Galeria e personazheve që po vijnë vërdallë poshtë e lart këto kohë, ka filluar t’u përngjajë gjithnjë e më tepër, atyre të kryeveprës së Kadaresë, në “Vitin e mbrapshtë”. Personazhe të ambasadave, që me agjentët e tyre numërojnë llojin e bakllavasë, petët e saj të dërguara në aksh vend etj., për të marrë vesh me kë po bëhet vendi etj., etj., të cojnë vërtet tek Ismaili. Presidenti që i bërtet së pari, Parlamentit dhe pastaj ambasadave, pastaj Kryeministrit, që në vend të shkojë në Elbasan shkon në Xibrakë, janë aludime perfekte për të vënë lëvizje shumë të interesuar, brenda dhe jashtë se çfarë po ndodh këtu. Përfaqësuesi i PS-së në Parlament e në parti, që i bërtet po Presidentit, se po tradhtojmë aleatët etj., etj., radhë sulmuesish nga të dy krahët, i janë përveshur një beteje që i ngjan tamam shakave të hidhura te “Viti i mbrapshtë”
Po dje, duke dëgjuar Erion Velinë që i sqaronte tërë delikatesë të urtit Bashkim Fino, se Bashkia e Tiranës, duhet patjetër, të zgjerojë territorin për të marrë edhe Aeroportin e Rinasit, m’u kujtoi nga galeria e personazheve më sipër të Ismailit, një komit të çuditshëm.
Gjeniu Kadare, i ka vënë atij në dorë, një hartë të çuditshme, ndoshta të ndonjë regjimenti austriak. Që një dreq e di, se nga e ka gjetur komandanti i komitëve. Të mbushur plot me shigjeta e nënvizime, pra punë ushtarakësh. Personazhi në krye të çetës së tij, ndiqte vetëm vijat e hartës, që një zot e di ku të çonin…
Erioni kishte të drejtë, pa dyshim, në historinë e tij. Rinasi nuk mund të menaxhohet nga komunat aty afër, sepse është hyrja e Shqipërisë. Po ndërkaq, problemi i paraqitur prej tij, të kthen në një periudhë jo fort të largët, ndoshta këtu e pesë a gjashtë vjet më parë, kur Rama mori në dorë qeverisjen e vendit.
Vendi filloi reformën më të rëndësishme, të ndoshta tridhjetë viteve të fundit, atë që e quajmë Reformë teritoriale. E shndërruar nga 36 njësi administrative në kohë të Zogut, në 26 në kohë të Hoxhës, në 360 e ca në kohë të Berishës dhe në diçka mbi 60 në kohë të Ramës, kjo është harta e Shqipërsisë së sotme. Të kujton historinë e personazhit të famshëm të Kadaresë, që bredh me hartën andej-këndej. Çmenduria e këtyre lloj-lloj ndarjeve përforcohet, kur mendon se pavarësisht keqqeverisjes, Shqipëria ka bërë hapa në infrastrukturë rrugore, apo mjetet e tjera të komunikimit që shkurtojnë distancat. Çka do të thotë se duhet t’i shkurtonte dhe jo t’i shtonte qendrat administrative…
Siç e kam shkruar shpesh, copëtimi në rreth 400 njësi, u dha fuqi bejlerëve të vegjël të provincës, të shkatërronin në mënyrë të pakthyeshme një pjesë të madhe të pasurisë kombëtare, filluar nga ndërtimet pa kriter, te burimet e ujit, energjisë, pyjet, etj., etj. Po a u frenua kjo, në kohën e Ramës? Ky i fundit u përpoq ta evitonte me sa sa mundi këtë rrëmullë, po a është kaq e mjaftueshme. Besoj se jo.
Një pjesë të gabimit, duket se ia theksoi opozita, që vazhdon të mendojë se Reforma teritoriale, u bë vetëm që PS të ketë epërsi në zgjedhjet e radhës. A mund të ketë të drejtë? Edhe mundet. Kush mendon se palët partiake këtu, mendojnë vetëm për vendin, thjesht bëhet vetëm qesharak.
Problemi është diku tjetër dhe historia e filluar me Erionin, që dje kërkoi menaxhimin e Aeroportit, apo zonës përreth, duhet të na çojë në një mënyrë tjetër të menduari.
