MENU
klinika

"Sakrificat" dhe ambiciet e presidentit kinez

Nga jeta e vështirë në fshat në majat e pushtetit…

27.11.2019 - 19:34

Në kodrat e  Provincës Shaanxi, më shumë se 2,000 pelegrinë politikë vijnë çdo ditë, për të gjurmuar hapat e Presidentit Kinez Xi Jinping nëpër tokën, ku tani rriten farat e kultit të tij të personalitetit.

Në fshatin e vogël Liangjiahe, 850 km në jugperëndim të Pekinit, zyrtarët e Partisë Komuniste rreshtohen për të dëgjuar legjendat se si Xi dikur fuste këmbët në ujë akull për të ndihmuar vendasit të pastronin digat. Ata vijnë për të parë shpellën ku ai flinte, duke ndjekur traditat shekullore të jetesës në këtë pjesë të Kinës.

Xi mbërriti në Liangjiahe gjysmë shekulli më parë, si një 15-vjeçar i hutuar. Ashtu si banorët e tjerë të qytetit, ai ishte dërguar “në fshat”, siç urdhëroi udhëheqësi kinez Mao Zedong në atë kohë.

Babai i Xi, dikur kryetar i propagandës së partisë dhe më pas zv.kryeministër, ishte larguar gjatë Revolucionit Kulturor të Maos në vitet 1960. Ai ishte në burg kur Xi u dërgua në Liangjiahe. Xi kaloi pesë vjet në fshat para se të fillonte universitetin përsëri në Pekin dhe pastaj filloi ngjitjen  në shkallët e partisë.

Liu është një ish-instruktor i mendimit politik në kolegjin ushtarak të Kinës dhe një nga 90 milion anëtarët e Partisë Komuniste. Ai jeton në Pekin, dhe ka pa fund kujtime dhe libra, në një tryezë në apartamentin e tij.

“Sapo erdhi në pushtet, ai promovoi ëndrrën kineze për rinovimin e madh të kombit tonë,” tha Liu. “Ai fitoi zemrat e të gjithëve ne.”

Rrugëtimi i Xi nga fshati në majat e pushtetit i bën jehonë luftës së Kinës për të kapërcyer varfërinë dhe poshtërimin, për t’u bërë një forcë globale.

Në 70-vjetorin e Revolucionit Komunist, Xi deklaroi, “Asnjë forcë nuk mund të trondisë statusin e Kinës, ose të ndalojë Popullin dhe kombin kinez “.

Qëllimi i Xi është të ri-integrojë territoret e humbura si Hong-Kongu, pavarësisht nga çdo rezistencë lokale, dhe të rimarrë ishullin Tajvanit, të cilin Pekini e konsideron një provincë kineze, ndoshta me forcë.

Ai gjithashtu dëshiron ta bëjë Kinën fuqinë më të madhe ekonomike në botë. Pas viteve të një rritje të jashtëzakonshme, shifrat e Bankës Botërore tregojnë se vendi është në prag të kapërcimit të SHBA ekonomikisht. Produkti i brendshëm bruto i Kinës (PBB) është 13.41 trilion dollarë amerikanë ndërsa Shtetet e Bashkuara kapin 20,49 trilion dollarë. Por nëse e matni PBB-në duke përdorur barazinë e fuqisë blerëse, ekonomia e Kinës tashmë ka arritur 25.27 trilion dollarë, duke tejkaluar SHBA.

Kjo mbetet një sfidë sepse shkalla e rritjes së Kinës, rreth gjashtë përqind në vit, është gjysma e asaj që ishte në fillim të viteve 2000.

Projekti ambicioz i Xi për të ndërtuar një rrjet global gjysmë trilion dollarësh të rrugëve, hekurudhave dhe lidhjeve detare në të gjithë Azinë në Afrikë dhe Evropë do të shtrinte më tej ndikimin kinez, dhe kontrollin në të gjithë botën. Me pak fjalë, Kina aspiron të barazojë ose tejkalojë SHBA me çdo kusht.

Këto ambicie përballen me rezistencën në rritje ndërkombëtare, një luftë tregtare me SHBA, akuza për spiunazh dhe vjedhje të teknologjisë, mosmarrëveshje diplomatike etj.

Por Xi ka bindur popullin e tij që, ashtu si sakrificat e tij në fshat, e gjithë kjo është e nevojshme që Kina të zërë vendin që meriton në skenën botërore, për të përmbushur ëndrrën kineze.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Rruga e re e mëndafshtë"

5 mite për projektin gjigand kinez