MENU
klinika

Nga The Gurdian/ Lea Ypi

U rrita në Shqipërinë Staliniste ku votimi ishte i kotë…

11.11.2019 - 16:49

Unë nuk kam votuar kurrë në zgjedhje. Jo sepse nuk kam dashur, por sepse nuk kam mundur. Për gjithë jetën time si një vajzë e rritur, kam qenë një emigrante. Unë kam jetuar në vendet e huaja mjaftueshëm kohë për t’u interesuar për politikën e tyre, por asnjëherë aq sa duhet për t’u kualifikuar për të marrë nënshtetësinë.

Unë u rrita në Shqipërinë Staliniste, një vend ku votimi ishte një proces absurd i kryer në mënyrë ciklike nga qytetarët që e dinin se zgjedhjet ishin të kota.

Çdo katër vjet, prindërit e mi zgjoheshin në orën 4 ose 5 të mëngjesit dhe shkonin në qendrat e votimit. Besnikëria ndaj partisë matej nga devotshmëria.

Disa orë më vonë, i vetmi kanal televiziv ekzistues shpallte triumfalisht rezultatin: e vetmja parti që garonte kishte fituar 100% të vendeve.

Zgjedhjet ishin një lloj konfirmimi që dëshira e njerëzve dhe ajo e partisë ishin të njëjta. Parulla zyrtare ishte: “Çdo votë është një plumb për armiqtë tanë imperialistë dhe revizionistë.”

Shpesh pyesja veten: meqë zgjedhjet ishin qartësisht thjesht farsë, pse nuk merrnin fund? Ndoshta kjo ndodh sepse ato konsiderohen si një sinjal i përparimit. Ideja ishte se, ashtu si heqja e skllavërisë, ishte një nga ato ngjarje historike që mundohet të vërtetojë se harku i universit moral i “përulet” drejtësisë. Fakti që premtimi shpesh nuk mbahet në të vërtetë, ka tendencë të injorohet. Këtu analogjia me skllavërinë duket se na thotë: asnjë komb bashkëkohor nuk mund të rikthejë ligjërisht skllavërinë, edhe pse miliona njerëz jetojnë në kushte skllavopronare.

Sot, çdo komb pretendon të jetë një demokraci, pa marrë parasysh se sa farsë janë zgjedhjet në thelb, askush nuk i zhduk ato.

Ka disa mënyra për të kompenduar pamundësinë e votimit në vendin ku jetoni. Dikush mund të votojë në vendin e origjinës, nëse e lejojnë rrethanat. Ose angazhohuni në forma të tjera të politikës, si të qenurit anëtar i një partie ose angazhimi në protesta. Por jo të gjithë kanë privilegjin të ndërmarrin këto veprime: ka emigrantë, për të cilët vështirësitë e jetës, kërcënimet e punëdhënësve dhe presioni janë aq të mëdha, sa që asnjë nga këto nuk është e mundur në distancë.

Sigurisht, ka edhe miliona qytetarë që zgjedhin të mos votojnë. Ata mund të përballen me kufizime, ose thjesht mendojnë se të gjithë politikanët janë të njëjtë, dhe se zgjedhjet kanë shumë pak rëndësi. Por zgjedhja për të mos votuar nuk është njësoj sikur të mos kesh zgjedhje. Bojkotimi i zgjedhjeve është një ushtrim në lirinë politike, por edhe të mos kesh mundësi mund të jetë e kundërta.

Votimi është shumë i rëndësishëm për legjitimitetin demokratik. Duke zgjedhur ata që na përfaqësojnë në parlament, ne kemi thënë diçka lidhur me ligjet që do të na qeverisin në të ardhmen. Pa bërë këtë, ne thjesht i bindemi rregullave të autorizuara nga të tjerët. Larg nga të vendosurit vetë për fatin tonë, ne jemi objekt i vullnetit të të panjohurve.

