MENU
klinika

Të dhënat e fundit minutë pas minute

E “marta e zezë”/ Bilanci tragjik, vazhdon operacioni i shpëtimit

26.11.2019 - 04:20

Ora 21:35/ Familja Abazi në Kosovë që humbi djemtë në Durrës, ka një tjetër histori tragjike

Ishin nisur dje në mëngjes për në Durrës. Aty do të shkonin për disa ditë me qëllimin që t’i kryenin disa punë. Por, dy vëllezërit nga fshati Livoç i komunës së Gjilanit patën fatin e keq mbetën nën gërmadhat e hotelit në Durrës ku po qëndronin pas tërmetit të tmerrshëm i cili e goditi mbrëmë Shqipërinë duke gjetur kështu edhe vdekjen. Familja Abazi për vite u përcoll nga histori tragjike. Asaj vite më parë iu shua edhe një djalë.

“Express” iu sjellë rrëfimin e dhimbshëm nga Livoçi i Gjilanit. Mbijetesën po e siguronin nga punët që kohë pas kohe po i kryenin si mekanikë në Shqipëri. Me këto punë, dy vëllezërit tashmë të ndjerë Shemsedin e Isa Abazi, njëri 32 e tjetri 29 vjeçar po merreshin një kohë të gjatë. Por e hëna doli të jetë fatale për këta dy vëllezër. Ata ahstu si mijëra shqiptarë të tjerë u goditën mbrëmë rreth orës 04:00 pas mesnate nga një tërmet me magnitudë prej 6.4 shkallë të rihterit duke mbetur kështu nën gërmadhat e hotelit ku po qëndronin.

Për fatin e tyre nuk u ditë asgjë për më shumë se 15 orë. I pari pa shenja jete u gjet Isai, 29-vjeçar. Më pas, i vdekur u gjet edhe vëllai i tij, Shemsedini 32-vjeçar. Gazeta Express, sot ka qëndruar në shtëpinë e këtyre dy vëllezërve në fshatin Livoç të Gjilanit. Ata janë të shokuar nga e gjithë kjo ngjarje e rëndë.

“Nuk po duam të besojmë se ata janë djemtë tanë. Kjo nuk është e mundur. Thjeshtë nuk mund që të jenë ata”, flasin nën lot familjarët e dy vëllëzërve tashmë të ndjerë.

Ata tregojnë se Shemsedini e Isai, kishin shkuar për punë në Durrës. Këta të dy kanë lënë pas edhe fëmijë, njëri katër tjetri dy.

Familjet e të ndjerëve jetonin në kushte të rënda sociale. Por kjo familje para shtatë viteve është përballur me një tragjedi tjetër. Djali i tyre ishte therë me thikë në një pishinë ku nga plagët kishte ndërruar jetë. Tash në familjen Abazi ka mbetur vetëm një djalë i cili do të përkujdeset për të gjithë anëtarët e tjerë.

Por çka dihet deri më tani për tërmetin vdekjeprurës që e goditi mbrëmë Shqipërinë. Deri më tani të paktën 20 persona kanë humbur jetën dhe mbi 600 janë lënduar nga disa tërmete të fuqishme që kanë goditur Shqipërinë. Sipas emergjencave civile, si pasojë e tërmetit kanë humbur jetën 20 persona nga shembja e pallateve, ndër ta edhe dy të mitura. Po ashtu, bëhet e ditur se rreth 40 persona janë shpëtuar deri më tani nga rrënojat në Durrës dhe Thumanë.

Tërmeti i parë i fuqishëm i magnitudës 6.3 goditi Shqipërinë rreth orës 03:50 të ditës së martë dhe kishte epiqendrën në Detin Adriatik, 40 km larg kryeqytetit, Tiranës dhe 10 km në veri të Durrësit. Lëkundje të tjera më të lehta janë ndjerë pas tij. Një tjetër tërmet i fuqishëm është regjistruar në orën 7:10 me magnitudë 5.4.

Ndërkohë, ekipe të shpëtimit nga të gjitha vendet e rajonit janë nisur për në Shqipëri për t’i dalë në ndihmë vendit. Njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë së Kosovës u janë bashkuar autoriteteve në Shqipëri në operacionet e kërkim shpëtimit.

Gjithashtu, misionet e huaja të emergjencave civile nga Gjermania, Italia, Franca, Zvicra dhe Greqia kanë filluar të arrijnë në Shqipëri për të ofruar ndihmën e tyre.

Ora 21:26/ Të shpallura të pabanueshme, kjo është lista e banesave

Është publikuar lista e të gjithë pallateve dhe banesave të pabanueshme në Durrës, pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter. Bashkia e Durrësit njofton se në total janë 27 pallate dhe 163 banesa të pabanueshme.

Zona Shkembi Kavajes
1. Pall. Besnik Qoshja pall. 62, rr. Iliria
A. Carje muresh
B. Plasaritje fasade
C. Konsteuksioni ok, vetem ka cedim te lehte kafazi i shkalleve.
D. Ka leviz drejtimi i pallatit dhe ka shtypje muresh ne krahun lindor

2. Pall. 61, rruga Iliria Aurel Toska 0672511828
A. Konstruksion ok
B. Carje muresh ne fasaden jug dhe te brendshem.

3. Pall. 63, rr. Iliria
A. Konstruksioni ok
B. Ka levizje ne drejtim qe ka krijuar shtypje e carje muresh te brendshen dhe fasade.

4. Pall. 64, rruga Iliria Restorant Troplini.
A. Ka carje muresh.
B. Ka levizje qe ka krijuar carje e rrudhim muresh.
C. Ka carje ne konstruksionin e shkalleve.

5. Pallati 60, rr. Iliria, Ramazan Dollaku 0682027366
A. Levizje niveli
B. Carje muresh
C. Konstruksioni ok.

6. Vila 59, rruga Iliria, Ramazan Dollaku 0682027366
A. Carje muresh
B. Konstruksion ok

Pall. 58 jeshil. Rr. Iliria
A. Plasaritje fasade
B. Plasaritje muresh
C. Ka leviz drejtimi duke krijuar carje dhe rrudhosje
D. Ka plasaritje te shkalleve.

Benilva 1 dhe 2
A. Carje muresh
B. Plasaritje fasade
C. Konsteuksioni ok

Hotel Rinia
A. Carje muresh
B. Plasaritje fasade
C. Konsteuksioni ok

Hotel Belkonti
A. Ok

Belvedere bamboo para hotel marine
Valter Cakerri +355686122186
A. Ka nje kollone te thyer.
B. Plasaritje fasade
C. Konsteuksioni eshte ok pervec 1 kollone ne cep te thyer.

