MENU
klinika

Dëmet nga tërmeti

Dëmshpërblim dhe jo vetëm, Veliaj premton rindërtim të shtëpive

26.11.2019 - 12:20

Bashkia e Tiranës deklaron se do të rindërtojë të gjithë shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti i sotëm.

Premtimi është dhënë nga kryebashkiaku Erion Veliaj në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave ku deklaroi se sikurse në rastin e tërmetit të 21 shtatorit, edhe në këtë rast, do të nisë menjëherë rindërtimi.

“Jam i sigurt që siç menaxhuam tërmetin e datës 21, ku në fakt këtë fundjavë bëhemi gati për të hapur shtëpitë e para të reja, me të njëjtin vullnet dhe me të njëjtin njerëzillëk dhe dashuri, do punojmë edhe për shtëpitë e tjera që të sigurohemi që mbaruam ato të tërmetit të parë, të rifillojmë ndërtimet e këtij të dytit , pa humbur fare kohë dhe të sigurohemi që Viti i Ri na gjen në këmbë. Ky qytet që tani po mbush 100 vjet i ka parë të gjitha, ka parë edhe si rrëzohemi dhe rrënohemi, kemi parë edhe si ngrihemi dhe rikuperohemi. U rrëzuam në orën 4 të mëngjesit, ka rëndësi të rikuperohemi sot gjatë ditës dhe në vazhdim”, deklaroi Veliaj.

Veliaj nënvizoi se në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak do të jepet shpërblimi edhe për 500 familjet e prekura nga tërmeti i shtatorit.

“Dua që të njoftoj se do kemi një mbledhje emergjente të Këshillit Bashkiak, ku kemi planifikuar kalimin e 500 pagesave për 500 familje të dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit. Me shumë gjasë janë familje ose janë ato shtëpi që janë ridëmtuar, ndaj ndihma sot në kesh, në para vjen në momentin e duhur për t’iu gjendur pranë këtyre familjeve, 500 familjeve të Tiranës”, tha Veliaj.

Prej orës 4 të mëngjesit të sotëm të gjitha ndërmarrjet dhe forcat e emergjencave të Bashkisë Tiranë janë në terren për ti ardhur në ndihmë qytetarëve dhe familjeve të dëmtuara nga tërmetet orëve të fundit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mblodhi pak më parë Shtabin e Emergjencave ku bëri dhe një përmbledhje të situatës së krijuar në territorin e bashkisë, ndërsa theksoi se të gjitha forcat e bashkisë janë shpërndarë në gjithë territorin për ti ardhur në ndihmë atyre që kanë nevojë.

“Ne nuk kemi në dorë tërmetet dukuritë natyrore por kemi në dorë si përgjigjemi. Fakti që sot gjithë Bashkia ka që në orën 4 të mëngjesit operative dhe me fokus tek njerëzit, solidariteti me ta është pjesë e kësaj përgjigje. Do të doja shumë që sot të kalonim gjithë ditën në terren. Unë do u bashkohem në të gjithë njësitë dhe të bënim një vlerësim sa më të shpejtë që të kemi mundësi dhe të përgjigjemi sa më shpejt atje ku duhet dhe ku është edhe nevoja më imediate”, tha Veliaj.

Ai theksoi se për fat të mirë në Tiranë nuk ka pasur viktima me humbje jetësh, ndërsa janë regjistruar vetëm të lënduar dhe dëmtime materiale në banesa, godina të tjera shërbimi apo edhe orendi shtëpiake.

Për këtë ai theksoi se do bëhet një skanim i të gjitha ndërtimeve të dëmtuara.

“Duke qenë se shkollat, kopshtet e çerdhet janë anuluar kam kërkuar që grupi i punës i drejtuar nga Fetiu të bëjë një skaner të të gjithë godinave. Na rezultojnë dëmtime minimale megjithatë do përfitojmë nga anulimi i shkollës sot dhe ditë te pushimit që janë përpara, që ne të shfrytëzojmë maksimalisht sjelljen e shkollave në gjendjen optimale dhe për të mos marrë asnjë risk. Më rezulton shkollat publike, nuk kemi shembje por kemi problematika në disa shkolla private. Dua pavarësisht se ato janë me pronar privat, aty shkojnë fëmijët e Tiranës, ndaj dua edhe një vlerësim nga ju, edhe tek një ose dy shkolla private që janë raportuar të dëmtuara dhe pastaj edhe një planifikim që këta nxënës të përdorin shkollat publike”, u shpreh Veliaj.

Gjithashtu ai bëri të ditur se të gjitha qendrat sociale të bashkisë janë të hapura për të pritur çdo person i cili ka nevojë për ndihmë dhe strehim.

“Kemi hapur qendrat sociale në Tiranë, do i mbajmë të hapura 24 orë. Unë do vij vetë të vizitoj disa nga qendrat, do i japim përparësi sidomos të moshuarve, atyre që janë, sidomos familje të vetmuara, do të doja t’u bëja thirrje të gjithë qytetarëve që për të gjithë të moshuarit që kanë në komunitetet e tyre të bëjnë një kontroll”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku bëri të ditur se janë urdhëruar të gjitha emergjencat që menjëherë sapo të bëhet evidentimi i situatës të nisin edhe shpërndarja e ndihmave.

“Dua që të hapet rezervat e qytetit, ndaj në momentin që ne kemi identifikuar nevojat, rezervat e qytetit bëjnë një shpërndarje në të gjithë familjet, sidomos në zonat e fshatit. Ne të gjithë flasim për ndërtime, por në fakt dëmi më i madh janë ndërtimet e vjetra, s’kemi pasur tek ndërtimet e reja, ndaj ndërtimet e vjetra në fshat dhe ndërtimet e vjetra të kohës së viteve para ’90 janë ato që kanë edhe dëmtime të mëdha. Me hapjen e rezervave çfarë ka nevojë, krevate, batanije, ushqime, ne të jemi në supergatishmëri”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"28 persona nxirren nga rrënojat"

Rama: Do vijojnë kërkimet me durim e imtësi


“Fajin për djegien e mandateve e marr unë, por…”

Monika Kryemadhi: Nuk më rruhet fare as për SPAK-un dhe as për burgun!

Kreshnik Spahiu reagon ashpër: Ai do të nxjerrë që ky nuk ka lidhje fare me historinë e...

Krisje mes çiftit/ “Meta dhe Kryemadhi po aktrojnë një “film luftash” nga halli që i ka zënë