Kryeministri Edi Rama mbetet i vendosur që paralelisht me vlerësimin e pas-fatkeqësisë nga tërmeti të nxjerrë edhe përgjegjësitë atje ku ka sa i takon cilësisë së ndërtimit.
Për këtë ai u kërkoi ndihmë me asistencë tenike ambasadorëve në vendin tonë gjatë një takimi që pati me ta. Nga ana tjetër, Rama vuri në dukje që nevojitet një vlerësim edhe i urave, digave por edhe shkollave, duke shtuar se ka shumë shkolla në periferi që janë në gjendje të keqe.
“Është edhe diçka që duhet adresuar, aspekti i përgjegjësive. Paralelisht me vlerësimin e pas-fatkeqësisë duhet të bëjmë dhe një vlerësim të ndërtesave që janë çarë dhe mund të riparohen.
Çarje që mund të jenë të lidhura dhe me sjelljen e papërgjegjshme të investitorëve, arkitektëve, mbikqyrësve, inxhinierëve. Kemi përgatitur një njësi të re hetimi të korrupsionit, njësinë e posaçme në qeveri që do të ndihmohet nga Guardia di Finanza dhe Thesari amerikan lidhur me mashtrimet.
Por do ta vlerësonim shumë nëse secili do të na mbështeste me burime njerëzore, asistencë teknike për të na ndihmuar në hetime administrative që janë përgjegjësia jonë. Në lidhje me çështjet ku ndërtesat mund të jenë dëmtuar jo thjesht nga tërmeti, por dhe abuzimet që janë bërë në ndërtime.
Shumica e ndërtesave të reja strukturalisht janë në rregull, të çarat janë të riparueshme. Problemi i madh është më ndërtesat e viteve ’70, të ndërtuara me punë vullnetare. Janë në gjendje shumë të keqe, ndërkohë që janë bërë dhe ndërhyrje.
Njerëzit duhen ndëshkuar për këto gjëra. Për këtë hetim të vështirë do ta vlerësonim shumë punën tuaj pasi po ju them se që tani një ekip ka filluar të vlerësojë legjislacionin e vendeve të ndryshme të botës për forcimin e masave kundër abuzimeve, për ti ndëshkuar ata njerëz që tejkalojnë kuadrin ligjor. Kemi infrastruktura të rëndësishme si urat, digat apo liqene artificiale që gjithashtu duhen vlerësuar sepse nuk duam mos e dhëntë Zoti si ajo që ndodhi në Genova.
Po kështu ka shumë shkolla në zonat rurale kanë në gjendje të vështirë, gjithashtu çerdhet dhe kopshtet. Ju lutem na ndihmoni me njerëz në hetim administrativ për përgjegjësitë, kjo pastaj mund të kthehet dhe në hetim penal por i takon prokurorisë. Nëse kemi fakte do t’ja paraqesim SPAK-ut dhe është ai që do të vendosë për përgjegjësitë e gjithkujt.”– tha Rama.