Vila Daniele
Nikolla Comashi 0682187980
A. Ka kollona te demtuara qe jane thyer.
B. Carje muresh
C. Plasaritje fasade.
E pabanueshme

Inn Hotel, Nuredin Salillari, 0695313965
A. Carje muresh
B. Plasaritje fasade
C. Ka nje kollone ne kuzhine te plasaritur

Arben Brameta ish hotel titanik
A. Ka kollona te thyera dhe mund te rrezohet duke demtuar pallatin tj.

Krenar Sulaj, pallati Big Market, 0699199083
A. Konstruksion i thyer.
B. Plasaritje fasade
Nuk mban asnje person brenda dhe eshte me rrezik per objektet e tjera

Ismet Beqiri, 0696424135
Pallati me thyerje kosntruksioni
A. Jane 4 pallate te pariparueshme qe jane rrezik per tjeret.

Nikoleta Cako, 0697665505
Pallat i banuar
A. Ka demtime te mureve
B. Ne katin 0 ka thyerje te shkalles.

Gezim Deliallisi, 0697459752
A. Konstruksion i thyer i kollonave
Objekt ne rrezik

Ora 21:18/ Shpëtoi gjallë nga rrënojat, ndërron jetë pas pak orësh 30-vjeçarja

Ka ndërruar jetë vetëm pak orë pas nxjerrjes nga rrënojat nëna 30-vjeçare në Durrës, Diana Meçe.

Ajo u shpëtua nga forcat speciale RENEA pas 14 orësh nënë rrënoja në një pallat 6-katësh, ndërsa pak orë më parë prej aty ishte nxjerrë e vdekur vajza e saj e mitur 8-vjeçe.

Vdekja e 30-vjeçares në spital e çon në 22 numrin e viktimave nga tërmeti, ndërsa vijojnë kërkimet për nxjerrjen e të tjerë personave, që ndodhen ende nën rrënoja.

Ora 20:56/ Gjendje e jashtëzakonshme? Rama: Vendos nesër

Kryeministri i vendit, Edi Rama pasi vizitoi të plagosurit te Spitali i Traumës u pyet nga gazetarët se a do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme.

Shefi i qeverisë theksoi se nesër do të vendosë për këtë, edhe pse shtoi se sensibilietit i miqve të Shqipërisë i sotëm ka qenë për t’u përshëndetur.

“Është e çuditshme që e dëgjoj këtë pyetje nga mëngjesi deri në darkë, nuk ka kuptim sot, çfarë do të thotë? Akti formal i gjendjes së jashtëzakonshme nuk është se sjell më shumë sesa ka sjellë i gjithë ky solidaritet. Natyrisht nesër është dita për të menduar të gjitha edhe këtë që po thoni ju, nejse, ju jeni të pafajshëm.

 

Ne do i vlerësojmë të gjithë, por një gjë është e sigurt, këta njerëz do të trajtohen në mënyrë dinjitoze nga strehimi. Nuk kemi pasur kohë të mendojmë për aspektet formale, kemi dhënë dhe po japim gjithçka.

Ditën dhe natën nuk jemi Franca, Gjermania, as Greqia dhe Italia që kanë eksperienca të gjata në këto sfida, por më lejoni të jem mirënjohës i gjithë ky solidaritet”, -theksoi kryeministri.

Gjithashtu Edi Rama theksoi se tragjedia e sotme duhet të shërbejë si rast reflektimi për të gjithë duke kuptuar se jeta shkon përtej zhurmës.

“Është një rast i mirë për të kuptuar që kemi bërë shumë gam gam, dhe kemi harruar që jeta është pak më ndryshe se gam gami i përditshëm. Unë u siguroj se sikur bëmë me të gjitha familjet në Korçë do të bëjmë edhe tani, janë shumë.

Ne do të dalim më të fortë nga kjo histori, por fatkeqësisht nuk do të dalim të gjithë, pasi disa nuk janë më. Është një moment i rëndë, krizë reale, jo artificiale, por edhe moment për t’u bërë pak më të mirë dhe njerëzor nga ky leksion jete”-tha ai.

Ora 20:44/ Gjendja e emergjencës/ Mbërrijnë edhe dy avionë nga Turqia dhe Zvicra

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla dhe ambasadori i Rumanisë në Tiranë, Mircea Perpelea kanë pritur në aeroportin e Rinasit mbërritjen dy avionëve Hercules të ushtrisë rumune, me 52 specialistë për situata katastrofash natyrore, të pajisur me pajisje kërkimi nën rrënojat e ndërtesave.

Përmes një postimi në rrjetin social facebook numri dy i PS-së, Balla deklaron se menjëherë pas mbërritjes skuadrat e kërkimit u nisën për të ndërhyrë në Durrës.

Gjithashtu Balla bën me dije se sapo mberritën në Rinas edhe dy avionë nga Turqia dhe nga Zvicra.

Ashtu si dhe Kryeministri Rama edhe Balla ka falenderuar partnerët e Shqipërisë për Solidaritetin e treguar

Postimi i plotë i Taulant Ballës:

Mberrijnë në aeroportin e Rinasit dy avionë Hercules të ushtrisë rumune me 52 specialistë për situata katastrofash natyrore, të pajisur pajisje kërkimi nën rrënojat e ndërtesave.

Bashkë me Ambasadorin rumun Perpelea u shpjeguam skuadrave situatën dhe domosdoshmërië e vijimit të kërkimeve gjatë natës nën rrenojat e ndërtesave të shkarruara. Skuadrat u nisen ndërkohë për në Durrës. Po ashtu sapo mbërriten edhe dy avione nga Turqia dhe nga Zvicra.

Ora 20:24/ Rama te Trauma: Ditë e rëndë për kombin shqiptar

Kryeministri i vendit, Edi Rama, teksa ka vizituar të plagosurit e tërmetit në Spitalin e Trumës, ka folur para mediave, ku tha se nata e djeshme ishte nata më e keqe për të gjithë kombin shqiptar.

Ai përgëzoi të gjithë strukturat që kanë dhënë ndihmë në terren, por edhe përpjekjet heroike të bluzave të bardha, të cilat me orë të tëra dhe pa pushim po punojnë për të shpëtuar jetën e të plagosurve.

