MENU
klinika

Çfarë deklaron Bislimi?

“LDK dhe VV nuk duhet ta fusin në pazar edhe postin e Presidentit”

09.11.2019 - 18:22

Negocimin e postit të presidentit nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës që po pretendojnë të formojnë koalicionin e ardhshëm qeverisës, shoqëria civile po e konsideron si të gabuar dhe jo parimor.

Teksa këto dy të parat thonë se ende nuk kanë folur për të parin e vendit, por pa e mohuar se do të merren vesh për këtë çështje, VV kërkon të dijë sa është baraspesha e kësaj pozite nga radhët e LDK-së.

Në lidhje më këtë, nënkryetari i VV-së, Besnik Bislimi thotë se mund të diskutohet për këtë çështje me LDK-në për të evituar mundësinë e ndonjë krize politike në vitin 2021.

“Për hir të stabilitetit politik është mirë që të ketë një pajtim edhe për postin e presidentit. Për arsye se mund të nxjerr një krizë politike sepse nëse presidenti nuk zgjidhet për tri raunde vendi mund të shkojë në zgjedhje. Për me evituar këtë është mirë me u pajtu.

Në princip unë nuk e kam problem nëse LDK insiston që kjo temë të dakordohet dhe pse me qejf e lenë këtë për vitin 2021. Mirëpo LDK duhet në tavolinën e bisedimeve me argumentu saktësisht se pse mendon që kjo temë duhet të trajtohet tash, kush mendon se duhet të marrë këtë pozitë dhe sa është ekuivalenca e kësaj pozite”, thotë Bislimi.

Pikërisht për këtë çështje, dje i pari i LDK-së, Isa Mustafa bëri të ditur se do të negociohet çështja e presidentit me Vetëvendosjen, por pa caktuar emra.

“Në asnjë rast publikisht, e as nuk jam shpreh që unë të jem president i Kosovës, tjerët kanë fillu të bëjnë këtë punë temë dhe problem. Për këtë do të vendosë partia që i takon që ajo të propozojë presidentin e ardhshëm të Kosovës…tani do të merremi vesh se kujt i takon të propozoj kandidatin për president në të ardhmen, por ai kandidat nuk do të propozohet tash. Por kur t’i vijë koha”.

Ndërkohë, kritik për këtë çështje janë pjesëtarët e shoqërisë civile, nga organizata joqeveritare, “Çohu”, Arton Demhasaj thotë se pozita e presidentit nuk duhet të hyjë në pazare politike, pasi ai duhet të jetë në bazë të një konsensusi të përgjithshëm.

“Është shumë e gabueshme që qysh në këtë moment duke ditur që ne kemi president. Ka mandat të paktën edhe një vit e gjysmë nga tash të fillojnë dhe të merren me një pazar të tillë politik, si ka ndodhur në të kaluarën edhe të fillojnë qysh tash të flasin për pozitën e presidentit.

Duke ditur që pozita e presidentit duhet të luaj rolin e unifikimit të faktorit politik. Nuk guxon të lidhet me pazare politike. E po ashtu duke marrë parasysh se VV e ka kundërshtuar pazarin politik që është bërë me pozitën e presidentit. Nuk besoj dhe nuk duhet VV të lejoj që të hyjë në pazare të tilla në këtë moment”, thotë ai.

Mendim të njëjtë për këtë ka edhe profesori universitar, Mazllum Baraliu, i cili thotë se pozita e presidentit do të duhej të lihej pas përfundimit të mandatit të Hashim Thaçit.

“Nuk do të duhej që të futeshin klauzolat përkitazi me ndonjë marrëveshje eventuale brenda marrëveshjes së koalicionit të këtyre dy partive politike sa i përket presidentit. Presidenti i tanishëm ka mandat edhe një vit e gjysmë.

Do të duhej që pavarësisht orekseve e cilit do subjekt politik t’i lihej momentin dhe konfiguracionit të forcave atëherë. Por dhe gatishmërisë së Kuvendit që të votoj atë që me të vërtet do të ishte president konsensual dhe jo të imponohet nga parti politike”, thotë ai.

Presidenti i tanishëm i Kosovës, Hashim Thaçi, po ashtu ka marrë pozitën e tij si pjesë e një marrëveshje politike mes LDK-së dhe PDK-së.