MENU
klinika

40 vjet më parë

Kriza e pengjeve, si nisi armiqësia e egër mes SHBA-së dhe Iranit

05.11.2019 - 18:41

Si dje 40 vite më parë, militantë iranianë sulmuan ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Teheran, duke marrë peng më shumë se pesëdhjetë amerikanë për 444 ditë.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë shprehej respekti për pengjet si dhe dënohej me forcë ky akt. Në deklaratë i bëhej gjithashtu thirrje Iranit që në vend që të jetë sponsori kryesor i terrorizmit në botë, të vendosë në krye interesin e popullit iranian. Ndërkohë sot Irani e përkujtoi 40 vjetorin me demonstrata në gjithë vendin shoqëruar me thirrje antiamerikane.

Duke ringjallur thirrjet e disa dekada më parë “vdekje Amerikës”, Irani shënoi 40 vjetorin e pushtimit nga një grup studentësh të kolegjeve që i përkisnin Linjës së Komeinit dhe që mbështesnin revolucionin iranian të ambasadës amerikane në Teheran. 52 diplomatë e qytetarë amerikanë u mbajtën peng prej 4 nëntorit 1979, deri më 20 janar 1981, ose 444 ditë.

Përkujtimi i kësaj ngjarjeje që hyri në histori si kriza e pengjeve, përkon me tensionet aktuale të lidhura me marrëveshjen bërthamore të Iranit me fuqitë botërore.

Demonstruesit u mblodhën përpara ish-ambasadës amerikane në qendër të Teheranit ndërsa televizioni shtetëror transmetonte pamje nga qytete të tjera në të gjithë vendin.

“Nuk e konsiderojmë SHBA-në si vendin që drejton botën. Ai mund të jetë padroni i vendeve të dobëta, por për vendin tonë të dashur Iranin, nuk është asgjë. Thjesht duket sikur është i madh. Avionët tuaj luftarakë mund të frikësojnë disa vende të dobëta të botës, por jo vendin tonë të dashur“, thotë një demonstrues.

“Sot fidanët e revolucionit janë rritur në pemë të frytshme e të mëdha, hija e të cilave ka mbuluar gjithë rajonin”, tha gjenerali Abdolrahim Mousavi, Komandanti i Përgjithshëm i ushtrisë iraniane.

Duke folur përpara ish-ambasadës amerikane, gjenerali Mousavi paralajmëroi se Irani është i gatshëm “të shkelë me këmbë akrepin vdekjeprurës” siç i cilësoi ai Shtetet e Bashkuara.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë që dënonte aktin e 40 viteve më parë thuhej se regjimi iranian vazhdon të verë në shënjestër civilë të pafajshëm për t’i përdorur ata si garanci për marrëdhëniet e jashtme të dështuara të tij. Aty theksohej se Uashingtoni do të vazhdojë të vendosë sanksione të forta për ta paralizuar Teheranin derisa të ndryshojë sjelljen e tij armiqësore. Teherani e ka një zgjedhje, thuhej në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë: “ai mund të zgjedhë paqen në vend të pengjeve, vrasjeve, sabotimeve, rrëmbimeve në det dhe sulmeve në tregjet botërore të naftës”. Deklarata përfundonte duke theksuar se Shtetet e Bashkuara kërkojnë paqe dhe mbështesin popullin iranian duke i kërkuar regjimi iranian të bëjë të njëjtën gjë.

Përvjetori vjen ndërsa Irani vazhdon të shkëputet nga kushtet e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me fuqitë botërore. Autoritetet e Teheranit njoftuan të hënën se po dyfishohet numri i centrifugave të përparuara që janë vënë në punë të cilat pasurojnë uranium, duke e quajtur vendimin rezultat të drejtpërdrejtë të tërheqjes së Presidentit Donald Trump nga marrëveshja.

Prishja e marrëveshjes bërthamore përkoi me një periudhë të tensionuar sulmesh misterioze gjatë verës ndaj anijeve cisternë dhe objekteve të naftës saudite për të cilat SHBA-ja ka fajësuar Iranin.

Teherani i ka mohuar akuzat edhe pse ka konfiskuar një anije cisternë si dhe ka rrëzuar një dron ushtarak amerikan.

Uashingtoni e ka rritur praninë ushtarake në të gjithë Lindjen e Mesme, përfshirë dislokimin e trupave në Arabinë Saudite për herë të parë që pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Trump kërkon të nisë bisedimet

Marrëdhëniet SHBA-Iran po përmirësohen