“Ka kaluar nata me e keqe që s’mbahet mend për të gjithë kombin shqiptar. Fatkeqësisht kanë humbur jetë njerëzish, por kjo ditë ka pasur lehtësimin shpirtëror nga jo pak jetë të shpëtuara dhe kjo ditë ka qenë, dita e e gjithë atyre njerëzve të zakonshëm që me uniformën e policisë së shteti, urgjencës, zjarrfikëseve apo edhe uniformave nga trupat e ardhura nga Kosova kanë ndihmuar.

Kanë qenë të gjithë elementë të kësaj dite. Bluzat e bardha vazhdojnë të jenë në krye të detyrë për të shpëtuar jetë njerëzish për të lehtësuar traumën. Bilanci i humbjeve nuk ka përfunduar. Kjo ka qenë një ditë sa e rëndë aq e mbushur me emocione për shkak të solidaritet të të gjithë shqiptarëve dhe të miqve të këtij vendi që janë ngritur në këmbë, që nga Italia, Greqia , Franca, Turqia, Gjermani, Kroacia.

Miqtë në rajon. Por dhe Rumania dhe Zvicra. Ambasadat, që në ditët e fundit i kemi në një shënjestër që na turpëruan të gjithëve, sot që në mëngjes herët në emër të SHBA dhe BE-së na kanë shprehur gatishmërinë e tyre. Më vjen mirë që mund ta them tani, qeveria ka bërë maksimumin, menjëherë në terren të gjithë ministrat. Është surreale që të flasësh më presidentin e Francës përballë një gërmadhe në Durrës, apo të Greqisë kur je përballë një tjetre, apo Italisë. E them për të treguar gatishmërinë.

Po punojmë për atë që vjen nesër, do të jetë ditë zie kombëtare. Do të fillojmë për të realizuar të gjithë procesin e kalimit të njerëzve pa çati dhe që refuzojnë të futen në palestër. Sot kam punuar në këtë drejtim me kolegët për të ndërtuar një marrëveshje me operatorët turistikë për hotelet në bregdet. Duhet të rindërtojmë gjithcka të kthejmë njerëzit në shtëpi të reja të forta dhe koha nuk pret”-tha Rama.

Ora 20:01/ Tërmeti apokaliptik, Ilir Meta anulon pritjet e programuara për Ditën e Flamurit

Pas tërmetit shkatërrimtar në Durrës dhe në Thumanë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka anuluar të gjithë pritjet e programuara me rastin e Ditës së Flamurit dhe të Festës së Pavarësisë.

Kujtojmë se qeveria vendosi të shpallë të enjten si ditë zie kombëtare në nder të viktimave të tërmetit.

“Nisur nga situata e rëndë e fatkeqësisë natyrore që goditi vendin tonë dhe që për fat të keq shkaktoi humbje jetësh të qytetarëve, plagosje dhe dëme të jashtëzakonshme materiale si dhe nga rëndësia prioritare e përqendrimit të të gjitha forcave e energjive për të përballuar pasojat katastrofike të kësaj tragjedie, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Sh.T.Z. Ilir Meta ka vendosur të anullojë Pritjen Shtetërore organizuar me rastin e ditës së Flamurit dhe Festës së Pavarësisë planifikuar për në datën 28 nëntor 2019 në orën 19:00, në Pallatin e Brigadave, Tiranë”-thuhet në reagimin e Presidencës.

Ora 19:10/ Nxirret një tjetër person pa shenja jete nga rrënojat në Durrës

Ka shkuar në 21 numri i viktimave në vendin tonë, si pasojë e tërmeteve. Një tjetër person pa shenja jete është nga rrënojat në pallatin 6 katësh në lagjen numër 18 në qytetin e Durrësit. Viktima dyshohet të jetë i seksit mashkull. Ai ka qëndruar për më shumë se 14 orë nën rrënoja.

Ora 18:40/ Humbi vajzën e mitur nën rrënoja, RENEA shpëton nënën 30-vjeçare në Durrës

Forcat RENEA kanë shpëtuar një tjetër persona nga rrënojat në Durrës. Policia njofton se është nxjerrë e gjallë një 30-vjeçare nga rrënojat e një pallati 6-katësh. Ndërkohë, rreth dy orë më parë RENEA ka nxjerrë të pajetë nga rrënojat vajzën e saj të mitur 8-vjeçare.

Ora 18:25/ Qeveria shpall 27 Nëntorin ditë zie kombëtare

Qeveria ka vendosur që datën 27 nëntor ta shpallë ditë zie kombëtare dhe flamuri të ulet në gjysmë shtizë. Të njëjtin vendim ka marrë dhe qeveria kosovare duke e shpallur ditën e nesërme ditë zie kombëtare.

Ora 18:10/ 20 viktima, nënë e bir, nxirren pa jetë nga rrënojat në Thumanë

Ekipet e shpëtimit sapo kanë nxjerrë nga rrënojat 2 trupa të tjerë të pajetë, duke e çuar numrin e viktimave në 20. Ata kanë qenë së bashku të identifikuar dhe mësohet se janë nënë e bir. Mësohet se viktima e 18 e raportuar ishte një grua, e cila u prek nga operacioni i kërkim shpëtimit në Thumanë, por është e vështirë ta nxjerrin pasi panelet e betonit i kanë zënë pothuajse gjithë trupin.

Ora 16:55/ Nxirret e pajetë nga rrënojat balerina e një lokali në Durrës, 17 të vdekur

Në hotelin “Miramare” në Durrës është nxjerrë nga rrënojat një vajzë. Sipas të dhënave, vajza në fjalë punonte si balerinë në lokal tallavaje. Ajo është Evi Kardashi. Numri i viktimave ka shkuar në 17, pasi është nxjerrë nga rrënojat e hotel Tropikal në Durrës një 24-vjeçar nga Kosova, ndërsa dyshohet që të jetë nën rrënoja edhe vëllai i tij.

Ora 14:40/Rëndohet bilanci i viktimave, 16 të vdekur

Një tjetër lajm i mirë vjen nga Durrësi. Një i ri është nxjerrë i gjallë nga gërmadhat nga ekipet e kërkim-shpëtimin në zonën e Kavalishencës në hotelin “Mira Mare”. Ai është transportuar drejt autoambulancës nga ku më pas do të transportohet në spital për marrjen e shërbimit të nevojshëm mjekësor .Dyshohet se janë 2 ose 3 persona të tjerë nën rrënoja. Shpëtimi i të riut çon në 43 numrin e të shpëtuarve. Ndërkohë krahas lajmit të mirë nga Durrësi vjen edhe një lajm i keq.

