Rruga e Arbrit, e cila pritet të jetë gati në mars të vitit 2021, do të jetë pa pagesë.
Kjo u bë e ditur nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj në komisionin e Ekonomisë dhe Financave, ku po diskutohet projektbuxheti i vitit 2020.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi të martën në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese se Rruga e Arbrit pritet të jetë në funksion në mars të vitit 2021, ndërsa theksoi se është një projekt që na bën krenarë të gjithëve
Rruga e Arbrit e cila do të shkurtojë në mënyrë të ndjeshme rrugën ekzistuese që përdoret sot nga Tirana për në Dibër me gjatësi 180 km, pritet të japë një ndikim të madh në zhvillimin e zonave.
Kjo nyje lidhëse, pjesë e rrugës së vjetër Egnatia dhe tashmë pjesë e rëndësishme e Korridorit 8, është një nga investimet më të rëndësishme për modernizimin e infrastrukturores rrugore të vendit.
Kjo rrugë lidh rajonet Lindore dhe Verilindore të Shqipërisë, duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore, siç është kromi, nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.
Gjithashtu ky aks rrugor do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë, Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë rrugë lidhëse ndërkombëtare.
Koha e udhëtimit do te jetë jo më shumë se një orë, nga 4 që duhen aktualisht për të lidhur kryeqytetin me Dibrën.
Përveç ndërtimit, koncesioni 13-vjeçar parashikon dhe mirëmbajtjen e rrugës.