MENU
klinika

Konfiskimi i parave të paligjshme

Negociatat/ Soreca vlerëson nismën e Shqipërisë

08.11.2019 - 15:12

Pas Fierit, edhe në Durrës një pronë e sekuestruar e personave me precedentë penale do të përdoret për qëllime sociale.

Mjediset që më parë përdoreshin si lokal nate në lagjen nr.1 të qytetit, tashmë janë kthyer në kafe dhe bibliotekë që menaxhohen nga një grup të rinjsh.

Gjatë ceremonisë ambasadori i BE në vendin tonë Luigi Soreca, tha se ky inaugurim mund të jetë një hap i vogël në punën që Shqipëria ka për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.

“Ky është një hap i vogël për një punë shumë të madhe që duhet të bëjë Shqipëria. Fakti që në tetor Këshilli Europian mori një vendim negativ për vendin nuk duhet parë si fundi i rrugëtimit, por si një fillim i ri për të përmbushur detyrat që vendi të jetë gati në fillim të vitit të ardhshëm për hapjen e negociatave. Ju siguroj që do të keni mbështetjen e Bashkimit Evropian për të konfiskuar pasuritë e siguruara në rrugë të paligjshme”, -tha Soreca.

KinFolk Coffee Library është një projekt i ri që është mbështetur nga misioni i BE në vendin tonë dhe partneret për ndryshimin dhe zhvillimin. Për të ripërdorur pronat e sekuestruara nga persona të lidhur me krimin ndihmon projekti Cause, i cili ka si qëllim përdorimin e tyre për çështje sociale.

Në kuadër të këtij projekti së shpejti do të veprohet në mënyrë të ngjashme edhe në qytetin e Sarandës.