Pesë bashkitë e qarkut Berat, po zbatojnë projektin për menaxhimin e integruar të mbetjeve, financuar nga Sekretariati i Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike ( SECO) me një kontribut granti prej 2.2 milionë franga zvicerane.
Në kuadër të këtij projekti është përgatitur një plan rajonal për menaxhimin e mbetjeve.
Kryetari bashkisë së Beratit, Ervin Demo, tha se “qytetit i duhet një zgjidhje e qëndrueshme dhe ne do të bëjmë të pamundurën të ofrojmë në bashkëpunim me të gjitha bashkitë e rajonit dhe partnerët SECO, KfW”.
Sipas tij, prioritet është grumbullimi dhe depozitimi i sigurt i mbetjeve, ndjekur nga përmirësimi i riciklimit dhe në fund realizimi i impianteve komplekse të trajtimit.
Gjatë fazës së parë të projektit fokus i ndërhyrjes do jenë: përmirësimi i depozitimit të mbetjeve, zhvillimi i një sistemi optimal për grumbullimin e mbetjeve, riciklimi dhe trajtimi i mbetjeve, zhvillimi i një sistemi optimal për transferimin dhe transportin e mbetjeve.
Ndërsa faza e dytë e projektit do të fokusohet në realizimin e një impianti rajonal për trajtimin e mbetjeve.