MENU
klinika

"Tirana Panair 22"

Libra të vegjël shkrimtarësh të mëdhenj

14.11.2019 - 16:16

     Të mërkurën, edicioni i 22-të i Panairit të Librit “Tirana 2019”, çeli siparin në Pallatin e Kongreseve, ku rreth 100 botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi do të shpalosin për pesë ditë, prurjet më të reja nga botimet shqipe.

Janë të shumtë vizitorët, të cilët kanë vërshuar në stendat e librave, që sipas organizatorëve, këtë vit do të jenë me më shumë se 800 tituj të rinj.

 

 

Këndet e shtëpive botuese, tashmë janë pozicionuar, bashkë me botimet e reja. Teksa ndjek më sy kopertinat, në ecejaket para stendave, për një lexues të vëmendshëm, nuk mbeten jashtë këndvështrimit të mprehtë e të stërvitur mirë, një sërë autorësh klasikë në një formë bashkohore.

Ata vijnë për lexuesin e çdo moshe thuasje, në një mënyrë shumë të afërt – libri i vogël, me një format praktik, ju sjell më pranë, pa kursyer asnjë prej shkrimtarëve që kanë lënë gjurmë epokale në letërsinë botërore. Shkrimtarë që, pavarësisht kohës kur shkruan, janë të pranishëm në realitetin modern të globalizimit, ndoshta më tepër se kurrë./Konica.al

Do të gjeni në këtë panair, mes të tjerash, të tillë klasikë dhe nobelistë, si: Tolstoi, Hajnrih Bëln, Henri Xhejms, Turgenjev, Balzak, Gorki, Çehovi, Kavabata, Heminguej etj 
⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀

Vdekja e Ivan Iliçit , Tolstoi⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀
Novelat “Vdekja e Ivan Iliçit” dhe “Ç’i mban gjallë njerëzit” të L.N. Tolstoit janë një paraqitje mjeshtërore e gjendjes shpirtërore të individit. “Vdekja e Ivan Iliçit” është për Tolstoin një simbol që paraqet një analizë psikologjike dhe filozofike të jetës dhe të vdekjes. Këto novela mund t’i quajmë pa ngurrim si perlat e letërsisë klasike. Ivan Iliç, një gjykatës rus, duke parandier vdekjen, i rrëfehet vetvetes, paraqet gjithë etapat e jetës së tij të qendërzuara mbi fanitjet dhe sigurinë iluzore që ai shpresonte të siguronte për vetveten dhe për të tjerët në emër të drejtësisë. Po kështu edhe novela tjetër është një himn mbi jetën dhe dashurinë.⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀

 

Deizi Miler, Henri Xhejms ⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀
Mjeshtri i penës britanike na sjell një roman shumë të bukur, magjia e personazheve të të cilit na mrekullon hap pas hapi. Udhëtimet e shumta nëpër Evropë bënë që klasiku Henri Xhejms të vizitonte shpesh edhe Parisin, ku u shoqërua me shkrimtarë të tillë si Turgenievi dhe Floberi. Deizi Miler, një bukuroshe amerikane, shoqëruar nga e ëma dhe i vëllai, në një udhëtim në Napoli dashurohet me një djalë italian, gjuetar prikash i cili komprometon turpshëm reputacionin e saj. Po ashtu, lexuesi ndjek edhe rrjedhën e një tjetër personazhi: Uinterbornit, një i ri amerikan që ndodhet në të njëjtin hotel me Deizin.. ⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀

kolana e librave

⠀⠀⠀⠀⠀⠀

“Goditje dielli”, Ivan Bunin⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀
Ishte shkrimtari i pare rus qe u lavderua me cmimin “Nobel” ne vitin 1933 ,novelist, poet dhe shkrimtar i mirenjohur .Ivan Bunin ishte mjeshter i fjales, i pershkrimit te natyres, shkrimtari qe krijoi tablo te ashpra dhe te vertetate jetes se fshatit ne te kaluaren , krijoi nje sere figurash te Rusise se pararevolucionit.⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀

⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀
“Aladini dhe Llamba magjike” ⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀
Përshtatja e historisë së Aladinit, djaloshit që vjen nga Kina na shpie në universin e magjishëm të një prej rrëfenjave të mrekullueshme të “Njëmijë e një netëve”, ku kryqëzohen gjeni me pushtete të habitshme, një magjistar i lig dhe një princeshë magjepsëse. Aladini është i keq, tekanjoz, i pabindur. Përtac dhe gënjeshtar, ai ishte zhgënjimi i prindërve. Pikërisht për këtë arsye ai ishte i zgjedhuri i magjistarit afrikan. Mirëpo, Aladini ia prish planet dhe e mban për vete llambën që lakmonte magjistari⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀

 

“Nderi i humbur i Katerina Blumit”, Hjanrih Bëln⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀
Lindur në 1917 dhe vdekur në 1985, nobelisti Hajnrih Bëln konsiderohet jo vetëm në Gjermani, por në mbarë Evropën si shkrimtari më i rëndësishëm i gjeneratës së tij. “Nderi i humbur i Katerina Blumit” sjellë me mjeshtëri nga përkthyesi i mirënjohur Robert Shvarc, bën pjesë tek thesaret e letërsisë botërore. Një histori e mrekullueshme, që luhatet mes labirintit të ligjit dhe shtypit, të vërtetës shoqërore dhe përplasjes së pashmangshme të fakteve me trillimin. Romani është quajtur në mënyrë simbolike: “Si mund të lind dhuna dhe ku mund të shpjerë ajo”⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀

 

“Ngadhënjim i dashurisë”, Turgenjev⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀
Vëllimi “Ngadhënjim i dashurisë” përfshin dy nga novelat më të bukura të autorit Turgeniev. Të dyja novelat janë lirikopsikologjike, me shpërthime hovesh shpirtërore, me zbulime ndjenjash të sinqerta, krahasime me natyrën, vërshime të ujërave pranverore. “Ngadhënjim i dashurisë” paraqet dashurinë e çiltër të Valerias, e cila është më se e bindur për dashurinë e Mucios. Një ditë, ulur para organos, gishtat rrëshqasin mbi tastierë dhe jashtë dëshirës së saj përhapet kënga e një dashurie ngadhënjyese… “Asja” paraqet jetën e një vajzë çapkëne, me natyrë të papërmbajtur e hedhur… Dashuria e saj fiton mbi frikën, pavendosmërinë, mefshtësinë shpirtërore…⠀⠀⠀

 

 “Mbrëmje e bekuar “⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀
Nagib Mahfuz është i vetmi shkrimtar egjiptian që ka marrë çmimin “Nobel” në letërsi. “Mbrëmje e bekuar” është paraqitja e Egjiptit bashkohor, shpeshherë disi i ngathët për të harmonizuar tradicionalen me modernen. Nga e kaluara e tyre, shfaqen papritur “zëra, ngjyra, rrahje zemrash”, që rrëfyesi i sjell si të gjalla. “Mbrëmje e bekuar” paraqet kujtimet e një pensionisti, të vetmuar dhe të hidhëruar, i cili sjell dhimbjen e ekzistencës së tij, dashurinë e tij të ndaluar me një vajzë të bukur dhe të duruar, peshën e hidhur të traditave, vështirësitë e papritura të jetës së një funksionari./Konica.al⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀⠀