MENU
klinika

Proritetet e buxhetit 2020

Konsumi dhe investimet do të ‘mbushin’ portofolin e shtetit

18.11.2019 - 12:14

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj prezantoi këtë të hënë projekt-buxhetin për vitin 2020 në komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese.

Denaj bëri të ditur se një kuadër makroekonomik i kujdesshëm dhe realist, vazhdimi i konsolidimit fiskal, financa publike të forta, stabiliteti financiar dhe qëndrueshmëri e pozicionit të jashtëm të vendit, janë objektivat e p/buxhetit për vitin 2020.

“Në terma të politikave dhe indikatorëve makroekonomikë, ky buxhet synon realizimin e një rritjeje ekonomike, e cila parashikohet të jetë në nivelin 4.1% në vitin 2020, një rritje e gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi ashtu edhe investimet. Kjo rritje e parashikuar për 2020 do të përkthehet në më shumë punësim. Konkretisht krijimin e rreth 35 mijë vendeve të reja pune dhe uljen e mëtejshme të shkallës së papunësisë poshtë nivelit 11%”– u shpreh Ministrja Denaj.

Projektbuxheti i vitit 2020, tha Denaj, siguron një nivel të lartë të investimeve publike prej mbi 4.5% e Produktit të Brendshëm Bruto, në mbështetje të rritjes ekonomike dhe punësimit.

Gjithashtu, vijoi ajo, synohet ruajta e balancës primare pozitive, e cila do të jetë pozitive për të pestin vit radhazi në nivelin 0.7%, duke synuar mbajtjen e borxhit në trajektoren rënëse, ndërsa në fund të vitit 2020 borxhi publik pritet të ulet në nivelin e 62.2% të PBB, për të zbritur poshtë 60% të PBB në 2021 dhe më tej në rreth 57% në vitin 2022.

“Përmes projektbuxhetit synohet mbajtja e deficitit buxhetor nën nivelin e 2%, ku për vitin 2020 planifikohet të jetë në nivelin 1.6% të Produktit të Brendshëm Bruto, niveli më i ulët i targetuar në dy dekadat e fundit”- deklaroi ministrja Denaj.

Shpenzimet buxhetore të programuara për vitin 2020, tha ajo, janë rreth 532 miliardë lekë ose rreth 29.7% e Produktit të Brendshëm Bruto, me një rritje rreth 5.1% krahasuar me të pritshmin e vitit 2019.

U theksua gjithashtu se prioritet në projektbuxhetin e vitit 2020 është mbështetja për arsimin, shëndetësinë, bujqësinë dhe infrastrukturën.

“Më konkretisht, arsimit është parashikuar t’i alokohen 3.3 miliardë lekë më shumë se buxheti viti 2019; Shëndetësisë 2.75 miliardë lekë më tepër se viti 2019 dhe Bujqësisë 1.8 miliardë lekë më shumë se viti 2019 ose rreth 12% më tepër.”- përfundoi Denaj.