MENU
klinika

Shpati

Krahina e njerëzve me dy fe që i rezistuan shekujve

11.11.2019 - 07:53

Njihet një zonë në Shqipëri që ruajti besimin e saj gjatë pushtimit turk dhe në komunizëm në një mënyrë të veçantë: zyrtarisht ishin myslimanë në regjistrat e kishës, ortodoksë dhe kjo vazhdoi ndër shekuj.

Është e vetmja që ka shumicë dërrmuese ortodokse sot, madje Mitropolia e konsideron si njësi më vete. Bëhet fjalë për Shpatin, një territor historik që jo vetëm ruajti fenë duke përdorur një taktikë të zgjuar por edhe luftoi duke mos prandaj islamizimin pavarësisht fushatave të herëpashershme për të nënshtruar banorët, që refuzonin edhe taksat e rënda që iu vunë për shkak të besimit të ndryshëm.

Ja si e përshkruan kleriku Stavri Çipi këtë fenomen në Shpat

Ne shekujt XVI E XVII një dukuri e veçantë u shfaq në mes të popullsive të krishtera të cilat nuk deshën të përkrahnin islamin. Ajo u duk shpejt e mbretëroi gjatë në Shpat. Krishtërimi i fshehtë ( kriptokristianizmi ) përfaqësonte një gjendje kalimtare dy-besimi, përmes së cilës individë të krishterë e pranonin islamin vetëm formalisht, me qëllim që të shmangnin pagesën e taksës dhe të haraçit dhe të gëzonin barazinë me popullsinë myslimane në jetën shoqërore.

Duhet thënë se për shumë kohë këto zona qëndruan të krishterë të fshehur ashtu si edhe Shpati ( kriptokristianë) duke pranuar të regjistroheshin me emra muhamedanë e në jetën e përditshme të thirreshin me emra të krishterë e të kryenin ritet e kishës.
Kriptokristianizmin Shpati e ka përkrahur pas shekullit të XVI, por kjo gjendje nuk zgjati shumë. Kështu pak nga pak nga presioni i pushtetit, taksat e detyrimi ushtarak të krishterët u gjunjëzuan dhe u pranua kalimi shkallë-shkallë në myslimanizëm. Zona e Sulovës pati një fat tjetër. Ajo vazhdoi të mbetet e krishterë deri vitin 1847. Dhe ja në vitin 1868, vetëm në dy fshatra të kësaj zone në Shën Gjergj e Mollas përmenden vetëm 40 shtëpi të krishtera.
Duhet përmendur me forcë të madhe se përpjekja e shpatarakëve për të ruajtur besimin e tyre të krishterë ka qenë e jashtëzakonshme. Deri në këtë kohë kemi lulëzim të mirë të kishës, ndonëse dara e shtrëngimit të pushtetit Osman nuk ishte e pakët. Piktorët e kësaj periudhe që qenë një çetë e mirë profetësh u përpoqën që të ruanin mësimet e biblës dhe ti transmetonin ato nëpërmjet afreskeve e ikonave pa fjalë tek të krishterët. Dhe mundën t’ia arrinin këtij qëllimi.

Ruajtja në fshehtësi e besimit kërkoi një sakrificë dhe qëndresë të rrallë. Kjo qëndresë sulmohej nga disa krahë. Në ballë ishte qeveria osmane me kundërshtimin e hapur që i bënte. Në krah tjetër ishin edhe lufta e fqinjëve dhe veçanërisht mos përkrahja prej Patrikanës së Konstandinopojës e cila kriptokristianizmin e trajtonte më shumë si herezi se sa si dukuri të vërtetë të krishtërimit. Shpeshherë të krishterët e Shpatit nëpërmjet kishës së tyre refuzonin hapur pagimin e taksës dhe ligjin e rekrutimit.

Në dokumentet islame të viteve 20 të shekullit XVIII popullsia e krahinës së Shpatit përgjithësisht është regjistruar si popullsi e islamizuar. Po në vitin 1832 kur qeveria osmane, i thirri ata nën armë duke i konsideruar si shtetas myslimanë, shpatarakët e deklaruan veten plotësisht të krishterë, duke marrë përsipër të gjitha detyrimet që rridhnin nga një status i tillë. Këto deklarime u bënë në vitin 1846 por Porta e lartë nuk e pranoi këtë shpallje të krishtërimit në këtë zonë me tridhjetë e ca fshatra. Ajo i kishte frikën e përhapjes së kësaj dukurie edhe në zona të tjera të Shqipërisë.

