MENU
klinika

"Qeveria do ecë përkrah biznesit"

‘Made in Albania’/ Denaj: Luftë informalitetit për të patur sukses

16.11.2019 - 12:27

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ishte e pranishme në konferencën e organizuar nga Konventa e Prodhuesve Shqiptarë me temë “Rritja e konkurrueshmërisë së produkteve Made in Albania”.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Denaj vuri theksin në disa prej elementëve kryesorë që ndikojnë në rritjen e konkurrueshmërisë së biznesit, si: përshtatshmëria e biznesit drejt zhvillimeve teknologjike, një faktor shumë i rëndësishëm ky për të rritur produktivitetin dhe ulur kostot; orientimi i prodhimit drejt kulturës dhe procesit të zinxhirit të vlerës; si dhe sigurimi i një stafi të kualifikuar, i cili sot ekziston, por ka ende sfida për ta sjellë në përputhje me nevojat që ka biznesi.

“Shpesh rritja e konkurrueshmërisë është parë e lidhur vetëm me politikat fiskale. Edhe pse aspekti fiskal është i rëndësishëm, rritja e konkurrueshmërisë duhet parë në një këndvështrim më të gjerë se sa kaq, sidomos lidhur me zhvillimin e sektorëve të caktuar të ekonomisë”– tha ministrja Denaj.

“Ne sot jemi duke diskutuar më gjerë se sa aspekti fiskal. Jemi duke parë se si ekonomia zhvillohet drejt sektorëve me elementë konkurrueshmërie në treg, drejt tregjeve ndërkombëtare dhe ku ne duhet të fokusohemi, ku kemi ne në Shqipëri elementë konkurrueshmërie që të na bëjnë të veçantë në krahasim me të tjerët, e kështu të jemi të fokusuar në ata sektorë ku ne kemi avantazhe dhe aty të shikojmë politika zhvillimi ekonomike përtej atyre fiskalë”- u shpreh znj. Denaj.

Një platformë komunikimi me grupet e interesit është dhe Këshilli i Investimeve. Ministrja pohoi se në tryezën e fundit të Këshillit fokusi ka qenë në tre sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, turizmi, bujqësia dhe infrastruktura, për të parë se cilët elementë të zhvillimit ekonomik duhet të merren parasysh në politikbërje.

“Mjaft e rëndësishme për të rritur konkurrueshmërinë, – theksoi ministrja, – është edhe lufta kundër informalitetit dhe evazionit fiskal, që ka të bëjë, jo vetëm me përfitimet për administratën, por së pari me biznesin e ndershëm.

“Përpjekja për të luftuar informalitetin dhe evazionin fiskal është një përpjekje, jo vetëm për administratën, por edhe një përpjekje për biznesin e ndershëm, që ka të bëjë me konkurrueshmërinë. Është një element shumë i rëndësishëm që do ta ndihmonte dhe duhet të ishte një qasje e përbashkët e të dy palëve për ta luftuar biznesin, i cili krijon një pabarazi në treg”- tha znj. Denaj.

Në përfundim të fjalës së saj, ministrja theksoi se rritja e konkurrueshmërisë së biznesit vë përpara detyrave të dy palët, si biznesin, ashtu edhe qeverinë. Biznesit sa i përket identifikimit të elementëve që lidhen me rritjen e konkurrueshmërisë, qeverisë sa i përket politikave të zhvillimit ekonomik e fiskal, si dhe për çështjet administrative.

“Besoj që në këto formate komunikimi dhe në shpeshtësinë e bisedave tona ne jemi të gatshëm që të gjejmë rrugën më të mirë për ta çuar prodhimin shqiptar sa më larg dhe sa më shumë jo vetëm në tregjet rajonale, por edhe në ato evropiane e më larg”përfundoi znj. Denaj.