MENU
klinika

Ku u përqëndruan diskutimet?

Klubi i Guvernatorëve/ Sejko: Fokusi jonë, nxitja e kreditimit

22.11.2019 - 13:15

Në fokus të punës së Bankës së Shqipërisë, krahas stabilitetit të çmimeve, kanë qenë gjithashtu stabilizimi i kursit të këmbimit dhe nxitja e kreditimit të shëndetshëm.

Kështu u shpreh Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në takimin e 42-të të Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit, i cili u zhvillua në Pragë, me pjesëmarrjen e drejtuesve të bankave qendrore të vendeve anëtare të Klubit.

Gjatë pjesëmarrjes, Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të situatës ekonomike dhe financiare shqiptare, ku theksoi se zhvillimi i vendit mbetet në një trend pozitiv dhe se aktiviteti ekonomik ka bërë progres drejt rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë.

Më tej, diskutimi i Guvernatorit Sejko u ndal në përshtatshmërinë e përdorimit të mjeteve dhe instrumenteve të politikës monetare nga bankat qendrore, me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar, kthimin e inflacionit në objektiv dhe krijimin e kushteve të favorshme të financimit.

konica ekonomiakonica ekonomia mobile

Ai u shpreh se, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me institucionet e tjera në vend kanë qenë të angazhuara në hartimin e masave të ndryshme, ndër të cilat mund të përmenden plani i masave për reduktimin e nivelit të kredive me probleme në sistemin bankar, platforma për rigjallërimin e kreditimit, modernizimi i sistemit të pagesave, etj.

Guvernatori theksoi se falë punës së vazhdueshme të institucionit që ai përfaqëson dhe ushtrimit të rolit të tij, sektori financiar paraqitet i qëndrueshëm, tregjet e brendshme financiare operojnë të qeta, me norma të ulëta interesi, prime të ulëta rreziku dhe me qëndrueshmëri në rritje të kursit të këmbimit, tregues këta që evidentojnë një ambient të gatshëm për të mbështetur më tej zhvillimin ekonomik të vendit.

Klubi i Guvernatorëve shërben si një platformë diskutimi rreth zhvillimeve të vendeve anëtare, ku bankat qendrore shkëmbejnë eksperiencat, forcojnë lidhjet për bashkëpunim në të ardhmen dhe prezantojnë zhvillimet e fundit.

Punimet e Klubit u përqëndruan në sfidat e ndryshme me të cilat përballen sot bankat qendrore në përmbushjen e objektivit të tyre për ruajtjen e stabilitetit financiar, qëndrueshmërisë së çmimeve si dhe evidentimin e mekanizmave të ndryshëm të politikës monetare bazuar në zhvillimet e fundit ekonomike.