Mënyra e re e të menduarit, është kombinimi i problemeve që vijnë nga Reforma zgjedhore me atë teritoriale. Dhe për këtë, palët duhet të vënë në krye të rendit Reformën teritoriale, si atë që përcakton pastaj, mënyrën si të bësh Reformën zgjedhore.
Po pse është i detyrueshëm, ky qëndrim ndaj vendit?
Megjithëse, Hoxha kishte më pak qendra administrative se ata që la apo që erdhën pas, krijoi sipas modelit sovjetik, dhjetëra qytete që në thelb punonin me lëndë të parë të huaj. Dhe si ata fëmijët rakitikë që lindin si të tillë, këto qytete do të vdisnin me radhë njëri pas tjetrit, pas rënies së komunizmit. Duke lënë nga prapa, jo vetëm fantazma të të kaluarës, po edhe varfërinë dhe krimin, që e ndjek atë nga pas.
U tmerrova një ditë, kur rastësisht në dy qytete të vogla të Jugut të Shqipërisë, më thanë se gati 10 për qind e personave që kishin një familje me disa anëtarë, ishin të punësuar në bashki. Një asistencë e fshehur. Një gomarllëk partish?
Po thelbi mbetet: Çdo të bëhej me ato dhjetëra qytete, që pas rënies së komunizmit mbyllën dhe resurset e tyre të mbijetesës?
Çdo të bëhej me Rubikun, Memaliajn, Laçin, Maliqin etj., etj. Shembulli, siç e kam thënë dhe herë tjetër, mund të merret edhe për vetë qytetet e mëdha. Elbasani, ky qytet mijëvjeçar në qendër të Shqipërisë, u pajis në vitet ’70-të, me Metalurgjnë dhe rezervat e shtetit. Kjo poullatë e re, e shtoi qytetin, i cili pas 30 vjetësh, gati u dyfishua. Po ndërkohë, resurset e tij shkuan drejt zeros, me mbylljen e qendrave që përmenda.
Si mendoni që do të rrojë një qytet i tillë, kur që nga koha e themelimit të tij është parë, si një qytet roje, a karakoll për të ruajtur pjesën tjetër të Shqipërisë dhe ka pasur të zhvilluar vetëm tregtinë?
Kur dëgjoj, se është bërë thjesht i pamenaxhueshëm dhe krimi lulëzon më shumë se kudo, e kuptoj, se nuk ka si të ndodhë ndryshe.
Por, të kthehemi te themeli i problemit.
Partitë e mëdha që kërkojnë të drejtojnë vendin, janë të detyruara që të kombinojnë Reformën territoriale me atë zgjedhore.
Duhet detyrimisht, që pasuritë e qyteteve të ndërthuren me njëra- tjetrën, duke krijuar një vijë të padukshme, që i mban në kohezion ata. Nuk mundet që të ndahen zonat me përkatësi partiake, por me një shpërndarje ku prevalojnë pasuritë natyrore të njëri-tjetrit dhe ndërlidhjen e tyre.
Deputeti, nuk mund të jetë vetëm njeriu që zgjidh hallet e zonës. Si përfaqësues i të gjithë popullit, ai është edhe kujdestari që preokupohet për të mbajtur gjallë qyetin e tij dhe njëkohësisht, vendin nëpërmjet bashkëpunimit ndërqytetas.
Do të ndodhë kjo?
Palët i janë futur përsëri hesapeve të Reformës zgjedhore dhe nga një vesh i hynë e nga një vesh i dalin këto gjëra. Do të zihen nja dy muaj dhe prapë, secili do të marrë atë hartën e personazhit të famshëm të Kadaresë, e do shkojë nga mund… për në askund.
Erion Veliaj, hapi dje, ndoshta për interes të qytetit që qeveris, një temë që kaloi si tangent, në lajmet e ditës. Besoj, që vetëm skërfiti një plagë që avash-avash, do të bëhet një kancer i pashërueshëm.
E për ta mbyllur, duke thënë diçka që duket ndoshta, në kufijtë e legjendës. Amerika e dikurshme, e ndarë në dy pjesë, hapi luftë vetvetes sepse, veç të tjerash, pjesa e pasur kish po kaq sa deputetë kish e varfra, megjithëse kontribuonte dhjetë herë më shumë me taksa…