MENU
klinika

Rrezikojnë falimentin

Fermerët në vështirësi: Këtu jemi të mbaruar

17.11.2019 - 11:54

Në shumë prej serave të fshatrave të Myzeqesë prodhimi nuk është vjelë akoma. Fermerët ankohen për mungesën e tregut dhe çmimet e ulëta, ndërsa thonë se rrezikojnë falimentin.

Pavarësisht se çmimi i domates ditët e fundit ka njohur një rritje të lehtë, në sera pjesa më e madhe e prodhimit mbetet ende pavjelë për shkak të mungesës së tregut.

Këtë vit, fermerët e cilësojnë më të dobëtin sa i përket shitjeve. Mungesa e orientimit dhe rënia e fuqisë blerëse janë disa nga arsyet që ata nuk kanë mundur të fitojnë të ardhura mjaftueshëm për të mbuluar shpenzimet.

“Sivjet jemi shumë të pakënaqur me tregun sepse ka filluar me një çmim gati sa gjysma e kostos. Nëse vazhdon e njëjta situatë ne jemi të falimentuar. Nuk vazhdojmë dot të punojmë. Do jemi të detyruar gjejmë ndonjë mundësi tjetër ose të ikim diku tjetër sepse kështu jemi të mbaruar.”– shprehet një nga fermerët.

Shqetësimet janë të njëjta për të gjithë fermerët e fshatit Petovë. Pavli Koroveshi shprehet se për shkak të mungesës së shitjeve e ka të pamundur mbjelljen e serave sërish.

“Ne e kemi shitur me 1.5 lekë, me 20 lekë domaten, një çmim qesharak fare. Plehrat i kemi marrë shumë shtrenjtë, preparatet i kemi marrë shumë shtrenjtë. Jemi shumë dobët sivjet. Këtë vit rrezikojmë për të mos i mbjellë serat. Të na ndihmojë shteti sepse na ka lënë pas dore.”– vijon një tjetër fermer.

Shtetit i kërkojnë mbajtjen e premtimeve të bëra.

Për gjithë vështirësitë që kanë hasur këtë vit fermerët protestuan 10 ditë më parë pranë Ministrisë së Bujqësisë.

Ata kërkuan subvencion 10 lekë për çdo kilogram të prodhimit, rregullimin e mekanizimit të TVSH dhe ngritjen e një laboratori për kontrollin e cilësisë së prodhimeve.