MENU
klinika

Indeksi i zemërgjerësisë

“Bukë e kripë e zemërbardhë”? Ky studim nuk mendon kështu

12.11.2019 - 14:18

Ndër 126 vende të botës, Shqipëria renditet e 105-ta sa i përket indeksit të zemërgjerësisë, të publikuar nga fondacioni CAF, ndër më prestigjiozët në botë për çështjet që lidhen me bamirësinë.

Ky është viti i dhjetë i këtij publikimi. Një vit më parë, Shqipëria performonte më mirë, pasi grumbullonte më shumë pikë. Në rajon, Shqipëria lë pas Serbinë dhe Malin e Zi.

Maqedonia dhe Bosnje Hercegovina kanë parakaluar ndjeshëm Shqipërinë në këtë renditje. Indikatori përllogaritet mbi bazën e tre nën-indikatorëve të tjerë, ndihma çfarëdo ndaj një të panjohuri, bamirësia në vlera monetare si dhe koha e dedikuar ndaj vullnetarizmit.

konica ekonomiakonica ekonomia mobile

Në këtë të fundit, Shqipëria është ndër vendet e fundit në botë, e 107-ta, por në përmirësim të ndjeshëm krahasuar me një vit më parë.

Kur bëhet fjalë për dhurimin e parave, Shqipëria performon disi më mirë, duke u renditur e 75-ta në botë, nga vendi i 62-të i një viti më pare, çka do të thotë se shqiptarët janë bërë më dorështrënguar në harkun e një viti. Sa i përket ndihmës ndaj një të panjohuri, vendi ynë është i 95-ti në botë.

Në terma të përgjithshëm, studimi prestigjioz evidenton se, shqiptarët njohin si zemërgjerësi kryesisht ndihmën monetare, ndërkohë që nuk janë të prirur ndaj vullnetarizmit apo çfarëdolloj ndihme tjetër që nuk përkthehet në para.

Në nivel global si vendi më zemërgjerë renditen shtetet e bashkuara të Amerikës, të ndjekur nga Myanmari dhe Zelanda e re, ndërkohë që tre vendet më dorështrënguara rezultojnë: Yemeni, Greqia dhe Kina.