MENU
klinika

Konfirmimi

Keqardhje, talenti shqiptar humb ndeshjet e Kombëtares

04.11.2019 - 16:47

Një lajm i keq vjen për trajnerin Edy Reja dhe Kombëtaren shqiptare në prag të dy sfidave të radhës, më 14 nëntor me Andorrën dhe më 17 nëntor me Francën.

Lojtari më në formë i Kombëtares, Marash Kumbulla, është dëmtuar. Mbrojtësi shqiptar 19-vjecar po bën paraqitje fantastike me Veronën e tij, por në sfidën ndaj Brescias, Kumbulla ka lënë fushën i dëmtuar.

Vetëm 14 minuta ka zgjatur ndeshja e tij, teksa pas konsultimit me stafin mjekësor, ka vendosur të mos ta vazhdojë më tej ndeshjen. Të tjera ekzaminime pritet të bëhen për të mësuar shkallën e dëmtimit të Kumbullës, por njoftimi i parë nga klubi berdheblu është që do qëndrojë 2 javë larg fushave.

Një mungesë mjaft e rëndësishme për Kombëtaren tonë, pasi lojtari ynë po kalonte një formë të shkëlqyer. Kumbulla debutoi me Kombëtaren A në ndeshjen e fundit ndaj Moldavisë, por kujtojmë që këtë sezon, të paktën deri tani, ka bërë paraqitje mbresëlëse.

Në vitin e tij të parë në Serinë A, vetëm 19 vjeç, ai është aktivizuar në 9 ndeshje nga 11 në total, duke shënuar edhe një gol të bukur. Kaq mjafton për të thënë se ai është shumë i rëndësishëm në ekipin e tij në mbrojtje dhe jo rastësisht Verona ndodhet në vendin e 9-të, me vetëm 9 gola të pësuar, aq sa ka pësuar edhe Juventus, dy skuadrat që kanë pësuar më pak gola.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN