MENU
klinika

“Situata është urgjente, s’ka kohë për të humbur”

Mjekët japin alarmin: Julian Assange mund të vdesë në burg

25.11.2019 - 18:17

Themeluesi i “WikiLeaks”, Julian Assange, është aq i sëmurë, sa mund të ndërrojë jetë në burg nëse nuk merr trajtim urgjent mjekësor.  Kështu thuhet në një letër të hapur dërguar të hënën autoriteteve britanike.

Më shumë se 60 mjekë i shkruajtën Sekretarit të Brendshëm të Mbretërisë së Bashkuar, Priti Patel, ku i shprehën “shqetësime serioze” në lidhje me gjendjen e Assange para se ai të dalë në gjyq, ndërsa vijon betejën kundër ekstradimit në Amerikë, ku atje akuzohet për veprën e “spiunazhit”.

“Mendimi ynë që Z. Assange kërkon vlerësim urgjent të ekspertëve mjekësorë, si për gjendjen e tij fizike ashtu edhe atë psikologjike. Sikur të mos bëhej një vlerësim dhe trajtim i tillë urgjent, ne kemi shqetësime të vërteta, mbi provat që janë aktualisht të disponueshme, që z. Assange mund të vdesë në burg. Situata mjekësore është urgjente. Nuk ka kohë për të humbur”-shkruajnë mjekët nga Britania e Madhe, Australia, Evropa dhe Sri Lanka.

Julian Assange aktualisht ndodhet i izoluar në një prej burgjeve të sigurisë së lartë në Britani të Madhe. Mjekët  pretendojnë se themeluesi i Wikiliaks vuan nga shqetësimet fizike, psikologjike, përfshirë dhe depresionin.