Eurodeputetja dhe Raportuesja për Liberalizimin e vizave për Kosovën në PE, Tanja Fajon, ka ripërsëritur se Kosova ka përmbushur kriteret për të lëvizur lirshëm, dhe se pret nga Komisioni Europian që të jenë më të përkushtuar rreth kësaj çështje.
Në një deklaratë për lajmi.net, Fajon ka theksuar se është koha që BE-ja të përmbushë premtimet e saj.
Ajo më tej ka shtuar se pret shumë nga Komisioni Europian dhe Presidenca Finlandeze, sa i përket kësaj çështje.
“Siç e dimë, Kosovës iu dha drita e gjelbër për liberalizimin e vizave nga Parlamenti Evropian në muajin prill. Supozohet se Komisioni i ri Evropian (KE) do ta nisë punën në dhjetor. Unë pres prej KE-së dhe kryesimit të Finlandës të jenë më të përkushtuara ndaj kësaj çështjeje.
Unë u kam bërë thirrje atyre ta kthejnë në agjendë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Unë mbaj qëndrimin e njëjtë: Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet të cilat është pritur nga ajo t’i plotësojë. Është e nevojshme që BE-ja ta mbajë premtimin e vet”, ka thënë Fajon.
Tutje, Fajon ka shtuar se Parlamenti Europian ka mjaftë dështime me Ballkanin Perëndimor, dhe se ajo beson se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën duhet të kthehet në tryezë.
“Në kohët e fundit, ne në Parlamentin Evropian dhe grupi S&D kemi mjaftë dështime në çështjet e Ballkanit Perëndimor. Është koha ta nisim t’i përmbushim premtimet, gjithashtu. Sa i përket kësaj, unë sinqerisht shpresoj se çështja e liberalizimi të vizave për Kosovën do të kthehet në tryezë gjatë presidencës së Finlandës”, ka thënë Fajon.
Kujtojmë se Fajon vazhdimisht ka ripërsëritur se Kosova ka përmbushtur të gjitha kushtet për të fituar liberalizimin e vizave dhe se BE po tregohet e padrejtë me vendin.