MENU
klinika

Qendër e re shëndetësore në Vaun e Dejës

Manastirliu: Do të rehabilitojmë 120 qendra me buxhetin e ri

19.11.2019 - 12:30

Ministrja Manastirliu inspektoi qendrën e re shëndetësore të Vaut të Dejës, ku garantoi financim për ta kthyer në një qendër 24 orarëshe.

“Jam e kënaqur për standardin që sigurojmë për 48 mijë banorët e kësaj zone dhe rrethinave, me këtë qendër model për nga infrastruktura dhe pajisjet dhe me buxhetin e ri, nga Janari 2020 qendra shëndetësore Vau Dejës do të kthehet në qendër me shërbim 24 orë në 7 ditë të javës”, tha Manastirliu.

Duke theksuar vëmendjen e qeverisë në përmirësimin e infrastrukturës së kujdesit parësor, Manastirliu tha se me buxhetin e ri do të finalizohet programi kombëtar i 300 qendrave shëndetësore.

“Investimi në kujdesin parësor është guri i themelit për një sistem shëndetësor ndaj duke jetësuar këtë objektiv të qeverisë, me buxhetin i vitit 2020 financojmë rikonstruksionin e 120 qendrave shëndetësore dhe ambulancave, në kuadër të Programit Kombëtar të 300 qendrave shëndetësore”, tha Ministrja e Shëndetësisë.

Me një investim në vlerën 68 milion lekë, me mbështetjen e Programit Italo-Shqiptar IADSA, qendra shëndetësore Vau i Dejës, ofron me standardin më të lartë shërbimin e urgjencës dhe mikrokirigjisë, vaksinimin e fëmijëve, kontrollin mjekësor bazë, shërbimet për nënën dhe fëmijën, kujdesin për të moshuarit dhe ndjekjen periodike të komunitetit nga mjekët e familjes.

Kjo qendër është pajisur dhe me pajisje të reja mjekësore diagnostikuese si: Echo abdominale, Elektrokardiogramë, pajisje për mikrokirurgji, etj.

Në kuadër të Programit të 300 qendrave shëndetësore janë investuar 115 milionë lekë në 24 muaj në qarkun e Shkodrës. 10 qendra shëndetësore dhe ambulanca i janë nënshtruar rehabilitimit të plotë në këtë qark.