht, sistemi bankar shqiptar ka katër banka të tilla. Procesi i përqendrimit të sistemit bankar ka prodhuar një numër më të vogël bankash, por me një pjesë tregu më të madhe.

Në fund të muajit shtator, sistemi kishte vetëm një bankë të vogël, ndërsa numri i bankave të mesme, me pjesë tregu më të lartë se 2%, ka arritur në shtatë.

Nëse mbetemi në teori, kjo e bën tregun më konkurrues sidomos , ku ekspozimet dhe rreziqet që banka duhet të marrë përsipër janë më të mëdha krahasuar me kredinë për individë.