MENU
klinika

Kujtimet e Mit’hat Frashërit në 1909-ën

Ja kur u hap rruga Elbasan-Manastir

15.11.2019 - 07:59

Në kujtimet e Mit’hat Frashërit nga udhëtimi nga Manastiri drejt Elbasanit në 19 gusht 1909 vijnë detaje nga hapja e kësaj rruge përmes Librazhdit.

Deri atëherë kjo rrugë ishte bërë me karvane duke ndjekur gjurmën e Via Egnatia. Ja si e përshkruan ai periudhën kur është duke kaluar në këtë rrugë në ndërtim:

…Pas katër orë e gjysmë, arrijmë në Babje, ku një han dhe një gurëz anë udhës po na presim që të hamë drekë.
Poshtë Babjes, tej Shkumbinit po shohim çadra ushtarësh: këto janë çadrat e ushtarëve që punojnë në udhë. Pesëqind ushtarë nga ata që bënë trubullimin e 31 marsit në Stamboll, janë dërguarë këtu që të punojnë në udhë: tani udha, duke nisur nga Ura e Qukësit do të shkojë buzë Shkumbinit më anë të djathtë dhe jo nga shkëmbenjtë dhe nga malet e Çuras (Xhyres) e të Babjes, sikundër që ish shënuar herën e parë. Udha sot gjer në Babje ka arritur dhe pandehet se në vaftë kështu, gjer motin që vjen do arrijë në Elbasan: nga vija e re udha do të jetë më e mirë se s’ka të përpjetë e të tatëpjetë.

Me shokun e afërm, zotin Idhomene Kosturi, po kuvëndojmë mbi nevojat e mëdha që ka vëndi ynë për udhë që të mundim të lëvrijmë dhe të punojmë. Po mendohemi se kjo udhë e re në mes Manastirit dhe Elbasanit, duke u zgjatur gjer në Durrës, do të çelin një rrugë të re dhe të lehtë: kjo udhë duke u bashkuar dhe me Korçën do sjellë një lehtësi të madhe në tregti të Shqipërisë së mesme: sot plaçket e Triestës vijnë prej Selanikut me udhë të hekurtë në Manastir; po ahere do vijnë drejt për drejt nga Durrësi dhe bëhet një ekonomi e madhe.
Po dhe shumë dobi e lehtësira do kemi kur të mundin të punojmë dhe automobilët mbi këto udhë: ahere një udhë dy ditësh do bëhet një gjysëm dite dhe automobilët do jenë si gjysmë udhë të hekurta.

Duke kuvënduar kështu po harronin kohën, kur përnjëherë një shok na thirri së prapsmi: këtu duhet që të zbrisnim nga kuajt dhe të ecim më këmbë, se ish një e tatëpjetë e keqe. Ndodheshim në një vend që i thonë Brinjë e Polisit dhe me të vërtet u zbritëm kafshëve, se në Shqipëri më të rallë mund njeriu që të udhëtojë një ditë të tërë pa u shtrënguar që të zbresë nga shala…..

Shënimet janë sjellë nga Shefqet Deliallisi, ndërsa theksohet rëndësia e kësaj rruge, që sot mbetet një nyje kyçe për Shqipërinë.

Foto 1 dhe 2 : Drejt Elbasanit
FOTO 3: Elbasan me 1902 Puna në meremetimin e rrugës për në luginën e Shkumbinit, 15 km poshtë Elbasanit .