Një tjetër trup i pajetë është nxjerrë, duke çuar në 16 numrin e të vdekurve nga tërmeti 6.4 ballë i regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Ora 14:02/Shqipëria nuk gjen paqe, sërish lëkundje

Shqipëria duket se nuk po gjen paqe, sapo është regjistruar sërish tërmet i forte.

Nga të dhënat që raporton Ministria e Mbrojtjes bëhet fjalë për një tërmet me magnitudë 5 të shkallës rihter, me epiqendër në Kepin e Rodonit. Kujtojme se ne oren 03:54 u regjistruar termeti me i forte 6.3 balle. Më i prekur ka qenë qyteti i Durrësit.Deri tani janë regjistruar 15 viktima, dhe mbi 600 të plagosur.

Ora 13:16/Shpëtojnë prindërit, vajza 17 vjeçare ende nën rrënoja

Nuk kanë fund operacionet e ekipeve të shpëtimit. Në Thumanë, aty ku pasojat e tërmetit janë më katastrofike, vijon të ketë histori suksesi dhe dështimi. E rradhës është rasti i një vajze 17 vjeçare.

Forcat e kërkimit-shpëtimit po kërkojnë të bien në gjurmë të 17 vjeçares e cila ka mbetur ende nën rrënoja ndërsa prindërit e saj kanë arritur të dalin nga banesa edhe pse janë të lënduar.

Ora 12:45/Gjyshja dhe mbesa nxirren të pajeta nga rrënojat

Dy gra nxirren të pajeta nga një pallat në Thumanë. Bëhet fjalë për një vajzë të mitur 3 vjece dhe gjyshen e saj. Raportohet se në këtë familje, kryefamiljari ndodhet në Greqi, ndërsa bashkëshortja e tij bashkë me djalin janë dërguar në spitalin e Traumës. Forcat e kërkim shpëtimit kanë nxjerrë të miturën me batanije, ndërsa familjarët kanë shpërthyer në lot. Ndërkohë operacioni i kërkim shpëtimit vazhdon. Deri tani raportohet për 15 viktima.

Ora 12:37/52 efektivë specialë nga Rumania, skuadra nga 7 shtete drejt Shqipërisë

Më e fundit ndihmë vjen nga Rumania.  Një avion me 52 efektivë specialë për situata emergjencash civile dhe furnizime për përballimin e kësaj situate të vështirë pas tërmetit të fuqishëm është nisur  në ndihmë të Shqipërisë. Në një postim në rrjetet sociale, deputeti socialist Taulant Balla shkruan:

“Solidariteti me Shqipërinë vijon. Qeveria e Rumanisë nis pas pak minutash një avion me 52 efektivë specialë për situata emergjencash civile dhe furnizime për përballimin e kësaj situate shumë të vështirë. #Kurajo #Durim #Solidaritet”.

Ndërkohë që kryeministri Edi Rama njoftoi se pas pak orësh “do fillojnë të na bashkohen njëra pas tjetrës skuadrat speciale nga Kosova, Italia, Greqia, Franca, Turqia, Serbia, Mali i Zi”.

Ndërkohë, edhe kryeministri italian Giuseppe Conte ka shkruar në Twitter lidhur me situatën.

“Italia është afër mikut të popullit shqiptar, e goditur keq nga tërmeti. Në mëngjes bisedova me Kryeministrin Edi Rama dhe menjëherë morëm masa për të dërguar në Shqipëri njerëz dhe mjete të emergjencës”, shkruan Conte.

Ora 12:32/Tërmeti me bilance tragike, Rama jep mesazh ngushëllimi

Kryeministri Edi Rama kërkon durim për kërkimet që do të vijojnë deri në fund ndërkohë që ka shprehur dhimbjen e madhe për jetët e humbura dhe keqardhjen e tij për familjet që kanë marrë lajme të trishta sot për të afërmit e tyre pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin.

“Sapo ka mbërritur në 28 numri i të shpëtuarve .Do të vijojnë kërkimet që do të kryhen me durim e imtësi deri në fund, ndërkohë që pas pak orësh do fillojnë të na bashkohen njëra pas tjetrës skuadrat speciale nga Kosova, Italia, Greqia, Franca, Turqia, Serbia, Mali i Zi

Por lehtësimi për çdo jetë të shpëtuar nuk bën më të vogël dhimbjen për jetët e humbura dhe keqardhjen e jashtëzakonshme për familjet që lotojnë të humburit

Edhe pse fjalët i merr era në këto momente kaq tragjike, u përcjell ngushëllimet e përqafimet më vëllazërore familjeve që tani qajnë njerëzit e tyre”, shkruan Rama.

Ora 12:30/Shpëtoi për mrekulli/ Robert Cara del i gjallë nga banesa

Ka dalë nga rrënojat Robert Cara 57 vjeçKërkesa e tij e parë sapo është vendosur në barrelë ka kërkuar që t’i jepet ujë. Banorët e tjerë të pranishëm kanë treguar se ai është Robert Cara, 57-vjeç.

Cara ka qënë i pranishëm në banesë bashkë me gruan e tij, Fatën dhe katër fëmijët e tyre, ku më i madhi është 30 vjeç. Deri më tani nga rrënojat është shpëtuar vetëm kryefamiljari. Shqipëria është tronditur nga një tërmet i fuqishëm në orët e para të mëngjesit të sotëm. Mësohet se epiqendra e tërmetit me magnitudë 6.4 ka qenë në Durrës por është ndjerë në të gjithë vendin.

Dëmet materiale janë të panumërta dhe numri i viktimave është i lartë.

Ora 12:20/ Djali që thërriste për ndihmë në vilën e shkatërruar, është gjallë

Djali që thërriste për ndihmë nga vila që tashmë është shembur totalisht në Kenetë të Durrësit, është gjallë.Aktualisht në terren forcat e shpëtimit po punojnë për nxjerrjen e 17-vjeçarit. Pak më herët u nxorën nga banesa, nga e cila tashmë ka ngelur vetëm një gërmadhë, dy trupa të pajetë. Ndërkohë nën rrënoja vijojnë të ngelen dhe 3 fëmijët e tjerë të kësaj familje, mes tyre dy vajza binjake, (jo më të mëdha se 3 vjeç).

Në banesë në momentin kur ra tërmeti ishte gjyshja, bashkë me djalin të paralizuar dhe gruan e këtij, si dhe 4 nipërit e saj (fëmijët e djalit tjetër). Mëson se prindërit e 4 fëmijëve nuk ndodheshin në banesë, pasi babai ishte në Itali, ndërsa nëna e tyre për vizitë tek motra në Tiranë. Sapo morën vesh lajmin, ata u nisën drejt Durrësit.

