MENU
klinika

Dallimet

Duke njohur besën e lashtë ilire dhe thrake

10.11.2019 - 07:50

Në brendësi, mes vargmaleve në veri dhe perëndim, një gjendje e ndryshme u përftua. Në këto visore të egra, madje edhe në qytete, helenizimi asnjëherë nuk u përfundua.

Ndikimi grek, edhe pse ishte i dorës së parë dhe një forcë e fortë qytetëruese, duhej të përfytej me popullatat fisnore gjithnjë në lëvizje dhe aleancat kulturore përtej kufijve të Maqedonisë.

Ato ishin parësisht ilire në perëndim dhe veri dhe thrake në lindje.

Mungesa e letërsisë ilire ose thrake e bën skajshmërisht të vështirë çfarëdo vlerësimi të kontributeve të tyre kulturore, por sigurisht që ishte larg prej të qenurit negativ.

Skimni i Kiosit, duke shkruar një shekull përpara fillimit të erës së krishterë, i quante ilirët ‘një popull fetar, të drejtë dhe mikëpritës ndaj të huajve, të prirur për të qenë të lirë dhe për pasur një jetë të rregullt dhe të fisme’.

Të tjerë historianë bashkëkohorë grekë apo romakë janë më pak komplimentues, apo më shumë të anshëm. Një gjë për të cilën nuk ka dyshim është se gratë kishin një status veçanërisht të leverdisshëm në shoqërinë ilire; një mbretëreshë, Teuta, ishte një nga udhëheqëset kryesore të rezistencës ilire kundër romakëve.

Derisa historianët, për fat të keq, na lënë në errësirë për natyrën e fesë tek ilirët, të tjera dëshmi, përfshirë edhe tatuazhet në pjesët më primitive të Shqipërisë, sugjerojnë për një kult të fortë të adhurimit të diellit dhe hënës. Më vonë, gjatë dy ose tre shekujve të parë të erës së krishterë, mithraizmi ka ushtruar një forcë veçanërisht tërheqëse në viset ilire.

Thrakët janë tubëzuar bashkë me ilirët nga historianët grekë dhe romakë si popuj që bënin tatuazhe në trupa dhe ofronin flijime njerëzore, që donin këndimin, luanin me fyell, vallëzonin dhe luftonin.

Në doket e tyre shoqërore, thrakët duken të jenë më të ngjashëm me skithët. Feja e tyre, ngërthente një shqetësim të fortë për jetën e ardhshme.

Për dallim nga feja ilire, ajo ushtroi një ndikim më të gjerë dhe të drejpërdrejtë mbi pushtuesit romakë, dhe forma të romanizuara të një prej aspekteve të saj qenësore, Gjuetari Heroik ose Kalorësi Thrak, shfaqen në stelat funerale përgjatë Maqedonisë qendrore dhe lindore, madje në veri deri në Viminacium në Danub afër Beogradit. /konica.al/

Përktheu:
Salih Mehmeti | Konica.al

Shkëputur nga Ralph F. Hoddinott, Early Byzantine Churches in Macedonia and Southern Serbia: A Study of the Origins and the Initial Development of East Christian Art, Macmillan, 1963, f.50

Misteret e emërimit dhe shkarkimit në janar ‘82

Fakti që s’e kemi ditur: Kadri Hazbiu 15 ditë kryeministër

Mbreti Zog priti Dr. Frigione në audiencë ku i dorëzoi dekoratën e lartë

Historia e panjohur e Bankës Kombëtare Bujqësore në Shqipëri

“Tereza e Bekuar e Kalkutës”

27 vite nga vdekja e Shën Nënë Terezës