MENU
klinika

Bashkëpunimi mbarëkombëtar

Interesat e shqiptarëve në Ballkan/ Cakaj: BE nuk zëvendëson dot…

25.11.2019 - 12:13

Nën kujdesin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe me iniciativë personale të Ministrit në Detyrë, Gent Cakaj, u zhvillua në Tiranë Konferenca e përbashkët e përfaqësuesve politikë të shqiptarëve të rajonit me temë: “Roli i Shqipërisë në promovimin e interesave kombëtare të shqiptarëve në hapësirën e Ballkanit Perëndimor”.

Kjo konferencë, e konceptuar si një tryezë pune, mblodhi të gjithë përfaqësuesit e lartë politikë shqiptarë nga rajoni, si Ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacollin, Nënkryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Genc Nimanbegu, Kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, e shumë të tjerë.

Qëllimi kryesor i konferencës ishte krijimi i platformave të përbashkëta të veprimit dhe bashkërendimi i qëndrimeve politike në shërbim të afirmimit të të drejtave kombëtare.

“Roli i shqiptarëve është i patjetërsueshëm në mbështetje të proceseve euroatlantike në Ballkanin Perëndimor! Sidoqoftë, procesi i integrimeve euroatlantike nuk zëvendëson domosdoshmërinë e thellimit të bashkëpunimit mbarëkombëtar!”– u shpreh Ministri Cakaj në një reagim në Facebook në lidhje me këtë çështje.

Ai nënvijëzoi veçanërisht rëndësinë e bashkërendimit të plotë të politikës së jashtme mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Thellimi i marrëdhënieve brenda shqiptarëve sipas Cakaj, është sa detyrë kombëtare e historike aq edhe interes politik e strategjik.

Përfaqësuesit politikë shqiptarë në rajon përshëndetën dhe vlerësuan nismën e kreut të diplomacisë shaiptare për t’i mbledhur në një tryezë të përbashkët.