Odiseja e një përplasje të gjatë e kthyer në epope politike tashmë, ajo e Unazës së Re apo Astiritk ka arritur sot në kulmin përmbyllës të një përplasjeje, që fundin do ta ketë në fazën tjetër të prishjes së banesave.
Sot IKMT prishi 24 objekte të pjesës së lotit të parë të projektit për zgjerimin e Unazës së Madhe të Tiranës. Aksion që pati një përplasje të fortë mes policisë dhe disa prej banorëve të kësaj zone që refuzojnë prishjen e shtëpive të tyre, duke refuzuar rrugën që autoritetet i kanë propozuar.
Pas një statuskuoje një vjeçare, autoritetet vendosën të ndërhyjnë për të çuar përpara projektin e ndërtimit të rrugës, me aksesorët dhe përbërësit e saj, duke prishur në fillim banesat e ndërtuara në gjurmën e projektit të Unazës.
Ky akt i zbatuar nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes të Territorit u shoqërua me ndërhyrjen e policisë për të ndaluar banorët kundërshtues që të ndalojnë punimet.
Kjo përplasje pati shkopij gome, gaz lotsjellës, lëndime, shtrime në spital, transmetime non stop live në televizione, e natyrisht pastime në rrjete sociale dhe kërcënime politikanësh.
Lulzim Basha, lideri i opozitës shqiptare, i cili gjatë mëngjesit u akuzua nga disa mbështetës radikalë se tradhtoi “jelek-portokallinjtë” e Unazës, shkoi në mesditë në spitalin e Traumës dhe deklaroi se Partia Demokratike kur të vijë në pushtet do të dëmshpërblejë 100% kujdo qytetari që u është prishur shtëpia nga ana e IKMT-së. Pastaj natyrisht Basha akuzoi qeverinë se po e bën rrugën thjesht për të vjedhur, duke shtuar gjithashtu se zgjerimi apo modernizimi i rrugës është krejt e panevojshme, pasi sipas kreut të PD-së, kemi të bëjmë me një rrugë aktuale normale.
Në fakt ja vlen të merresh me këtë qëndrim të ri të kreut të opozitës, i cili ndryshe nga rruga revolucionare e një viti më parë ku deklaroi se opozita nuk do të lejonte prishjen e shtëpive pa leje apo ndërtimin e rrugës, këtë herë ofroi një “rrugë institucionale”, pra kompensimin nga një qeveri “Basha” në të ardhmen.
Ardhja e Bashës në qeveri natyrisht që varet nga zgjedhjet dhe që të ndodhë do të duhet ballafaqimi elektoral, të cilit Basha i është shmangur disa herë.
Megjithatë, edhe sot kur PD është në opozitë, disa rrugë apo instrumente institucionale, i ka në dorë, apo më mirë i ka pasur që prej shkurtit kur dogji mandatet. Partia Demokratike, mund të paraqiste në Kuvend, një ligj apo amendamente ligjore, ku të propozonte pikërisht atë që kërkon ta bëjë në të ardhmen, pra dëmshpërblimin e ndërtimeve pa leje. Sigurisht bashkë me rrugët sesi mund të gjenden paratë për këtë gjë.
Ndërkaq, nëse ka akuza apo fakte që Rama po vjedh, ja ku e ka prokurorinë, mund të çojë denoncimin, të cilin mund ta publikojë edhe në media.
Por në fakt, situate është më e komplikuar se kaq, dhe Basha sigurisht që e di më mirë, edhe për faktin se ka qenë ministër në kohën kur legalizimi i ndërtimeve pa leje u kthye në ligj e VKM nga ana e qeverisë “Berisha”, pjesëtar i së cilës Basha ishte dhe hartoi bazën ligjore e nënligjore të legalizimit të ndërtimeve pa leje.
Pikërisht në një nga vendimet e hartuara nga dikasteri i drejtuar nga Lulzim Basha, pra Ministria e Transporteve dhe Punëve Publike, më 28 qershor 2006, theksohet se nuk legalizohet apo ndërpritet legalizimi për të gjithë ato banorë që kanë ndërtuar në gjurmën ku kalojnë rrugë të nivelit të parë apo të dytë, si në rastin e Unazës së Madhe.
Ja ç’thotë pika 2 e vendimit nr. 438 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të zbatueshëm, për të kualifikuar objektet në ndërtim, që legalizohen ose jo”., vendim i firmosur nga kryeministri i kohës Sali Berisha dhe i dërguar në qeveri nga ministri Lulzim Basha.
