“Bankers Petroleum”, kompania më e madhe naftënxjerrëse në vend, ka dhuruar 1 milionë dollarë për banorët e prekur nga tërmeti katastrofik i 26 nëntorit.
Përmes një deklarate, Bankers thekson se këto ditë kanë qenë të vështira dhe traumatike për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Duke shprehur hidhërimin dhe ngushëllimin për viktimat dhe dëmet e shkaktuara nga tërmetet, Bankers njofton se do të ndihmojë në rindërtimin e banesave të shkatërruara.
Kujtojmë që dy ditë më parë, Bankers Petroleum u solidarizua me banorët e prekur, teksa shpërndau ndihma për ta dhe nisi mbledhjen e donacioneve.
“Këto ditë kanë qenë shumë të vështira dhe traumatike për Shqipërinë dhe të gjithë ne që e shohim veten si pjesë e këtij vendi të shkëlqyer. Kemi parë bashkëqytetarë të tronditur dhe të pastrehë, duke kërkuar të dashurit e tyre, duke vajtuar të vdekurit dhe duke kërkuar kuptim në një tragjedi që duket kaq e verbër dhe e rastësishme.
Por ne këto ditë pikëllimi dhe zemërimi kemi parë shumë akte kurajoje dhe mirësie. Ne në Bankers e kemi parë gjithmonë veten si pjesë e këtij vendi. Ne shprehim hidhërimin dhe ngushëllimet tona të thella për viktimat dhe dëmin e rëndë të shkaktuar nga tërmeti.
Me siguri, këto sprova na kujtojnë se ne shpesh jemi më të fortë se sa mendojmë- me ndihmën dhe mbështetjen e njëri-tjetrit. Prandaj, për të ndihmuar në rindërtimin pas tërmetit, Bankers ka vendosur t’i dhurojë qeverisë shqiptare 1 mln USD për rindërtimin pas tërmetit”– thuhet në njoftim.