Përpjekja e shpatarakëve për mos ta mohuar besimin e tyre është bërë disa herë. Kështu më 1853 një nga kryepleqtë e Shpatit u paraqit tek qeveritarët në Elbasan e zyrtarisht e deklaroi se Shpati ka qenë kurdoherë i krishterë. Qeveritarët për të bërë presion mbi shpatarakët e burgosën atë në burgun e Dibrës. Po kështu në dokumente thuhet se përsëri më 11 tetor 1832 nga Elbasani 5 priftërinj njoftonin Mitropolitin e Beratit, Joasafin ( 1802 – 1855 ), se 13 fshatra të Shpatit kishin vendosur edhe një herë të shpallnin besimin e tyre të krishterë. Këto fshatra as nuk donin të rekrutoheshin por edhe as të paguanin haraçin.
Presioni mbi të krishterët u rrit më shumë sidomos pas luftës Ruso –turke 1768 – 1774 dhe kryengritjes greke të vitit 1770. Ndodhi nga ky presion që më 1724 në Dragot të Dumresë u islamizuan të gjithë burrat e fshatit. Prej qëndresës pati sigurisht edhe therorë.

Kështu më 11 korrik 1722 u martirizua Nikodhim Dedo i cili thonë se ishte nga Vithkuqi e të tjerë nga Shpati. Familja Dedja (Dedo shkurtim emri prej biografit të jetëshkrimit të tij) tashmë të islamizuar kemi ende në Berat (Bedri Dedja fis edhe ky i larguar nga Shpati Zavalina) e vazhdon të ekzistojë akoma e kësaj dite në Shpat. Në mesin e shekullit të XIX episkopi i Pelagonisë, Kozmai thotë se në Shpat ligjet turke nuk zbatoheshin plotësisht. Ndodhi që më 1889 Hoxhë Jonuz Efendiu, Mytesarif i Elbasanit dërgoi forca të shumta ushtarake në Shpat. Nga kjo reprezalje fshatra u shkretuan e banorët u tërhoqën në male ose edhe u larguan për ti shpëtuar myslimanizimit e ruajtur besimin e krishterë por edhe për të mos i paguar haraçin turkut. Shumë nga krerët u burgosën për gjashtë muaj.

Më 1891 u mblodh Sinodi i Shenjtë i Patrikanës dhe aty Mitropoliti i Beratit Dorotheu, bëri protestë për ngjarjet e Shpatit dhe Patrikana u ankua në Portën e Lartë. Por Jonuz Efendiu e qëlloi përsëri Shpatin më 1893. Përsëri u arrestuan disa krerë të Shpatit por jo Jorgji Qosja i njohur me emrin Isuf Qosja. Ky nuk shkoi në takim pasi e dinte se do të arrestohej e do të dënohej siç kishte bërë më 1882 kur u arrestua e u internua në Erzerum e ndenji atje për gjashtë vjet. Sërish mytesarifi i Elbasanit dërgoi nëpunës për të regjistruar djemtë shpatarakë për ushtarë, por ata nuk pranuan duke u fshehur nëpër male. Kështu i bëhej qëndresë luftës së qeverisë turke, përhapjes së islamizimit dhe gllabërimit të plotë të krishtërimit. E pra e keqja më e madhe u bë se lufta për të islamizuar Shpatin tani po bëhej më e fortë edhe nga vëllezërit shqiptarë që kishin veshur petkun e qeveritari turk. Siç e shohim edhe trimëria e tyre nuk vlen. Edhe me ushtri të madhe shpataraku dhe kisha e tij e kishin vendosur njëherë e mirë se nuk do të dorëzoheshin…

Bërdufi: Kriptokristianizmi ka vazhduar ndër shekuj, gjurmë edhe sot

Studiuesi i njohur i zonës së Shparit Filip Bërdufi thotë se sot ka ende gjurmë të islamizimit të Shpatit me emra por edhe në besim.

“Shpati si njësi gjeografike është përmendur në vitin 1304 në regjistrimin anzhuin. Shuflai përmendte si ndër fiset më të rëndësishme fisin Spatus, që përbëhej nga 40 fshatra dhe fshatërza.

Në vitin 1431 kur bëhet regjistrimi turk i popullsisë së fshatit vetëm Bysheku kishte 280 familje dhe zona e Shpatit shtrihej nga lumi Shkumbin në kufi më Vërçën. Shpati i Poshtëm dhe Shpati i Sipërm. I Sipërmi e ka ruajtur besimin në fshehtësi ndërsa emrat islamë vendoseshin me qëlimin e shmangies së taksave dhe të kishin të drejta të barabarta ndërkohë emrat e vërtetë ruheshin duke ruajtur traditën e besimit dhe traditat kombëtare. Pati dhe fshatra që as nuk fshehën besimin dhe refuzuan të paguajnë taksa. Bëhet fjalë për zonat e thella që mund t’i shpëtonin raprezaljeve turke”.

Sipas Bërdufit në historikun e Kishave në Shpat ka një veçori që kishat janë ndërtuar qysh nga fillimi i krishtërimit dhe çdo fshat thuajse, kishte kishën e tij.

Edhe sot në Shpat në shumë familje gjen emra myslimanë, një element kriptokristianizmi, që banorët e Shpatit e gjetën si zgjidhje duke shpëtuar në këtë mënyrë fenë e tyre të krishterë, të cilën e ruajtën edhe gjatë komunizmit e vazhdojnë ta praktikojnë sot, si një ndër zonat me më shumë të krishterë në qarkun e Elbasanit.