- Objekti i ndërtuar pa leje ose shtesa e sipërfaqes tej lejes së miratuar nuk kualifikohet për legalizim ose, nëse është kualifikuar, legalizimi ndërpritet në çdo kohë përpara lëshimit të lejes së legalizimit sipas nenit 28 të ligjit, në rast se legalizimi:
- a) cënon sistemin, rrugor dhe hekurudhor, kombëtar e rajonal, si dhe brezat mbrojtës të tyre, të parashikuar nga plani i përgjithshëm rregullues apo studime të çdo niveli, të miratuar a në proces.
- b) shkel vijën e ndërtimit në rrugët e kategorisë së parë, të dytë dhe të tretë, të parashikuar nga plani i përgjithshëm rregullues, studimet urbanistike apo projektet e veçanta infrastrukturore rrugore të çdo niveli, të miratuara a në process
- c) është ngritur brenda territorit të shkollave, kopshteve, spitaleve, çerdheve, qendrave shëndetësore dhe të çdo institucioni tjetër publik.
c/1. cenon zbatimin e projekteve për zona turistike, zona komerciale dhe rekreative, zonat ekonomike, parqe dhe impiante industriale, për të cilat ka studime të miratuara ose në proces;
ç) cënon integritetin e Monumenteve të Kulturës, sipas përcaktimit të pikës 1, të nenit 29, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003 “Për trashëgiminë kulturore”, të specifikuar nga materiali i publikuar i Institutit të Monumenteve të Kulturës si dhe sipas përcaktimit të nenit 38 të ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006.
- d) është ngritur mbi/ose brenda brezit mbrojtës të kolektorit, digës ose aeroportit.
- dh) cënon trungun kryesor të infrastrukturës inxhinierike sipas përcaktimeve në rregulloren e urbanistikës të miratuar me vendimin nr. 722, datë 19.11.1998, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.
- e) është ngritur brenda territoreve dhe kufirit mbrojtës të zonës komerciale dhe rekreative, të zonave ekonomike apo të zonave të mbrojtura, me akte, ligjore dhe nënligjore, si:
(i) zonë turistike sipas përcaktimit të bërë në nenet 64, 65 e 66 të ligjit nr.8405, datë 17.9.1998 “Për urbanistikën”, të ndryshuar, dhe të pikës 39 të nenit 4 të ligjit nr.9734, datë 14.5.2007 “Për turizmin”, të ndryshuar.”
Ndërkaq, në 6 tetor të vitit 2010, po qeveria “Berisha”, ku Lulzim Basha kësaj here ishte ministër i Brendshëm, pra drejtonte policinë e Shtetit, miratoi një vendim tjetër për legalizimet, që forconte apo ngushtonte hapësirat e ndërtimeve pa leje.
Në këtë vendim thuhet:
Objekti i ndërtuar pa leje ose shtesa e sipërfaqes tej lejes së miratuar nuk kualifikohet për legalizim ose, nëse është kualifikuar, legalizimi ndërpritet në çdo kohë përpara lëshimit të lejes së legalizimit sipas nenit 28 të ligjit, në rast se legalizimi:”.
- b) Shkonja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) shkel vijën e ndërtimit në rrugët e kategorisë së parë, të dytë dhe të tretë, të parashikuar nga plani i përgjithshëm rregullues, studimet urbanistike apo projektet e veçanta infrastrukturore rrugore të çdo niveli, të miratuara a në proces;”.
Pra është gjithçka e qartë dhe Basha-ministër me Bashën-kryetar të PD-së nuk se kanë të njëjtin standard. Vetë Artan Lame, deklaroi kohë më parë se në legjislacionin e legalizimeve ai zbatonte ligjin dhe VKM-të e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës.
Nëse kreu i PD-së flet për një ligj special vetëm për jelek-portokallinjtë e Astirit, këtë duhet ta shpjegojë juridikisht meqë e ka diplomën e avokatit në xhep.
Por duket se ai e di shumë mirë se më pas do të ngrihen valë-valë, kategori të ndryshme që kanë ndërtuar pa leje, që kanë zënë toka e mbivendosur troje në bregdet që do të duan trajtime apo dëmshpërblime të posaçme pasi ligji nuk ua jep ngaqë e kanë shkelur.
Megjithatë, herët e vonë, Basha do t’i ketë jelek-portokallinjtë në shpinë që do t’I kërkojnë shumëfishin e 130 milionë lekëve që njërës prej banoreve të Astirit i shpëtoi pa dashje kur tregoi shpërblimin e dhënë nga qeveria e Edi Ramës…
Konica