Ora 12:15/Forcat e Armatosura nisin ngritjen e çadrave për të strehuar banorët

Pas lëkundjeve të forta të tërmeteve të njëpasnjëshme tashmë Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë nisur ngritjen e çadrave për të strehuar të gjithë banorët e prekur nga tërmeti i fuqishëm që la pas viktima e shumë dëme materiale në vendin tonë. Fillimisht çadrat kanë nisur të hapen në Fushë-Krujë e Durrës, për shkak se zonat më të prekura nga ky tërmet ishin në Thumanë dhe në qytetin e Durrësit.

Deri mëtani janë raportuar 15 të vdekur dhe më shumë se 600 të plagosur. Ndërkohë që një reagim të madh ka pasur dhe nga shtetet fqinje të cilat kanë nisur për në vendin tonë ndihmat e emergjencës. Ngjarja nuk ka mbetur pa u pasqyruar dhe në mediat më të mëdha ndërkombëtare.

kolana e librave

Stafi i Konica.al duke shprehur gjithë solidaritetin, është në gatishmëri të plotë për pasqyrimin e ngjarjes minutë pas minute, duke shpresuar që numri i viktimave por dhe të plagosurve të mos rritet më.

Ora 12:00/ Një foshnje e pajetë në Thumanë

Një ngjarje e dhimbshme është shënuar në Thumanë, ku viktimë e lëkundjeve të tërmetit mbeti edhe një foshnje. Në pamjet e siguruara, shihet teksa një burrë mban në duar foshnjen e pajetë, ndërsa pas tij me barrelë transportohet trupi i një tjetër të pajeti të nxjerrë nga rrënojat. Pra, me këtë zhvillim të fundit, numri i viktimave shkon në 15.

 

Ora 11:47/Rama: Do vijojnë kërkimet me durim e imtësi

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përsëri lidhur me tërmetin.

Rama ka shkruar se ka shkuar në 28 numri i personave që janë nxjerrë gjallë nga rrënojat e ndërtesave që nuk i shpëtuan dot lëkundjeve të forta të tërmetit 6.3 ballë,  dhe theksoi se kërkimeve në terren do t’i bashkohen edhe forca nga Kosova, Italia, Greqia, Franca, Turqia, Serbia dhe Mali i Zi.

MESAZHI I RAMËS

Sapo ka mbërritur në 28 numri i të shpëtuarve🙏
Do të vijojnë kërkimet që do të kryhen me durim e imtësi deri në fund, ndërkohë që pas pak orësh do fillojnë të na bashkohen njëra pas tjetrës skuadrat speciale nga Kosova, Italia, Greqia, Franca, Turqia, Serbia, Mali i Zi🙏
Por lehtësimi për çdo jetë të shpëtuar nuk bën më të vogël dhimbjen për jetët e humbura dhe keqardhjen e jashtëzakonshme për familjet që lotojnë të humburit😢
Edhe pse fjalët i merr era në këto momente kaq tragjike, u përcjell ngushëllimet e përqafimet më vëllazërore familjeve që tani qajnë njerëzit e tyre🙏

Ora 11:45/Fundosen edhe dy kate pallati në Durrës, një çift nën rrënoja i gjallë

Një pallat 6-katësh në Durrës është fundosur dy kate nën tokë për shkak të lëkundjeve të forta të tërmetit që tronditën sot vendin me epiqendër shumë pranë Durrësit. Bëhet fjalë për pallatin ku ndodhen edhe lokali i njohur “Barons”. Nga dëshmitë e personave të tjerë është mësuar se brenda tij ndodheshin disa njerez. Ndërkohë pohohet se një çift ndodhet ende nën rrënoja, në katin e dytë që ndodhet tashmë nën tokë. Ata kanë folur dhe kanë kërkuar ndihmë dhe tashmë forcat e shpëtimit po punojnë për t’i nxjerrë. Deri më tani janë shënuar 13 viktima dhe më shumë se 600 të plagosur. Forcat Speciale po punojnë  për kërkimet e trupave të mbetur nën rrënoja me shresën e nxjerrjes së tyre të gjallë.

Ora 11:35 / Tragjike! 13 të vdekur nga tërmeti

Një tërmet i fuqishëm shkundi Shqipërinë ku pas lëkundjeve të njëpasnjëshme, ai i orës 03:55 të mëngjesit të së martës, me magnitudë 6.4 ballë, rrëzoi pallate e shënoi dëme të shumta, duke lënë fatkeqësisht 13 viktima.Në Thumanë, aty ku paraqitet edhe situata më dramatike, një grua e moshuar humbi jetën pasi u zu nën rrënoja. Një skenë rrëqethëse ku nuk mund t’i mbash dot lotët.

Në prehërin e saj, të afërmit dhe forcat zjarrfikëse nxorrën gjallë nipin e vogël.

Ora 11:12/ BE ofron asistencë për Shqipërinë

 

Bashkimit Europian ka reaguar përmes përfaqësueses së lartë Federica Mogherini, pas tërmetit në Shqipëri. Ajo shpreh angazhimin e menjëhershëm të BE-së për të ofruar asistencë pas lëkundjeve vdekjeprurëse në Shqipëri.

“Menjëherë pas tërmetit shkatërrues që ka goditur Shqipërinë këtë mëngjes, duke shkaktuar humbjen e disa personave dhe dëmtimin e shumë të tjerëve, në shprehim ngushëllimet tona popullit dhe autoritetit e vendit.

 

Bashkimi Europian është solidar me Shqipërinë dhe është i gatshëm të ofrojë asistencë, edhe me Mekanizmin e Mbrojtjes Civile Europiane. Qendra e Koordinimit të Emergjencave është në kontakt të vazhdueshëm me Emergjencat Civile shqiptare.

Jemi në kontakt me qeverinë shqiptare për të përcaktuar mënyrat më të mira për të vepruar”, thuhet në deklaratën e BE-së.

Ora 11:12 /Komisioneri i Ndihmave Humanitare: Do aktivizojmë sa më shpejt ndihmat

Komisioneri për Ndihmat Humanitare dhe Emergjencat, Christos Stylianides, ka zhvilluar një bisede telefonike me Kreun e Shtetit, Ilir Meta. Gjatë bisedës telefonike, Komisioneri Stylianides ka pohuar se do të angazhojë sa më parë ndihmat humanitare për Shqipërinë, kjo në bazë të kërkesave të autoriteteve shqiptare.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta zhvilloi një bisede telefonike me Komisionerin per Ndihmat Humanitare dhe Emergjencat, Christos Stylianides.

