MENU
klinika

Reagon sërish Haradinaj

“Do ishte gabim të hiqej taksa ndaj Serbisë pa e njohur Kosovën”

05.11.2019 - 20:49

Kryeministri i Kosovës ende në detyrë Ramush Haradinaj deklaroi se do të ishte gabim i madh nëse do të hiqej taksa ndaj Serbisë pa njohur kjo e fundit pavarësinë.

Haradinaj vlerësoi se taksa e vendosur një vit më parë ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake, ka qenë e dobishme për ekonominë e Kosovës dhe konsolidimin e shtetit.

“Unë e pëlqej idenë e reciprocitetit, por nuk duhet të ketë implikim në taksë, le të mbetet taksa, sepse me Serbinë ky është një dënim. Të vendoset reciprociteti për aspekte të tjera, sepse ka edhe aspekte të tjera. Mirëpo, nuk e kuptoj pse duhet hequr taksa. Pra, habitem me qëndrimin e kujtdo që i kthen mallrat serbe ose e pushton Kosovën ekonomikisht nga Serbia pa e marr njohjen. Është një gabim kapital politik dhe kushdo që shkon asaj rruge do të bëjë gabim të madh, vendit dhe proceseve”, deklaroi Haradinaj.

Qeveria Haradinaj nëntorin e vitit të kaluar vendosi masën 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, duke thënë se taksa do të hiqet vetëm pasi të njihet Kosova.