MENU
klinika

Harku kohor 2016-2018

Lejet e ndërtimit/ Rreth 65 % u dhanë për qëllime banimi

24.11.2019 - 12:20

Gjatë harkut kohor 2016 – 2018 janë miratuar gjithsej 2.468 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, mesatarisht 823 leje të miratuara për vit.

Numri më i lartë i lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja, vihet re në vitin 2018, me 1.194 leje të miratuara gjithsej ose 48,4 % e të gjithë lejeve të miratuara gjatë trevjeçarit të fundit.

Sipas INSTAT, viti 2016, është viti në të cilin janë miratuar më pak leje ndërtimi për ndërtesa të reja, me 455 leje të miratuara gjithsej ose 18,4 % e të gjithë lejeve të miratuara gjatë të njëjtës periudhë kohore.

Kërkesa për leje ndërtimi për ndërtesa për banim dominon në krahasim me kërkesat për ndërtesa të tjera si: hotele dhe të ngjashme, zyra, industriale, tregtare apo të tjera.

Gjatë harkut kohor 2016 – 2018, lejet e ndërtimit të miratuara për ndërtesa për banim zënë 64,4 % të numrit gjithsej të lejeve, ndërsa lejet e ndërtimit miratuar për ndërtesa të tjera zënë 36,6 % të këtij treguesi.

Referuar të dhënave të grumbulluara për periudhën kohore 2016 – 2018, rreth 54 % e lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja janë përqëndruar në tre qarqe kryesore: Tiranë, Durrës dhe Fier me përkatësisht 29,4%, 12,6 % dhe 12,2 %.

Qarku i Kukësit është qarku me numrin më të ulët të lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja, me 0,4 % të lejeve gjithsej.