Komisioneri Stylianides i shprehu Presidentit Meta ngushellimet si dhe angazhimin e tij dhe te Komisionit Europian per te aktivizuar sa me shpejt ndihmat humanitare per Shqiperine ne baze te kerkesave specifike te autoriteteve shqiptare”, bën me dije Presidenca.

Ora 11:06/Ballkani në ujëra jo të sigurta, një tërmet godet Bosnjen

Tërmet në Bosnjë, lëkundjet ndjehen edhe në Tiranë Në orën 10:19 në Tiranë janë ndjerë lëkundje tërmeti,por pas verifikimit në faqen e EMSC, rezulton se tërmeti ka qenë me epiqendër në Bosnjë.Siç raportohet nga EMSC, tërmeti në Bosnjë me epiqendër 77 km në jug të Sarajevës ka qenë me magnitudë 5.2.

 

Ende nuk ka raportime për dëme në jetë njerëzish në Bosnjë, por nisur nga intensiteti i tërmetit edhe atje dëmet do të jenë të mëdha.

Ora 10:57/ Shembet vila në zonën e Kënetës në Durrës, 7 persona nën rrënoja

Situatë e rënduar në Durrës për shkak të tërmeteve. Vila katër katëshe në zonën e Kënetës që qëndronte e anuar gjysmë e shembur dhe kishte brenda njerëz është shembur plotësisht. Momente dëshpërimi për të gjithë njerëzit, forcat e emergjencës dhe stafin shëndetësor që qëndronte në gatishmëri.Brenda saj dyshohet se ishin 7 persona, gjyshja e shtëpisë, djali i saj (i paralizuar) me gruan dhe 4 fëmijët e djalit tjetër. Nuk dihet ende fati i tyre. Kjo është ngjarja më tragjike e zhvillimeve në vend pas tërmetit.

Ora 10;47/Rritet numri i viktimave/ Një grua dhe një fëmijë nxirren pa jetë

Një fëmijë dhe një grua nuk i kanë mbijetuar tërmetit. Trupat e tyre janë nxjerrë të pajetë nga forcat e kërkim shpëtimit në zonën e Kënetës në Durrës.Pritet të mësohet identieti i tyre, ndërkohë që vijojnë operacionet për shpëtimin e dhjetra personave të tjerë që dyshohet se janë nën rrënoja në Thumanë dhe Durrës, dy zonat më të prekura.

Ora 10:45/Ushtria e Kosovës niset për ndihmë

Forca të shumta janë nisur nga Kosova për t’i ardhur në ndihmë forcave të shpëtimit në Shqipëri për situatën e krijuar nga tërmetet. Një kolonë e gjatë me mjete të Forcës së Sigurisë së Kosovës shihet në rrugë drejt Shqipërisë.

 

Kujtojmë se Presidenti i Republikës Ilir Meta i kërkoi ndihmë për forca xheniere kryeministrit në detyrë të Kosovës Ramush Haradinaj. Ndërkohë pas nisjes së forcave të Kosovës Meta shkruan: “Faleminderit Republikës së Kosovës!”

Ora 10:00/Rëndohet bilanci/ Nxirret një vajzë e pajetë

Rëndohet edhe më shumë bilanci i viktimave nga tërmeti në Shqipëri.Raportohet se në Durrës, në lagjen numër 13 është gjetur një persona i pajetë. Ai është nxjerrë nga rrënojat e shembjes së një godine, pas operacionit të kërkimit.Ndërtesa e shembur ndodhej pas hotel Lubajnës në Durrës, e cila gjithashtu pësoi dëmtime nga lëkundjet sizmike 6.4 ballë me epiqendër në Detin Adriatik. Raportohet se nën rrënoja janë edhe dy persona të tjerë, për të cilët është duke u punuar nga forcat speciale për tu nxjerrë, me shpresën se do të jenë gjallë.

 Ora 09:29/Flet Sizmologu Rrapo Ormeni: Do ketë pas goditje të tjera të lehta

Sizmologu Rrapo Ormeni tha se do të ketë të tjera pas goditje nga lëkundjet, por theksoi se do të jenë më të lehta. Në një lidhje direkte për “News24”  sizmologu u bëri thirrje qytetareve që të qëndrojnë edhe për disa orë jashtë banesave, pasi godinat kanë pësuar ulje të rezistencës.

Do ketë lëkundje të tjera. Por pasgoditjet do jenë të nivelit më të ulët. Njerëzit duhet të qëndrojnë edhe për disa orë jashtë sepse godinat kanë pësuar ulje të rezistencës.

Në godinat e dëmtuara më shumë të hyhet vetëm pas kontrollit nga ekspertët. Njerëzit të jenë të kujdesshëm për të qëndruar jashtë godinave. Një situatë e ngjashme në vitin 1926 ku ka rënë një goditje më e madhe e më pas të tjera”, tha Ormeni.

Ora 09:15 /Mblidhet Shtabi i Emergjencave, Veliaj: E gjithë bashkia në terren!

Prej orës 4 të mëngjesit të sotëm të gjitha ndërmarrjet dhe forcat e emergjencave të Bashkisë Tiranë janë në terren për ti ardhur në ndihmë qytetarëve dhe familjeve të dëmtuara nga tërmetet orëve të fundit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mblodhi pak më parë Shtabin e Emergjencave ku bëri dhe një përmbledhje të situatës së krijuar në territorin e bashkisë, ndërsa theksoi se të gjitha forcat e bashkisë janë shpërndarë në gjithë territorin për ti ardhur në ndihmë atyre që kanë nevojë.

“Ne nuk kemi në dorë tërmetet dukuritë natyrore por kemi në dorë si përgjigjemi. Fakti që sot gjithë Bashkia ka që në orën 4 të mëngjesit operative dhe me fokus tek njerëzit, solidariteti me ta është pjesë e kësaj përgjigje. Do të doja shumë që sot të kalonim gjithë ditën në terren. Unë do u bashkohem në të gjithë njësitë dhe të bënim një vlerësim sa më të shpejtë që të kemi mundësi dhe të përgjigjemi sa më shpejt atje ku duhet dhe ku është edhe nevoja më imediate”, tha Veliaj.

Ai theksoi se për fat të mirë në Tiranë nuk ka pasur viktima me humbje jetësh, ndërsa janë regjistruar vetëm të lënduar dhe dëmtime materiale në banesa, godina të tjera shërbimi apo edhe orendi shtëpiake.

Për këtë ai theksoi se do bëhet një skanim i të gjitha ndërtimeve të dëmtuara.

