MENU
klinika

"Jemi pranë çdo familjeje të dëmtuar"

Dëmtimi i bansave, ngrihet kamp akomodimi për banorët e Vorës

29.11.2019 - 21:08

Në Bashkinë e Vorës, lëkundjet e tërmetit shkaktuan dëmtime në banesa, por edhe në disa prej pallateve. Pas vlerësimit të bërë nga ana e inxhinierëve të Institutit të Ndërtimit, këto banesa janë konsideruar si të pabanueshme.

Për t’ju ardhur në ndihmë këtyre banorëve, me ndihmën e skuadrave të emergjencave civile, të ardhura nga Italia është bërë e mundur ngritja e një kampi, në qytetin e Vorës, ku janë sistemuar provizorisht qytetarët, banesat e të cilëve janë bërë të pabanueshme si pasojë e tërmetit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila drejtoi aksionin për ngritjen e kampit, tha se bëhet fjalë kryesisht për banorët e pallateve në qendër të Vorës, të cilët tashmë janë bërë të pabanueshëm, ndërsa sa i takon banorëve të zonave rurale, ministrja tha se u janë ofruar çadra strehimi, për shkak se nuk kanë pranuar të largohen nga banesat e tyre pavarësisht dëmeve që kanë pësuar.

“Me mbështetjen e emergjencave civile italiane, të cilat na kanë ndihmuar shumë edhe në kampet e tjera që kemi ngritur, sot po mundohemi që të sistemojmë një grup të madh të qytetarëve të Vorës. Ndërkohë përsa i përket banorëve të zonave rurale do të mundohemi që t’i akomodojmë në oborret e tyre, pasi banorët e zonave rurale kanë dhe bagëti dhe nuk dua të largohen nga banesat e tyre, për këtë arsye ata do të trajtohen me çadra individuale për çdo familje”, u shpreh Balluku.

Ministrja njoftoi gjithashtu se grupeve të inxhinierëve të Institutit të Ndërtimit do t’ju bashkohen edhe inxhinierë nga vendet e tjera të Europës, për të përfunduar sa më shpejt procesin e vlerësimit të gjendjes së ndërtesave.

“Duke filluar që sot grupe inxhinierësh po vijnë në Shqipëri nga gjithë Europa për t’ju bashkuar grupeve të inxhinierëve tanë të cilët ndodhen në terren, kudo për të mbyllur sa më shpejt pjesën e akt-inspektimeve, që të mos kemi asnjë qytetar, i cili do jetë në rrezik për jetën për shkak të banesave të cilat nuk janë më në kushte për të jetuar njerëz brenda”, theksoi Balluku.

Në kampin e ngritur parashikohet të akomodohen rreth 200 qytetarë të Vorës. Çadrat e vendosur janë të një cilësie të lartë çka do të mundësojë kushte optimale për të kaluar këtë periudhë tranzitore.