Është çelur sot, me rastin e 75-vjetorit të themelimit të bibliotekës kombëtare “Pjetër Bogdani”, në Kosovë, ekspozita “Lufta e Kosovës në shtypin britanik”, në vitin 1998-1999, që është përgatitur nga The Centre for Albanian Studies, nën përkujdesjen e Noel Malcolm.
Kuratorja Shqipe Canolli, tha se kjo ekspozitë përbëhet nga 15 artikuj, që kanë të bëjnë me raportimin e medieve britanike për luftën në Kosovë.
“Në këtë ekspozitë, këta artikuj paraqesin shumë rrëfime individuale të njerëzve të ndryshëm të fëmijëve, të moshave të ndryshme, fëmijëve të moshuarve, për luftën për vuajtjen për ndjenjat e tyre, dëbimin e tyre nga shtëpitë e tyre. Këta artikuj janë të përzgjedhur në mesin e mijëra artikujve të shtypit britanik, që si projekt i ka zhvilluar historiani i mirënjohur, Neol Malcolm në bashkëpunim me Bejtullah Destanin, i cili është organizatori i studimeve shqiptare në Londër”, – theksoi, Canolli.
Ajo tha, se një ndër karakteristikat e kësaj ekspozite, që do të vijojë, është paraqitja e eksodit shqiptar dhe gjenocidi serb, gjatë periudhës së viteve ‘98-‘99.
Nga ana e saj, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, me rastin e shënimit të 75-vjetorit të krijimit, do t’u shpërndajë të gjitha bibliotekave publike nga një kopje digjitale të projektit “Lufta e Kosovës në shtypin britanik 1998-1999″, përgatitur nga The Centre for Albanian Studies, nën kujdesin e Noel Malcolm, derisa është mbështetur edhe nga Qeveria e Kosovës.