“Duke qenë se shkollat, kopshtet e çerdhet janë anuluar kam kërkuar që grupi i punës i drejtuar nga Fetiu të bëjë një skaner të të gjithë godinave. Na rezultojnë dëmtime minimale megjithatë do përfitojmë nga anulimi i shkollës sot dhe ditë te pushimit që janë përpara, që ne të shfrytëzojmë maksimalisht sjelljen e shkollave në gjendjen optimale dhe për të mos marrë asnjë risk. Më rezulton shkollat publike, nuk kemi shembje por kemi problematika në disa shkolla private. Dua pavarësisht se ato janë me pronar privat, aty shkojnë fëmijët e Tiranës, ndaj dua edhe një vlerësim nga ju, edhe tek një ose dy shkolla private që janë raportuar të dëmtuara dhe pastaj edhe një planifikim që këta nxënës të përdorin shkollat publike”, u shpreh Veliaj.

Gjithashtu ai bëri të ditur se të gjitha qendrat sociale të bashkisë janë të hapura për të pritur çdo person i cili ka nevojë për ndihmë dhe strehim.

“Kemi hapur qendrat sociale në Tiranë, do i mbajmë të hapura 24 orë. Unë do vij vetë të vizitoj disa nga qendrat, do i japim përparësi sidomos të moshuarve, atyre që janë, sidomos familje të vetmuara, do të doja t’u bëja thirrje të gjithë qytetarëve që për të gjithë të moshuarit që kanë në komunitetet e tyre të bëjnë një kontroll”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku bëri të ditur se janë urdhëruar të gjitha emergjencat që menjëherë sapo të bëhet evidentimi i situatës të nisin edhe shpërndarja e ndihmave.

“Dua që të hapet rezervat e qytetit, ndaj në momentin që ne kemi identifikuar nevojat, rezervat e qytetit bëjnë një shpërndarje në të gjithë familjet, sidomos në zonat e fshatit. Ne të gjithë flasim për ndërtime, por në fakt dëmi më i madh janë ndërtimet e vjetra, s’kemi pasur tek ndërtimet e reja, ndaj ndërtimet e vjetra në fshat dhe ndërtimet e vjetra të kohës së viteve para ’90 janë ato që kanë edhe dëmtime të mëdha. Me hapjen e rezervave çfarë ka nevojë, krevate, batanije, ushqime, ne të jemi në supergatishmëri”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ora 09:07/Durrësi nën pushtetin e lëkundjeve /Video dhe foto ekskluzive

Ora 08:43 / Tërmetet godasin sërish

Nuk kanë të mbaruar pasgoditjet e tërmetit. Të tjera lëkundje janë regjistruar pak çaste më parë, me intensitet më të vogël, e që zgjatën vetëm pak sekonda. Një tërmet i fuqishëm 6.3 ballë goditi sot vendin, ndërkohë që flitet për jetë të humbura. Ndonëse ende nuk ka një bilanc të saktë, raportohet se nën rrënoja ka ende njerëz. Epiqendra e tërmetit ishte në afërsi të qytetit të Durrësit dhe 32 kilometra nga Tirana, ndërkohë që dëmet më të mëdha janë shkaktuar në qytetin bregdetar.

Ora 08:35 /Thellohet bilanci i viktimave/ Zyrtarisht 6 të vdekur, mes tyre një 10-vjeçare

Thellohet bilanci i viktimave nga tërmeti që goditi vendin. Ministrja e Mbrojtjes konfirmon se 6 persona kanë humbur jetën, ndërkohë që dyshohet se ka ende persona ende nën rrënoja. Tragjik rezulton edhe fakti për një vogëlushe 10-vjeçare, e cila ka humbur jetën në banesën e saj në Thumanë, ndërkohë që nëna e saj ndodhet nën rrënoja e plagosur.  Ministria konfirmon se 1 viktimë është në Kurbin, 2 ne Thumanë e 3 në Durres.

Ora 08:20/6 persona të mbetur në rrënoja, të afërmit ngulmojnë të futen

Raportohet për ndërtesa të shembura, si dhe deri tashmë 4 persona kanë humbur jetën. Konica.al po ndjek situatën nga afër dhe mësohet se në një nga ndërtesat e rrëzuara në zonën e ish-kënetës, kanë mbetur 5-6 persona, me të cilët është arritur të komunikohet. Video ekskluzive.

Mësohet se mes tyre ka edhe të plagosur e teksa forcat po përpiqen të nxjerrin banorët të afëmit e tyre kanë tentuar të futen brenda.

Ora 08:05/Dalin shifrat zyrtare, 325 të lënduar

Ministria e Shëndetësisë informon për personat e lënduar. Janë 325 persona të lënduar në total që kanë marrë mjekim në spitalet e Durrësit dhe Tiranës. Deri tani tek Spitali i Traumës 135 të lënduar kanë marrë trajtim. Në Spitalin e Durrësit janë 130 të lënduar. Në QSUT, 60 raste. Qendra e koordinimit të urgjencës ka pritur 392 thirrje janë realizuar 91 misione në spitale. Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu po ndjek nga afër situatën në qendrën kombëtare të urgjencës mjekësore.

Ora 08:00/ Meta menjëherë në Thumanë

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka mbërritur në Thumanë pranë banorëve të dëmtuar më rëndë nga tërmeti. Kreu i Shtetit e ka përshkruar dramatike situatën duke kërkuar të bëhet çdo përpjekje për të nxjerrë banorët nën rrënoja.“Situata mjaft dramatike. Po bëhet çdo përpjekje për të nxjerrë banorët nën rrënoja”, u shpreh Meta.

Ora 07:55 /Nxirret një tjetër grua e pajetë nga rrënojat në Thumanë

Një tjetër viktimë e tragjedisë që ka përfshirë vendit. Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se një grua e dytë është nxjerrë e pajetë nga rrënojat në Thumanë. Kjo është viktima e tretë e konfirmuar zyrtarisht, ndërsa flitet edhe për një viktimë në Durrës.

Ora 07:50/”Moment dramatik” Rama: Fatkeqësisht kemi jetë të humbura

Një moment dramatik, e ka konsideruar kryeministri Edi Rama, situatën pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin orët e para të mëngjesit të sotëm. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se fatkeqësisht kemi jetë të humbura si pasojë e goditjeve.

