MENU
klinika

Shifrat nga BSH

Rritet punësimi, sektorët që ndihmuan

20.11.2019 - 09:22

Turizmi, industria, ndërtimi e bujqësia mbështetën rritjen e punësimit, në tremujorin e II-të 2019. Treguesit bazë të tregut të punës vijuan të përmirësojnë dinamikën e tyre në tremujorin e dytë të vitit 2019.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, punësimi në ekonomi përshpejtoi ritmet e rritjes vjetore, në 3.4%, nga 1.4% një tremujor më parë.

Edhe në terma tremujorë, numri i të punësuarve shënoi ritme më të larta rritjeje, rreth 2.1%, nga 0.6% në tremujorin e mëparshëm.

Sipas Bankës Qendrore, rritja më e shpejtë e punësimit u mbështet nga të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë. Sektori i shërbimeve mbetet kontribuuesi kryesor në rritjen e punësimit në total, i ndjekur nga sektorët e industrisë dhe ndërtimit.

Në linjë me dinamikën e shfaqur të punësimit është edhe rritja e shkallës së
pjesëmarrjes në forcat e punës, e cila rezultoi 69.8% në tremujorin e dytë, rreth 0,8% më e lartë se niveli i një tremujori më parë.

Gjithashtu, rritja e punësimit vazhdoi të shoqërohet me rënien e mëtejshme të shkallës së papunësisë. Prirja rënëse e këtij treguesi vijon të përcaktohet kryesisht nga zhvillimet në kërkesën për punë.

Shkalla e papunësisë vijoi të bjerë në nivele të ulëta historike në tremujorin e dytë, rreth 11.5%. Ecuria rënëse e saj, me 0,9% në terma vjetorë dhe me 0,6 % në terma tremujorë, rezultoi e përshpejtuar, vlerëson BSH-ja.