Institucioni qendror i demokracisë liberale është zgjedhja e përfaqësuesve në intervale të rregullta kohore. Ne duhet të zgjedhim deputetë në bazë të politikave që ata premtojnë të paraqesin dhe të vlerësojmë këto politikave bazuar në përputhjen e tyre me vizionin e partive që ata përfaqësojnë.  Megjithëse zakonisht keqpërdoren në shtyp, pa partitë politike demokracia do të konsistonte në një rregull arbitrar nga individët. Roli i partive, historia e tyre, antagonizmi i tyre i ndërsjellë, trashëgimia që ato përfaqësojnë dhe parimet ku ato mbështeten, i ndihmojnë qytetarët të krijojnë pikëpamjet e tyre për çështje me interes të përbashkët. Kritikat dhe aktivizmi nga qytetarët, nga ana tjetër, duhet të ndihmojnë partitë në angazhimet e tyre politike.

kolana e librave

Në rastin ideal, zgjedhjet janë ngjarje paradigmatike gjithëpërfshirëse në jetën e një komuniteti politik demokratik. Slogani “një person, një votë” përshkruan mjeshtërisht potencialin e institucioneve demokratike. Sigurisht, në realitet, pasuria dhe fuqia shpërndahen aq në mënyrë të pabarabartë në shoqëritë kapitaliste, saqë aftësia e një pakice të pasur për të formuar axhendën dhe për të ndikuar në vendimet politike, ndryshon krejtësisht rrjedhën e debatit dhe “çorodit” idealin e përfaqësimit demokratik.

E megjithatë, ekziston kjo një ditë, dita e zgjedhjeve, në të cilën të gjithë qytetarët kanë fuqi të barabartë. Nuk ka rëndësi nëse jeni i ri apo i moshuar, grua apo burrë, homoseksual ose jo, i pasur apo i varfër, shumë i artikuluar ose jo i mirëarsimuar, një politikan profesionist apo pastrues dritaresh.

Nuk ka rëndësi nëse jeni Mike Ashley apo Brenda nga Bristol. Secili person ka një dhe vetëm një votë, dhe, në ditën e zgjedhjeve një votë ka potencialin të bëjë ndryshimin.

Vetë nëse, natyrisht, ju nuk jeni një qytetar i këtij shteti. Atëherë dikush tjetër do të vendosë në emrin tuaj, dhe pasojat e vendimeve të tyre do të jenë më dramatike nëse ju prekeni nga to. Në këtë rast, dita e zgjedhjeve do të jetë një kujtesë “e hidhur” e dallimeve që vazhdojnë të përshkojnë shoqëritë liberale, megjithë premtimin e tyre për përfaqësim.

Dita e zgjedhjeve është kur diferenca midis atyre që i përkasin dhe atyre që nuk e pohojnë publikisht.

Më 12 dhjetor, shumë migrantë në Mbretërinë e Bashkuar, si qytetarë të BE-së, por edhe jo-të BE-së, mund ta kalojnë ditën, duke parë miqtë e tyre të votojnë dhe duke u kërkuar njerëzve të tjerë të bëjnë të njëjtën gjë. Ata mund të qëndrojnë deri vonë për të zbuluar se cila parti do të krijojnë politikat që do të vendosin për jetën e tyre për vitet e ardhshme. Por në fund të fundit, për një çështje me rëndësi thelbësore për jetën e tyre, atyre do t’u mohohet mundësia për të dhënë mendim.

Disa mund të argumentojnë që votimi është një lloj farse gjithsesi, duke cituar deklaratën famëkeqe të Rousseau: “Populli anglez mendon se është i lirë; gabohet shumë, është i lirë vetëm gjatë zgjedhjes së deputetëve; sapo ata zgjidhen, skllavërohet. ”Por, edhe nëse Rousseau kishte të drejtë, ne do të ishim më keq pa fuqinë për të votuar, dhe liria e vërtetë për të gjithë do të ishte edhe më e vështirë për t’u marrë.

Kjo është arsyeja pse votimi është i rëndësishëm. Është më shumë se një e drejtë, është një përgjegjësi, përgjegjësi e atyre që kanë fuqinë e votës për të ushtruar atë fuqi në emër të atyre që nuk e bëjnë. Sigurohuni që ta përdorni.

Lea Ypi është një lektore shqiptare në Shkollën e Ekonomisë së Londrës, profesoreshë e teorisë politike.

Përkthyer dhe përshtatur nga The Guardian/ konica.al