MENU
klinika

Mbledh urgjent qeverinë

Jo më ndihma! Rama tregon se për çfarë ka nevojë sot Durrësi

28.11.2019 - 08:42

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë këtë mëngjes, lidhur me situatën katastrofike, në të cilën ndodhet vendi pas tërmetit.

Ndër të tjera, kreu i qeverisë tha se për momentin nuk nevojë për ndihma, pasi janë mbledhur masivisht nga të huajt, por duhet bërë shpërndarja dhe koordinimi i tyre në mënyrë të shpejtë dhe të drejtë.

I prekur në masë nga kjo situatë, Rama tha se vatra më e zjarrtë është në Thumanë, ku po pritet që të përcillen të vdekurit dhe më pas familjarët e prekur të sistemohen menjëherë.

“Nuk ka më nevojë për ndihma, pasi falë jush ka masivisht, por mund të ketë nevojë për më shumë bashkërendim dhe koordinim. Ju lutem të gjithë atyre që do të vijnë të drejtohen te Ministria e Mbrojtjes, në mënyrë që të bëjnë një ndarje sa më të drejtë të ndihmave. Plaga është te strehimi, ndaj dhe duhet të fokusohemi te ky kontribut.

Është një situatë me përmasa të atillë që do të kishte lëkundur shtete shumë më të mëdha se sa ne. Është bërë një super-pune, me një investim moral dhe fizik. Na ra ne, dhe ne duhet ta mbajmë, nuk kemi asnjë rrugë tjetër t’i shmangemi kësaj sfide, që do shënojë në memorien tonë një nga momentet më të pashlyeshme në çdo aspekt.
Në faqen e ‘e-albania’ pashë të dhënat, ka kontributorë të mëdhenj, por ka dhe kontributorë të vegjël, por që janë tejet të çmuar.

Në Thumanë i kemi njerëzit në çadra, sepse aty është një vatër e zjarrtë tragjedie. Por, së pari na duhet të përcjellim të vdekurit, numri i të cilëve ka arritur në 39. Menjëherë pas momenteve të lamtumirës së dhimbshme, do të jetë gati gjithë logjistika për t’i strehuar, ushqyer dhe asistuar”, tha Rama.

Shefi i qeverisë tha se po punohet pa pushim, natë e ditë për të garantuar çdo nevojë ndaj familjeve të prekura.

Sipas tij, edhe pse situata vijon të jetë e rëndë, ekipet duhet të punojnë për inventarizimin e familjeve që strehohen në hotele, por dhe verifikimet konkrete në terren në banesat apo shtëpitë e shkatërruara.

Teksa foli gjatë para ministrave, Rama pohoi se çdo familje e prekur do trajtohet me solidaritet të plotë.

“Ndërkohë që bilanci i të vdekurve është rritur, kërkimet pa pushim të trupave heroike të shpëtimit nuk kanë arritur të nxjerrin më jetë nga gërmadhat, ata të cilët kanë vijuar dhe vijojnë të punojnë në kushtet e një rrezikshmërie tanimë shumë të lartë, qofshin përfaqësues të trupave tona dhe jo vetëm.

Është momenti për të ndihmuar psikologjikisht një popull të traumtizuar dhe nuk është momenti për audiencë, like dhe komente. Të gjithë të kontribuojnë sa të munden për të qetësuar shpirtrat e stërtrazuar të njerëzve dhe për të përçuar informacion real. Kjo është koha e psikologëve dhe jo e astrologëve. Nga mbrëmë nuk ka asnjë familje që nuk ka një strehë, që nuk është e mbrojtur nga shiu dhe e garantuar me ushqime.

Duhet të punohet me shumë këmbëngulje. Do të na duhet shumë vëmendje ndaj këtyre njerëzve, shumë dinjitet në shërbimin ndaj tyre dhe do të na duhet një durim i hekurt, të cilin ne duhet ta kemi. Ne duhet të garantojmë kushtet optimale për në këto kushte, kur kanë humbur pasurinë e tyre. Tani është momenti për të inventarizuar të gjithë kuadrin e situatës së familjes duke bërë verifikime strikte të familjeve që strehohen në hotele. Duhet intensifikuar puna për banesat fizike dhe të iventarizohen.

Komiteti Kombëtar i Rindërtimit është krijuar që dje, është në fazën fillestare të punës dhe unë do të doja që të theksoja që ministria e Infrastrukturës, e cila meriton mirënjohje për gjithë sakrificën së bashku me kolegët e tjerë, që ju ka rënë detyra të përballajojnë situatën në vijën e frontit, duhet të garantojmë përfshirjen e të gjithë inxhinierëve nga të gjithë rrugët e jetës nga sektori publik e privat” -tha Rama.