MENU
klinika

Efektet në ekonominë kosovare

Masa e reciprocitetit më e favorshme për Kosovën

03.11.2019 - 18:41

Zëvendësimi i taksës 100 përqind ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake me masë të reciprocitetit nga njohësit e çështjeve ekonomike po shihet si veprim më i arsyeshëm karshi politikave agresive të Serbisë, ndërsa shoqëria civile po kërkon që qeveria në ardhje të ketë kujdes me veprimet karshi taksës.

Ishte zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit të ShBA-së, njëherësh përfaqësues Special i Sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, i cili para dy dite tha se taksa është bërë një pengesë.

Ndërkohë, sipas shoqërisë civile çdo vendim kundrejt tarifës doganore duhet të merret në koordinim me shtetet mike të Kosovës.

Qeveria e ardhshme e Republikës së Kosovës e cila në bazë të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 6 tetorit pritet të udhëhiqet nga Lëvizje Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, si duket ka në plan që tarifën 100 përqind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, ta zëvendësojë me masën e reciprocitetit.

Sipas anëtares së kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për kalimin e taksës në reciprocitet karshi mallrave serbe dhe boshnjake ka pajtueshmëri në mes dy subjektet LVV-në dhe LDK-në.

Sipas saj, ndaj shtetit serb me qeverinë Kurti do të ketë reciprocitet në të gjitha fushat, qoftë në aspektin ekonomik, politik e tregtar.

Këtë plan të qeverisë së ardhshme po e përkrah ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i cili vendosjen e taksës nga qeveria Haradinaj e konsideron si dëmin më të madh që i është bërë Kosovës, prandaj ai pret nga qeveria e re që të jetë e matur karshi kësaj çështje.

Gërxhaliu kërkon nga qeveria e re që çdo veprim që e ndërmerr karshi tarifës 100, të bëhet në koordinim me partnerët ndërkombëtar.

Derisa thekson se vendosja e tarifës nuk ka sjellë efekte pozitive për ekonominë kosovare, njohësi i çështjeve ekonomike beson se masat e reciprocitet janë zgjidhja më e mirë në raport me Serbinë.

Pro heqjes së taksës dhe vendosjes së masave të reciprocitet me shtetin serb është shprehur edhe njohësit tjetër i çështjeve ekonomia, Mustafë Kadriaj, i cili tha se taksa në aspektin politik ishte e mirë por vazhdimi i taksës në pakufi solli acarim të raporteve në mes Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Sipas tij, opsioni më i favorshëm karshi Serbi është heqja e tarifës 100 përqind.

Nga shoqëria civile kërkohet maturi më e madhe karshi tarifës doganore, pasi si pasojë e vendosjes së saj u bllokua edhe dialogu me Serbinë.

Jeta Krasniqi nga KDI thotë për KosovaPress, se qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të ketë mesazhe të qarta ndaj Serbisë, por edhe ndaj faktorit ndërkombëtar që presionin ta kthej kah Serbia.

Krasniqi këshilloi udhëheqësin e ardhshme të ndërmerr masat afatgjate përmes të cilave do forcohet shtetit i Kosovës.

Tarifa 100 përqind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina u vendos më 21 nëntor të vitit 2018 nga qeveria në largim. Ky veprim erdhi si kundërpërgjigje ndaj politikave të këtyre dy shteteve kundër shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në mekanizma e organizata ndërkombëtare.

E karshi këtij veprimi u ngjallën reagime të shumta nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, të cilët kanë kërkuar dhe po vazhdojnë të kërkojnë pezullimin apo edhe shfuqizimin e kësaj takse, pasi ajo u konsiderua si shkaktar që Serbia u tërhoq nga tavolina e bisedimeve me Kosovën.

Kujtojmë që masë reciprociteti, Qeveria e Kosovës kishte zbatuar ndaj Serbisë në muajin korrik të vitit 2011, masë kjo e cila ishte zbatuar vetëm për 50 ditë dhe më pas ishte shfuqizuar, shkruan KosovaPress.