MENU
klinika

Nga Deutsche Welle

Klaus Iohannis, sërish president në Rumani

25.11.2019 - 15:12

Presidenti i ardhshëm i Rumanisë do të jetë Klaus Iohannis.

Ai fitoi në balotazh me 63,1% të votave kundër konkurrentes, Viorica Dancila. Nuk ka pasur kurrë kohë më të mirë për një fillim të ri, mendon Robert Schwartz.

Atmosferë e zymtë në selinë e partisë socialdemokrate, PSD, ku kandidatja Viorica Dancila humbi. Të trishtuar shoqet e shokët e partisë shikojnë nga kamerat, sikur të kishin kuptuar, se këto zgjedhje, të humbura kaq keq ishin lopata e fundit për varrin politik, që është hapur për partinë postkomuniste. Ndonjë kritik mund të mendojë, pushofsh në paqe.

Ata e donin kështu, ata e bënë partinë si pronë të vetën, e keqdrejtuan deri në frymën e fundit. Kjo dëgjohet këtë të dielë nga ndonjë zë socialdemokrat. Humbi Viorica Dancila, e preferuara e kreut të dënuar të partisë, Liviu Dragnea dhe administratorja e tij. Ajo e mori si kryeministre edhe drejtimin e partisë, kur mentori i saj, Dragnea duhej të shkonte në burg për shpërdorim detyre. Qeverisë së Dancilas iu desh të dorëhiqej para disa javësh, pasi ish-bashkudhëtarë politikë të saj i kanë kthyer kurrizin dhe ia dhanë mbështetjen partisë liberal-konservatore, PNL.

Kandidatura e Dancilas për zgjedhjet presidenciale, duhej t’i jepte PSD-së një hov të ri, menduan strategët partiakë. por llogaria nuk doli. Viorica Dancila dështoi. Jo vetëm nepotizmi dhe korrupsioni, edhe përpjekja për çmontimin e shtetit ligjor sollën implodimin e PSD-së. E këtë rënie të lirë të partisë nuk e ndalën dot as propaganda nacional-populiste, dhe baltosja e presidentit të detyrë, Klaus Iohannis. Sidomos shtresa e mesme, rumunë të shkolluar brenda dhe jashtë vendit nuk u stepën -ata panë tek Klaus Iohannis në këtë raund të dytë zgjedhor, kandidatin e tyre për një Rumani normale europiane. Megjithë gabimet, që ai bëri në mandatin e parë, nën presionin e PSD-së e institucioneve të kontrolluara prej saj.

Klaus Iohannis tani duhet të japë rezultate

Iohannis tregoi, se ka mësuar nga gabimet e mandatit të parë. Ish-mësuesi i dikurshëm i fizikës dhe kryebashkiaku i qytetit Sibiu të Siebenbürgenit, zbuloi në kohën e duhur votuesit e tij. Ai ndoqi një rrugë pragmatike dhe me durim, përzierja e duhur, për të mbajtur larg kundërshtarët e tij në PSD. Shumica e rumunëve dëshiron një vend normal me politikanë normalë, rezultati i këtyre zgjedhjeve është një provë për këtë. Njerëzit në Rumani duan një shtet ligjor europian, një drejtësi të pavarur, dhe njerëz pa njolla korrupsioni në politikën e vendit të tyre.

Klaus Iohannis në një fushatë zgjedhore të mërzitshme premtoi rikthimin në normalitet. Tani ai duhet të japë rezultate. Qëndrimi i tij hezitues nganjëherë i lidhur me një qeveri armiqësore kundrejt tij ka lënë gjurmë. Së bashku me qeverinë liberal-konservatore, PNL, partinë që e mbështet atë politikisht, Klaus Iohannis duhet të kthejë mbrapsht hapat që ndërmori PSD-ja për dobësimin e strukturave demokratike. Këtë nuk e presin vetëm rumunët brenda vendit, por edhe më shumë se 4 milionë rumunë, që janë larguar nga vendi për shkak të mungesës së perspektivës.

Nëse Iohannis do ta ndalë largimin e pandalur të trurit nga vendi, e të kthejë në vend njerëzit që e zgjodhën me shumicë absolute, duhet që fjalët t’i bëjë tani vepra. Vetëm një fillim i ri autentik me përfshirjen e forcave pro-europiane mund ta kalojë Rumaninë në ujëra të qeta. Koha për këtë nuk ka qenë kurrë më e mirë./DW

Pse lëvizja mund të rrisë tensionet mes dy vendeve

SHBA zhvendos sistemin raketor Typhon pranë Kinës

Gratë snajperiste poshtëruan iranianët

Kush fshihet pas Kupolës së Hekurt?

Pse “dragoi” ka në dorë rrjedhën e luftës?

Rusia mund të tërhiqet nga Ukraina, falë Kinës

Teherani kërcënon me një armë të re

Hakmarrja e Izraelit ndaj Iranit nuk do të vonojë

Franca dhe Gjermania dalin jashtë loje

Veriu i Evropës merr në dorë “frenat” e NATO-s