MENU
klinika

Zbuloni përse

Një arsye më shumë për të pirë edhe një filxhan tjetër me kafe sot

16.11.2019 - 09:11

Pse jo? Kërko edhe një kafe të dytë – të bën shumë mirë, sidomos pasi ke filluar të ndjesh lodhje gjatë pasdites.

Studimet për kafen dhe ndikimet që ka ajo në organizmin tonë janë nga më të ndryshmet, edhe rezultatet po ashtu. Por i fundit është edhe më optimist. Një studim i ri, i publikuar pak kohë më parë, ka treguar se të pish dy deri në tre filxhanë kafe në ditë mund të zvogëlojë rrezikun e vdekjes nga komplikacione të ndryshme.

Rezultatet e studimit, të publikuara në “Circulation”, u bazuan në të dhënat e tri studimeve të mëdha, të cilat kishin ndjekur rutinën e mbi 200.000 njerëzve për plot 30 vjet. Hulumtuesit zbuluan se njerëzit që pinin kafe në mënyrë të moderuar (ata që pinin më pak se 5 filxhanë në ditë) kishin rrezik më të ulët për të vdekur nga sëmundjet e zemrës, diabeti i tipit 2, sëmundjet neurologjike apo edhe vetëvrasjet. Shkencëtarët nuk janë plotësisht të sigurt pse kafja duket të jetë kaq e mirë për shëndetin tonë, por një teori është se kjo ndodh ngaqë përbërësit që gjenden në kokrrën natyrale të kafes ulin rezistencën e insulinës dhe inflamacionit në trup.

Shumë studime të tjera janë planifikuar për të parë nëse këto teori dalin të vërteta, por ky i fundit është një lajm shumë i mirë për të gjithë ata që pijnë kafe. Studimet e mëparshme kanë zbuluar gjithashtu se kafja të ndihmon edhe për të rritur durimin, për të përmirësuar kujtesën dhe për të reduktuar rrezikun e lartë nga shumë sëmundje. Megjithatë, në shumë prej këtyre gjërave të mira, ka edhe një efekt negativ në shëndet që nuk duhet anashkaluar: varësia ndaj kafeinës.

Nëse e pi kafen në mënyrë të moderuar dhe e ke nën kontroll varësinë ndaj kafeinës, atëherë do t’i marrësh të gjitha përfitimet shëndetësore të një, dy… filxhanëve në ditë.