MENU
klinika

NBA

Lakers rikthehen te suksesi, mbajnë kreun

13.11.2019 - 11:31

Los Angles Lakers është rikthyer menjëherë te fitorja. Pas humbjes me kampionët e NBA, Toronto Raptors, Lakers fitoi 123-115 ndaj Phoenix, ndeshje që u vendos në minutat e fundit në favor të ekipit kalifornian.

Edhe pse kolektiviteti i ekipit të Phoenix ishte në lartësinë e duhur (6 lojtarë shënuan mbi 11 pikë), kjo nuk mjaftoi. Për Lakers u dalluan Davis me 24 pikë e 12 rebound, Kuzma me 23 pikë e LeBron James me 19 pikë e 11 asist. Lakers mbajnë kreun në Konferencën e Perëndimit.

Mirë u paraqit edhe skuadra e Sacramento, që mposhti 107-99 Portland, ndeshje me dy pamje. Miqtë dominuan në pjesën e parë (Lillard 27 pikë), por në të dytën erdhi përmbysja e vendasve, ku u dallua Bogdanovic me 25 pikë e 10 asist.

Skuadra e Atlanta arriti një fitore të rëndësishme ndaj Denver me shifrat 125-121, duke korur suksesin e katërt sezonal. Diferencën e bëri Trae Young, që realizoi 42 pikë e 11 asist.

Vijon momenti i mirë i skuadrës së Utah Jazz, që mori fitoren e tetë sezonale. Jazz mposhti 119-114 Brooklyn, duke përmbysur një disavantazh prej 15 pikësh në minutat e fundit (Mitchell 30 pikë).

Miami Heat, falë 20 pikëve të Butler dhe Nunn, mposhti 117-108 Detroit, ndërsa Philadelphia triumfoi në sekondat e fundit 98-97 ndaj Cleveland (Embiid 27 pikë e 16 rebound).