MENU
klinika

Të mbytur në borxhe

Nisin masat ekstreme, Lezha bllokon bizneset

15.11.2019 - 12:33

Bashkia e Lezhës ka nisur zbatimin e masës ekstreme të bllokimit të llogarive bankare të bizneseve që nuk kanë paguar taksat vendore.

Në territorin e kësaj njësie vendore operojnë mbi 3 mijë subjekte, por sipas kryebashkiakut Pjerin Ndreu mbledhja e taksave vendore shkon vetëm në masën 50 %.

Por ajo që nuk pranohet sipas kreut të bashkisë Lezhë, është fakti se në listën e borxhlinjve ka edhe biznese të mëdha.

“50% e biznesit nuk paguan. Më e keqja është se nuk ka një database të kapaciteteve të bizneseve, sipërfaqeve të bizneseve, ka taksa që nuk mblidhen fare dhe nuk ka eficensë. Edhe biznese të mëdha, me emër të madh kombëtar që janë çuditur si më kërkon taksa ti mua. Është absurditet.”– tha Pjerin Ndreu.

Janë rreth 1 mijë biznese që sipas Bashkisë së Lezhës kanë krijuar një borxh të akumuluar prej 1.6 miliard lekësh duke krijuar edhe vështirësi financiare për njësinë vendore.

“Nëse do paguajmë të gjitha faturat për këtë vit, bashkë me rrogat nuk na dalin lekët.”– shtoi Ndreu.

Borxhet e biznesit ishin teme kryesore e diskutimit në mbledhjen e këshillit bashkiak të Lezhës, ku me shumicë votash u miratua fiskale e vitit 2020.

Ajo parashikon uljen në masën 30% të taksave vendore dhe 10 deri në 20% të tarifave të shërbimit.