Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, kreu i PD, Lulzim Basha thotë se duhet të fillojë zbatimi dhe jo të mbetet në letër.
Nga Thumana, zona më e prekur nga tërmeti, Basha përmendi prioritetet, që sipas tij duhen marrë në këtë situatë emergjente.
“Sot kjo gjendje është shpallur, më mirë vonë se hiç. Tani është momenti që gjendja e jashtëzakonshme mos mbetet në letër. Prioritetet janë të qarta:
Së pari, përfundimi i operacioneve të kërkimit dhe nxjerrjes së viktimave.
Së dyti, dhjetëra qindra familje që kanë mbetur pa strehë k anë nevojë për mbështetje reale, nuk mund të qëndrojnë gjatë në çadra. Duhet bërë vendosja e tyre në apartament dhe mbështetja e tyre me një afat minimal 6 mujor.
Së treti, ngritja me shpejtësi e një strukture të mirë pajisur, blerja e pajisjeve, trajnimi i tyre duhet të trajtohet si një emergjencë.
Së katërti, duhet të merren masa për evidentimin e të gjitha objekteve që janë në rrezik.
Së pesti, duhen masa të menjëhershme dhe energjike për të luftuar shokun, stresin dhe panikun. Kjo nuk bëhet me propagandë, por bëhet duke informuar në çfarë situate ndodhet Shqipëria. Cila janë masat që do marrë masa në raste tërmetesh.”- ka konstatuar Basha.