MENU
klinika

Pas gjendjes së jashtëzakonshme

Kamp për të dëmtuarit nga tërmeti në Laç

29.11.2019 - 15:34

Në Laç janë ngritur kampet për strehimin e banorëve të cilët kanë mbetur jashtë pas dëmtimeve të banesave të tij si pasojë e tërmetit të së martës.

Aty janë strehuar me qindra qytetarë nga zonat e prekura nga tërmeti.

Kryeministri Edi Rama ka shpallur sot në mëngjes gjendjen e jashtëzakonshme edhe në këtë qytet.

Laçi ka pësuar shumë dëme nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit.

“Mirëkuptoj opinionin e kryetarit të opozitës, se Laçi përfshihet në këtë perimeter. Në këtë rast na përputhen shqetësimet dhe idetë. Ne sot duhet të përfshijmë edhe zonën e prekur të Laçit në të njëjtin program”, tha Rama gjatë mbledhjes së qeverisë mëngjesin e së premtes.

Rama ftoi opozitën po ashtu që të ketë dy përfaqësues të saj në strukturën që po menaxhon fatkeqësinë natyrore.

Në këtë bashki janë dëmtuar 22 objekte, nga të cilat 8 janë pallate të shpallura të pabanueshme.  “Janë 8 pallate të shpallura të pabanueshme. Banorët nuk lejohen që të qëndrojnë, edhe pse një pjesë nuk e kanë respektuar.

Ka dëme, nuk ka shembje të banesave, sikur kemi parë në Durrës apo Thumanë. Në Laç ka dëmtime te pjesshme të mureve apo kolonave të pallateve. 22 objekte të rrezikshme, 200 persona që janë akomoduar. Nuk ka shembje totale të objekteve. Nuk ka një llogaritje të plotë të dëmeve” raporton Ergys Kavaja.