Ballkani është shumë aktiv në ndihmë të Shqipërisë në këto ditë të vështira pas tërmetit të fortë. Në veçanti kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë marrë nisma konkrete.
Nuk kanë mbetur pas edhe klubet e futbollit, të cilat kanë hapur dyert e stadiumeve për të ndihmuar të prekurit, ndërsa një pjesë kanë mbledhur shuma monetare.
I tillë gjest i madh ka ardhur nga Shkupi, nga ku klubi i qytetit ka dhuruar një donacion me 10 mijë euro për njerëzit në nevojë në qytetin e Durrësit.
Ky është një vendim i drejtuesve të klubit nga Çairi, teksa së bashku me biletat e grumbulluara nga ndeshja mes Shkupit dhe Akademija Pandev, arritën në kuotën e 10 mijë eurove.
Gjithashtu, si pjesë e kësaj nisme nuk mund të mungonte edhe tifogrupi “Shvercerat”, të cilët edhe në ditën e djeshme në ndeshjen e skuadrës kanë hapur banderolën me mesazhin solidarizues: “Jemi një gjak, e mish e asht”.