“Eshtë një moment dramatik ku sidoqoftë duhet të ruajmë me çdo kusht qetësinë, të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit e ta përballojmë këtë goditje SE BASHKU🤝Ne do të bëjmë gjithçka kemi në dorë dhe me miqtë e mëdhenj në krah do ta kalojmë edhe këtë situatë🙏#Kurajo #Durim #Solidaritet

Goditja e fuqishme e tërmetit ka krijuar pasoja të rënda dhe fatkeqësisht kemi jetë të humbura😢Të gjitha strukturat e shtetit janë në këmbë qysh në momentet e para pas goditjes. Punohet intensivisht për të shpëtuar çdo jetë të mundshme në disa pika fatale në Durrës e Thumanë🙏”– shkruan Rama.

Ora 07:45/ Ja zonat e  prekura nga tërmetet

Pas lëkundjeve të njëpasnjëshme, ai i orës 03:54 të mëngjesit të së martës, me magnitudë 6.4 ballë, rrëzoi pallate e shënoi dëme të shumta, duke lënë fatkeqësisht 5 viktima.

Në Thumanë, aty ku paraqitet edhe situata më dramatike, një grua e moshuar humbi jetën pasi u zu nën rrënoja. Një skenë rrëqethëse ku nuk mund t’i mbash dot lotët. Në prehërin e saj, të afërmit dhe forcat zjarrfikëse nxorrën gjallë nipin e vogël.Në Thumanë janë shembur totalisht tre pallate, dhe nënë rrënoja ka disa persona për të cilit forcat zjarrfikëse po punojnë për t’i nxjerrë gjallë, me shpresën e madhe.

Edhe në Durrës ku dëmët janë të shumta, një i pajetë u nxorr nga rrënojat e një pallati të shembur në lagjen numër 18. Në Kurbin një tjetër person humbi jetën, pasi i përfshirë nga paniku në tentativë për t’i shpëtuar lëkundjeve të fuqishme që u ndjenë, është hedhur nga ballkoni. Ai humbi jetën si pasojë e lartësisë nga kati i tretë.

Po në Kurbin, një tjetër person, ndërroi jetë pasi duke drejtuar automjetin humbi kontrollin duke u përplasur për vdekje.

Pas lëkundjes të fortë 6.4 ballë thuajse të gjithë qytetarët dolën në rrugë, shumica u larguan me automjete në zona të parrethuara nga ndërtesa, duke krijuar një situatë kaosi edhe në rrugë.

Epiqendra e tërmetit ishte 10 kilometra nga Durrësi dhe 31 kilometra nga Tirana. Dëme të shumta materiale janë shënuar në disa godina në këto qytete.

Në Tiranë si në gjithë qytetet e tjera, mijëra njerëz dolën nëpër rrugë të terrorizuar nga lëkundjet dhe duke pritur me ankth lëkundje të tjera.

Nisur edhe nga fakti që prej orës 02:47 minuta e deri në vazhdim, janë shënuar lëkundje të herëpashershme.

Ora 07;25/Toka nuk gjen paqe, tjetër lëkundje në vend

Lëkundje të tjera tërmeti u regjistruan pak çaste më parë në vend. Tërmeti i orës 03:55 po shoqërohet me të tjera pasgoditje. Lëkundjet u ndjenë për pak sekonda, ende nuk dihet magnituda.

Ora 06; 50/Paniku nga termeti, banori hidhet nga ballkoni, ndërron jetë

Në qytetin e Kurbinit mësohet se si pasojë e termetit ka humbur jetën një qytetar.Mësohet se banori në Kurbin është hedhur nga banesa për shkak të panikut nga termeti. Këtë informacion e ka konfirmuar dhe Ministria e Mbrojtjes.                               “Sipas informacioneve te deritanishme, nje person ka humbur jeten ne Kurbin pasi eshte hedhur nga banesa per shkak te panikut”, bën të ditur ministria e Mbrojtjes.

Ora 06;15/ Thumanë, shëmben ndërtesat  ndërsa disa persona kanë mbetur të bllokuar 

Dëme të mëdha ka shkaktuar tërmeti i sotëm, i cili goditi vendin.Banorët kanë dalë jashtë banesave në panik si pasojë e lëkundjeve të forta. Në Thumane, një godinë është shembur nën rrënoja.Ndërkohë, deri tani raportohet të ketë edhe jetë të humbura nën rrënoja.

Ora 05:30 /Në Durrës restoranti-Hotel Miramare është shembur, por nuk raportohet për viktima

Në Tiranë si në gjithë qytetet e tjera, mijëra njerëz kanë dalë nëpër rrugë të terrorizuar nga lëkundjet dhe duke pritur me ankth lëkundje të tjera. Nisur edhe nga fakti që prej orës 02:47 minuta e deri në vazhdim, janë shënuar lëkundje të herëpashershme.

 

Në zona e Astirit dhe rrugën “Siri Kodra” në Tiranë sinjalizohen rënie e disa mureve nga lartësitë. Në Thumanë e Fushë- Krujë raportohet për tre pallate të dëmtuar dhe viktima, por ende nuk ka asnjë informacion zyrtar. Në Lezhë disa familje kanë mbetur të bllokuar brenda pallatit, pasi nuk hapen dyert. Po ndërhyjnë forcat zjarrfikëse.

Ora 03:54/ Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.3 ballë të shkallës Rihter është ndjerë në Shqipëri në orën 3:54 pas mesnate, këtë të martë.

Faqja zyrtare e Institutit të Gjeoshkencës nuk është funksionale, ndërkohë që faqja ndërkombëtare që monitoron termetet EMSC bën më dije se ky termet ka goditur Shqipërinë dhe vendet fqinje me një magnitudë më të lartë se termeti i disa muajve më parë që arriti një në 5.8 ballë të shkallës rihter.

Epiqendra e tërmetit ishte edhe kësaj radhe në Durrës, në Shijak

Lëkundjet janë pasuar menjëherë nga një tjetër tërmet me magnitudë 6.1

Lëkundjet janë ndjerë të forta në kryeqytet dhe mbarë Shqipërinë.

Nga reagimet e qytetarëve mësohet se është ndierë edhe në Kosovë dhe Mal të Zi.

Ndërkohë, kujtojmë se në orët e para të mëngjesit, ekzaktësisht në orën 2:47, një tërmet i fuqishëm goditi vendin. Epiqendra e tij ishte në detin Adriatik me magnitudë 4.8 të shkallës Rihter.

Një tjetër tërmet ishte dhe ai i orës 20:57, para mesnatës, me magnitudë 3.4 ballë të shkallës Rihter, me epiqendër 16 km larg Shijakut. Tërmetet vijojnë të bien, por me fuqi dhe intensitet më të ulët, duke mos përhapur panik.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shembet restoranti i njohur

Tërmet i fuqishëm, dëme dhe viktima